'By pass' i Vlorës

By Pass-i i Vlorës! Si u katandis investimi 56 mln euro për një vit

30 Qershor 2023, 19:01| Përditesimi: 30 Qershor 2023, 19:13

  • Share

Nga Esmeralda Topi

Qeveria inaguroi vjet në verë By Pass-in e Vlorës, ndërkohë që kishin mbetur pa përfunduar 15% të punimeve. Një vit pas ceremonisë përuruese verifikimet tregojnë se rruga është amortizuar. By Pass-it të Vlorës i mungon sinjalistika, shtresa e fundit asfaltike, mbrojtja e skarpatave dhe shpateve nga rënia e gurëve, si dhe rehabilitimi mjedisor. ARRSH thotë se mbyllja e punimeve në këtë segment do të mbarojë në mars të 2024, por nuk jep arsye për zvarritjen e tyre.

Muzgun e 7 korrikut të shkuar qeveria inaguroi për herë të parë përfundimin e By Pass-it të Vlorës, një vepër e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare.

“Ndodhemi në By Pass-in e Vlorës, sot është data 7 korrik dhe ka përfunduar e gjithë pjesa e rrugës.” Kështu deklaronte ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku, gjatë ceremonisë inaguruese të By Pass-it të Vlorës korrikun e kaluar. 

Pas një fjalë të detajuar mbi ecurinë e projektit, në krah të kryeministrit Edi Rama, drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi dhe një sërë përfaqësuesish të tjerë të Partisë Socialite në qarkun e Vlorës, Balluku shpotiti kreun e qeverisë: 

‘Jemi gati tani për të dëgjuar vërejtjet Kryeministër, ça duhet të kemi merak?’ 

‘Ja, pse nuk ka ndarëse këtu?’, iu përgjigj Rama, teksa vuri në dukje mungesën e barrierave anësore në një pjesë të By Pass-it.

Inagurim pas inagurimi… 

Një javë më vonë, në krah të Komisionerit të Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, kryeministri së bashku me zyrtarë të tjerë u rikthyen në By Pass-in e Vlorës për një tjetër inagurim të segmentit panoramik në muzg. 

“Ne rikthehemi këtu, pasi sot u bë e mundur që një mik i çmuar, përveçse Komisioneri Evropian për Zgjerimin, të vinte këtu, në pamundësi për të qenë me ne në ditën e lajmëruar të çeljes së bypass-it, në 7 korrik, gjë që lidhej me domosdoshmërinë për të çliruar fluksin e makinave, sidomos në fundjavë.”, shprehej Rama. 

Punimet kryesore të By Pass-it përfunduan më 30 qershor të 2022-shit. Edhe pse u inagurua dy herë e vërteta është se rruga ishte e papërfunduar. 

“Kjo është një rrugë që kanë ngelur vetëm pak punime që nuk do të interferojnë me trafikun e rrugës. Kemi të bëjmë kryesisht me punimet e skarpatave…”, theksonte drejtori i ARRSH-së Evis Berberi verën e kaluar. 

Por ndryshe nga ç’pretendon z.Berberi, një dokument zyrtar nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor tregon se By Pass-i i Vlorës u hap për qarkullim pa u mbyllur 15% e punimeve. Dhe skarpatat janë vetëm një nga disa elementet thelbësor të projektit infrastrukturor. 

Burimi: WBIF

Një vit më vonë

Një vit pas inagurimit, rruga vijon të jetë e papërfunduar dhe nuk ka asnjë shenjë punimesh në të. Zvarritja e punimeve përmbyllëse, e ka degraduar aksin prej 29 km. 

By Pass Vlora, qershor 2023

Verifikimet në terren tregojnë se rruga është amortizuar dhe ka pësuar rrëshqitje që e bëjnë të duket shumë larg një aksi që ka vetëm 1 vit jetë. 

Në By Pass mungon sinjalistika, ndërkohë që më shumë se gjysma e segmentit ende nuk ka shtresat e planifikuara asfaltike. Nga ana tjetër, një nga urat ka mbetur me pilota të ngritura ndërkohë që nuk i është bërë ende tavani. 

Në këto kushte, Faktoje ju drejtua me një kërkesë për informacion Autoritetit Rrugor Shqiptar. Institucioni pranon se By Pass-i ka ende punime të papërfunduara, duke i listuar si më poshtë:  

“  – Ndërtimi i kryqëzimeve me fshatin e Kaninës në km 9+100 dhe 12+100

   – Përfundimi i shtresave asfaltike

  – Mbrojtja e skarpatave dhe shpateve nga rënia e gurëve

 – Rehabilitimi mjedisor”, shkruhet në përgjigjen e ARRSH, teksa theksohet se punimet pritet të përfundojnë në mars të 2024. 

Të njëjtin afat e gjejmë edhe në listën e investimeve publike me financim të huaj, që ka detajuar Ministria e Financave për vitet 2023-2025.

Kë gënjen ARRSH? 

Por ndryshe i është dhënë afati i përfundimit të punimeve partnerëve ndërkombëtarë. Në një përgjigje për Faktoje, Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë thotë se ARRSH i ka informuar se projekti pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

‘Informacioni i fundit që kemi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), autoriteti zbatues, është se projekti pritet të përfundojë në dhjetor 2023.’, shkruhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së teksa theksohet se fatura e punimevë të mbetura i takon qeverisë shqiptare. 

Në total, fondet e dhëna nga Bashkimi Europian për këtë projekt llogariten në vlerën e 56.16 milionë eurove, nga të cilat 20.16 milionë janë grant dhe pjesa tjetër kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH. 

Burimi: WBIF

Bashkëfinancuesit kanë kërkuar që ARRSH t’i informojë në kohë, përpara përfundimit të plotë të projektit, në mënyrë që të bëhet një inspektim përfundimtar i kantierit. / Faktoje.al

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 01/07/2023 04:09

    Kam pare nje here ne nje emision se si degradojne rruget dhe pse.Te permbledhur mund t'a them se cfare u tregua aty eshte se s'ka asfalt e punim ne bote qe te fitoje mbi forcat e natyres,s.d.q ne rastin konkret,Vlores i duhej nje si ai bashkiaku ne Kosove,a ku ishte qe i ndaloi punimet ne rruge per mungese cilesie. Per fat te keq tek ne,politikanet shfaqen vetem per inagurime fillimesh e fund punimesh.

    Përgjigju
  • Belinda: 30/06/2023 20:52

    Keshtu e kan vlonjatet pakesoi buken e shtoi drurin ,ateher te duan edhe me shum..

    Përgjigju
    • Per vlonjatin: 01/07/2023 09:33

      Rruga e Bushatit qe bene gjermanet rezistoi mjaft mire per dekada karrocave me kuaj, lopeve, bagetive ne timon si dhe shpellareve me fuoristrada.

    • Llagapi: 01/07/2023 06:53

      Kush ta ka treguar kte shprehjen moj belinda? Apo gjyshja kur ka ber zborin ne vlor

    • Vlora: 30/06/2023 21:39

      Me thuaj nje rruge qe ka dal me Standarte nga veriu ne jug qe te te jap te drejte!!!

  • Vicidolasi: 30/06/2023 20:26

    Fajin e ka saliu! Dua sufllaqe prape

    Përgjigju
  • asolingo: 30/06/2023 19:48

    Kompani qe beri punimet çfare garancie ka dhene per rrugen.Le te zbardhet e verteta.

    Përgjigju
  • Abc: 30/06/2023 19:34

    Sa per krahasim shikoni punimet qe behen ne mbrojtje te shtratit te Lumit te Bardhe tek ura e re e Orikumit dhe shikoni shtatin e braktisur te Lumit te Bardhe qe gllaberon tokat te Ura e By Pass-it. Tere tombinot te pa mbrojtura. Pune shkel e shko per tu ndjekur penalisht.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?