Report TV ka zbardhur planin e integrimit, i cili u prezantua në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Plani lidhet me 15 rekomandime, nga të cilat 7 janë të nevojshme të përmbushen deri në mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ndërsa, sipas Cakajt 8 kushtet e tjera duhet të reflektohen në kornizën negociuese që janë detyrat e Shqipërisë në gjithë procesin negociator.
Ende nuk ka një datë për mbledhjen e konferencës ndërqevritare, por sipas këtij plani 7 kushtet duhet të plotësohen brenda tremujorit të parë 2021.
Rekomandimet nisin me reformën zgjedhore, për të cilën u arrit një marrëveshjes mes palëve politike. Ky rekomandim përmban dy masa, miratimin e saj që ka afat korrikun e këtij viti dhe miratimin e ligjit të posacëm për financimin e partive politike, që ka si afat tetorin.
Më pas rekomandimet vijojnë me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese që si afat për plotësimin me 6 anëtarë ka muajin tetor të këtij viti dhe Gjykatës së Lartë që ka si afat plotësimin me 12 anëtarë 3 mujorin e parë të vitit 2021.
Rekomandimet vijojnë me ngritjen e strukturave të SPAK, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, uljen e numrit të azilkërkuesve, por edhe rishikimi i Ligjit të Medias, për të cilin pak ditë më parë Komisioni i Venecias dërgoi raportin, sipas të cilit ky ligj nuk është gati për miratim dhe qeveria duhet ta rishikojë. Në planin e veprimit thuhet se rishikimi i plotë i këtij ligji ka afat deri në tetor.
Ndërsa 8 përparësi të tjera, sipas planit pritet që të reflektohen në Kornizën e Negocimit.
Në këto kushte përfshihet ecuria e reformës në drejtësi, e cila është ende në vazhdim.
Një nga rekomandimet që pritet të reflektohet në Kornizën e Negocimit është dhe “Track Records” ose ndryshe iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
Institucionet e përfshirë në këtë rekomandim janë qeveria dhe gjyësori. Sipas planit të veprimit tashmë është krijuar Rrjeti Kundër Korrupsionit, ndërsa hapat e tjerë janë në vazhdim. Edhe reforma në administratën publike është në vazhdim.
Si një kusht tjetër është edhe zbatimi i reformës zgjedhore në zgjedhjet e para të përgjithshme pas miratimit të saj. Ndërsa vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
Një tjetër kusht që pritet të reflektohet në procesin e negocimit është miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
15 kushtet mbyllen me Miratimin e Ligjit (të amenduar) të Censusit dhe avancimin e procesit të regjistrimit të pronave, i cili tashmë ka nisur.
15 kushtet
1-Miratimi i reformës zgjedhore
2-Funksionimi i Gjykates Kushtetuese
3-Funksionimi i Gjykatës së Lartë
4-Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK
5-Forcimi I luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar
6-Ulje e numrit të azilkërkuesve
7-Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecies
8-Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
9-Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve
10-Progres në reformën e administratës publike
11-Zbatimi i reformës zgjedhore
12-Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019
13-Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare
14-Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
15-Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave
Në fjalën e tij, ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj tha se duhet konsensus për të shkuar drejt konferencës ndërqeveritare.
"Në mars të këtij viti KIE vendosi çeljen e negociatave duke iu përgjigjur pozitivisht kursit të reformave që kanë ndodhur në Shqipëri. Vendet anëtare vlerësuan progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe përmirësimin e gjendjes sa i përket të drejtave themelore. Raporti i fundit e konsideron Shqipërinë edhe shembull në rajon duke filluar nga reforma në drejtësi. Çelja e bisedimeve nuk është vetëm kurorëzim i të arriturave por edhe hapja e kapitujve. Adresimi i të gjitha këtyre çështjeve kërkon vullnet politik. Pavarësisht dallimeve, të gjitha partitë ruajnë frymën e evropiane. Është e rëndësishme të kemi konsensus dhe të vazhdojmë përpara për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare dhe pastaj të të gjithë çështjeve që do të paraqiten", u shpreh Cakaj në fjalën e tij.
( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë
Lajmi kryesor:
'Paqe me brryla'! Meta: Zgjedhoren miratojeni shpejt! Rama: Hera e fundit që bëjmë pakte në ambasada! Mund të bënte Presidenti, në Këshillin e Integrimit edhe opozita (VIDEO)
//ReportTv.al