Ekipi i kërkim-shpëtimit po vijon punën për gjetjen e 29-vjeçarit në Qafën e Burrelit, i cili duke punuar me një fadromë, u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali, dhe për pasojë ende nuk është gjetur.
Policia ka arrestuar drejtuesin teknik të shoqërisë për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, Ademir Lala. 44-vjeçari është banues në Klos.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën ku shembja e një masivi dheu gjatë punimeve në fabrikën e pasurimit të kromit zuri poshtë drejtuesin e një fadrome bashkë me mjetin e tij teksa ishte në proces pune.
Ai ishte i punësuar nga kompania kineze që kishte në aktivitet me qira fabrikën e pasurimit të mineralit.
"Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e djeshme në Qafën e Burrelit, në fabrikën e përpunimit të kromit, ku shtetasi A.B., 29 vjeç, duke punuar me mjetin fadromë, u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali, dhe për pasojë ende nuk është gjetur, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Postës së Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin A.L., 44 vjeç, banues në Klos, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit po vijojnë intensivisht punën për gjetjen e shtetasit A.B.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Komente
