Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka mbajtur sot një fjalim të ashpër në Kuvend, duke kritikuar thellësisht buxhetin faktik të vitit 2023.
Sipas saj, ky buxhet nuk ofron asnjë zgjidhje për shqiptarët e thjeshtë dhe vijon traditën e buxheteve të mëparshme socialiste, të cilat shërbejnë interesat e një pakice elitare
Tabaku nënvizoi se 2023-a ishte viti kur shqiptarët përjetuan një rritje të lartë të çmimeve, ku artikujt bazë shënuan një rritje deri në 29.5%, duke rënduar tej mase xhepat e qytetarëve.
“Çfarë bëri qeveria për të ndihmuar qytetarët? Transferoi 80 milionë euro drejt firmave kontraktore për beton, ndërsa për pensionistët dhe administratën, nuk pati asnjë mbështetje konkrete,” tha ajo.
Tabaku theksoi gjithashtu se modeli ekonomik i ndjekur nga qeveria përqendrohet vetëm në ndërtim dhe pastrim parash, duke lënë pas dore shumicën e qytetarëve.
“Shqipëria ka nevojë për një model ekonomik që i drejtohet 95% të qytetarëve dhe jo vetëm elitave,” theksoi ajo, duke i kërkuar qeverisë të mbështesë shtresën e mesme dhe të inkurajojë zhvillimin e sektorëve strategjikë si bujqësia.
Tabaku shprehu shqetësimin për praktikat e padrejta të taksimit, ku bizneset e vogla ngarkohen me gjoba dhe taksa të larta, ndërsa ekonomia e vendit vuan nga një nivel i lartë informaliteti dhe korrupsioni.
“Ky model ekonomik nuk mund të vazhdojë më. Është koha për një ekonomi që përfshin dhe mbështet të gjithë shqiptarët,” deklaroi ajo.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Miratohet me 71 vota pro 'Buxheti faktik i vitit 2023', Bardhi: Po abuzohet me paratë e shtetit! Ministri Malaj: Buxheti i 2025 më i madhi në histori
S.B/ReportTv.al