TIRANE-Çështjet e integrimit bënë bashkë sot Presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin. Në Pallatin e Kongreseve sytë dhe veshët sot nuk ishin drejtuar për reformën zgjedhore, por për Këshillin Kombëtar të Integrimit. Ilir Meta dhe Edi Rama bënë 'paqe' duke shkrirë akujt me një buzëqeshje dhe takim jo me shtrëngim duarsh për shkak të pandemisë, por me 'luftë brrylash' sikur e cilësoi kryeministri foton, që bëri xhiron e rrjetit. Në takimin e drejtuar nga Rudina Hajdari, që është kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Presidenti Ilir Meta në fjalën e tij kërkoi që Reforma Zgjedhore të miratohet sa më shpejt në Kuvend.
Por i pyetur nëse do të tentonte të bindte deputetët e opozitës së re, Meta ia la topin Gramoz Ruçit, kur tha se 'nuk është më në krye të Kuvendit'. Takimi miqësor me kryeministrin ngacmoi gazetarët që e pyetën nëse e kishte falur për 'grushtin e shtetit', por Meta u përgjigj duke thënë se 'për hir të integrimit i përgjigjet cdo ftese'. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo që miratuan, ishte marrëveshja e fundit, që politika shqiptare bën në ambasadat e huaja, referuar negociatave të javës së kaluar në rezidencën amerikane dhe Shtëpinë e Europës. Gjithashtu ai u shpreh se në këtë tryezë të këshillit duhet të ishte edhe opozita, pasi është alternativa qeverisëse.
Edhe Taulant Balla u shpreh se do të kishte dashur që në këtë takim të rëndësishëm të ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha si një shprehje kuptimplotë se ‘kur vjen fjala për integrimin europian ne jemi të gjithë bashkë’. Ministri në detyrë Gent Cakaj shpalosi planin me 15 kushtet për integrimin, nga të cilat 7 janë të nevojshme të përmbushen deri në mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se shumë shpejt BE do të prezantojë metodologjinë e kuadrit negociues për vendin dhe se në këtë proces të gjitha palët duhet të tregojnë vullnet dhe bashkëpunim të fortë. Soreca tha se për integrimin palët duhet të shfaqin konsensusin njësoj si u shfaq për reformën zgjedhore.
Takimi mes Presidentit dhe kryeministrit Edi Rama
Ish-deputeti demokrat Genc Pollo ka reaguar për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit duke akuzuar Edi Ramën dhe vlerësuar Gramoz Ruçin. "E paimagjinueshme dhe e pakuptueshme heshtja e kryeministrit për 15 kushtet e Bashkimit Europian! Apo shumë e kuptueshme dhe lehtësisht e imagjinueshme?
Edi Rama foli sot gati gjysëm ore në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian. Foli për të gjitha por jo për kryeçeshtjen; nuk zuri me gojë 15 kushtet të cilat fillimisht Bundestagu e pastaj Këshilli Europian i vendosën qeverisë në mënyrë që Shqipëria të mundet të fillojë negociatat e antarësimit.
Dy syresh janë reforma zgjedhore dhe zbatimi korrekt i saj; dy të tjera janë anullimi i ligjeve antifjalë dhe denimi i votëblerësve. E kështu me rradhë!
Kur flitet për perspektivën europiane të Shqipërisë tek ne apo në BE flitet vetëm për përmbushjen e këtyre kushteve. Të cilat në rradhë të parë ndihmojnë restaurimin e normalitet demokratiko-kushtetues.
Një bravo për Gramoz Ruçin i cili i përmendi këto kushte duke shtuar se përgjegjës për to është qeveria" deklaroi Pollo.
Në mbledhjen e Zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, nënkryetari, Taulant Balla deklaroi se do të kishte dashur që në këtë takim të rëndësishëm të ishte dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha si një shprehje kuptimplotë se ‘kur vjen fjala për integrimin europian ne jemi të gjithë bashkë’.
Sipas Ballës, në Planin Kombëtar të Negociatave më BE-në, drafti i cili u prezantua sot duhet të kemi institucione përgjegjëse, të cilat duhet të kenë të përcaktuara drejtpërsëdrejti detyrat e tyre. Duke folur rrugën europiane të Shqipërisë, Balla tha se Samiti i Zagrebit i zhvilluar më 6 maj dëshmoi rëndësinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka për Bashkimin Europian.
“Samiti i Zagrebit i zhvilluar më 6 maj dëshmoi rëndësinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka për Bashkimin Europian. Shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të shumicës parlamentare që përfaqësoj për solidaritetin dhe mobilizimin e asaj pakete financiare prej më shumë se 3.3 miliardë euro, por dhe angazhimin për rimëkëmbjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimore Ballkanit Perëndimor, duke rikonfirmuar faktin se Shqipëria bashkë me 5 vendete tjera të Ballkanit Perëndimorë e kanë të ardhmen e tyre pjesë të familjes së madhe europiane”, deklaroi Balla.
"Do të kisha dashur që në tavolinën përballë të kishim dhe z. Basha, të cilin e kemi ftuar dhe kemi shpresuar që do ta merrte këtë hap të rëndësishëm, si një shprehje kuptimplotë se kur vjen fjala për integrimin europian ne jemi të gjithë bashkë.
Nuk do të bëj komente dhe do të ndjek këshillën e Presidentit të Republikës që kushdo që ka komente lidhur mbi planin ti paraqesi me shkrim si kontribute për këto mbledhje.
Do ti sugjeroja qeverisë që përveç këtij plani shumë të përmbledhur të kemi në një kohë të shkurtër një plan tjeter shumë më të detajuar, i cili të hartojë masa drastike në zbatim të prioriteteve, ku çdo masë të lidhet drejtpërsëdrejti me institucionin përgjegjës dhe afatet e parashikuara dhe me buxhetin përkatës.
Nga eksperienca e fituar duke studiuar vendet që kanë kaluar përmes këtij procesi mendoj që në Planin Kombëtar të Negociatave më BE, drafti i cili u prezantua sot duhet të kemi institucione përgjegjëse, të cilat duhet të kenë të përcaktuara drejtpërsëdrejti detyrat e tyre.
Afatet e parashikuara duhet të jenë të arritshme dhe realizimi i tyre rast pas rasti duhet të vendoset me indikatorë, madje Këshilli Kombëtarë i Integrimit të disponojë një mekanizëm qëtë alertojë çdo institucion që vonohet.
Për të qenë më shumë konkret, këtu raportoi z. Dvorani në emër të KED, por dua të kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë e ka përmbushur detyrën e tij lidhur me marrjen e propozimeve dhe të aplikimeve që me 15 shtator të vitit të kaluar. Sot jemi në qershor, 1 vit më pas dhe çdo lloj vonese, padyshim bie dakord me atë që tha z. Dvorani që pandemia apo problematika të tjera që lidhen me procesin e verifikimit të kandidaturave, kemi humbur kohë për të përmbushur një prej atyre që janë prioritete kryesore.
Falenderoj të gjithë pjesmarrësit, ambasadorët e vendeve anëtare të BE që ju bashkangjitën në këtë mbledhje që është një nga mbledhjet më gjithëpërfshirëse të realizuar në Këshillin Kombëtar të Integrimit, ku unë kam pasur rastin të jem bashkëkryetar i këtij këshilli që në ditën e themelimit.
Samiti i Zagrebit i zhvilluar më 6 maj dëshmoi rëndësinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka për Bashkimin Europian. Shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të shumicës parlamentare që përfaqësoj për solidaritetin dhe mobilizimin e asaj pakete financiare prej më shumë se 3.3 miliardë euro, por dhe angazhimin për rimëkëmbjen afatgjatë të Ballkanit Perëndimore Ballkanit Perëndimor, duke rikonfirmuar faktin se Shqipëria bashkë me 5 vendete tjera të Ballkanit Perëndimorë e kanë të ardhmen e tyre pjesë të familjes së madhe europiane.
Mbetem besimplotë nëse angazhimi do të vazhdojë si ky që ishte sot Shqipëria do të përparojë në hapjen e mëtejshme të kaputujve.. rikujtoj se Shqipëria nuk e kishte marë dritën jeshile për hapjen e bisedimeve për anëtarësim ndërsa puna përgatitore për procesin screening që në vitin 2018 me dy kapitujt e parë, për të përfunduar procesin shpjegues me të gjithë kapitujt negociues në fund të shkuar. Për zhvillimin e suksesshëm të procesit të negocimit, qeveria shqiptare ngriti strukturën negociuese ku javë më parë Kryeministri bëri publike emrin e kryenegociatorit me të cilin kemi pasur rastin të punojmë të gjithë me të. Z. Mazi gëzon gjithë mbështetjen e të gjithë palëve të angazhuar në këshill. Le ti urojmë punë të mbarë edhe ekipit negociues dhe ky komunikim i kryenegociatorit dhe grupit negociues me Këshillin e Integrimit si pjesë e Kuvendit të Shqipërisë duhet të vijojë në mënyrë solide" tha Balla.
Kryeministri Edi Rama në përfundim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit ka postuar në faqen e tij në rrjetet sociale foton e takimit, që bëri 'paqe' me presidentin Ilir Meta. "Luftë brrylash", kjo është diçitura që kreu i qeverisë i vendos fotos me Presidentin.
Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i propozoi dje Presidentit Ilir Meta datën 9 maj të 2021 për zgjedhjet parlamentare, por Meta iu përgjigj kështu sot "Cilësia është kryesorja e zgjedhjeve po të ishte për datën, duhet të ishte dje për mua, në kuptimin e rëndësisë, legjitimitetit të plotë të institucioneve ën vend. Mbetet ende shumë punë për të treguar përgjegjshmëri në këtë proces që po monitorohet nga të gjitha vendet" tha ai.
Takimi miqësor me kryeministrin Edi Rama tërhoqi vëmendjen e medias. Por e ka falur kryeministrin Edi Rama, që pak muaj më parë e akuzonte për grusht shteti?
"Ishim për çështjet e integrimit dhe ju e dini që për këtë çështje unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë i disponueshëm për t'iu përgjigjur cdo ftese si e sotmja dhe angazhimi, kam bërë cdo gjë që Shqipëria të të mos e humbasi kohën që ka shpërdoruar në këto dy dekada.
Para 20 viteve ishim në një korsi me Kroacinë dhe shumë përpara Malit të Zi dhe Serbisë. Sot jemi në një situatë jo shumë pozitive dhe mjaft qytetarë kanë humbur besimin te serioziteti i realizimit të standardeve dhe na duhet të rifitojmë një shpejtësi të re dhe të rikthehjmë shpresën".
Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje palëve sot që të miratojnë sa më shpejt në parlament Reformën Zgjedhore, por opozita në parlament ka kushtëzuar votën me kërkesat për hapjen e listave dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Report Tv e pyeti sot Presidentin nëse do të ndërmarrë ndonjë iniciativë për të siguruar 84 votat në Kuvend për të kaluar reformën, por kreu i shtetit u përgjigj duke thënë se "Nuk jam më kryetar i Kuvendit prej tre vitesh" duke ia kaluar topin kryetarit të Kuvendit.
Marrëveshja për Reformën Zgjedhore, Meta thotë se nuk zgjidhi gjithcka, por ishte një hap për të vijuar rrugën e dakordësimit mes palëve. "Dita e sotme në këshillin kombëtar të integrimit ishte mjaft e rëndësishme për detyrat e mëdha që duhet të përmbushim sepse metodologjia e re e zgjerimit pas propozimeve të Francës mund të sjellë edhe kthim pas të procesit dhe arritjeve.
Dua të vlerësoj dakordësimin e fundit të këshillit politik për reformën zgjedhore jo si marrëveshje që zgjidhi gjithcka, por hapi i mjaftueshëm për të vijuar të ecet në rrugën e dakordësimit për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të rivendosur legjitimitetin e institucioneve, por edhe sikur e kërkojnë edhe kushtet e BE-së që janë shumë të qarta në këtë drejtim. Cilësia e zgjedhjeve është kryesore, po të ishte për datën për mua duhet të ishte dje për legjitimitetin e institucioneve".
Kryenegociatori Zef Mazi kërkoi nga të gjitha palët e spektrit politik mbështetje për cështjen e procesit të negociatave. Nga Këshilli Kombëtar i Integrimit ai tha se këto janë negociatat më të rëndësishme për Shqipërinë në 70 vitet e fundit. "Grupi negociator është me njohuri shumë të larta. Këto do të jenë negociatat më të rëndësishme që ka bërë Shqipëria në 70 vitet e fundit.
Ta nisim dhe ta çojmë me sukses këtë besim. Kjo punë do të arrijë që të kryhet mirë, nëse do të koordinohemi mirë, të flasim në një zë, të jemi të dedikuar dhe profesionistë. Me përkrahen e të gjithë këshillit, spektrit politik dhe shoqërisë. Unë dhe grupi negociator nuk do të kursejmë njohuritë tona" tha Zef Mazi.
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka dalë kundër propozimeve të presidentit Ilir Meta për të krijuar Këshill Politik dhe për ndryshimet ligjore për reformën në drejtësi duke thënë se askush nuk do të cenojë këtë reformë apo të zhbëjë ato që janë arritur deri tani. këto deklarata të Ruçit u bënë në mbledhjen e Këshillit të integrimit, ku në të njëjtën tavolinë ndodhej dhe presidenti Ilir Meta.
"Hapja e negociatave është një fitore kombëtare. Këshilli Politik është dakordësuar për reformën zgjedhoren dhe kjo do të kontribuojë në realizimin e zgjedhjeve me standardeve ligjore. Nuk do të lejojmë që të zhbëhet apo cenohet, apo ngadalësohet reforma në drejtësi", tha Ruçi.
Në draftin me 14 pika që Presidenti i paraqiti opozitës jashtëparlamentare dhe ambasadores së SHBA, Yuri Kim, Meta kërkon ngritjen e një Këshilli Politik, që do të vendos për ndryshimet ligjore e Kushtetuese në Reformën në Drejtësi. Me Këshillin Politik njësoj si ai i ngritur për reformën zgjedhore, Presidenti Meta kërkon të njëjtën gjë edhe për Drejtësinë duke i hequr të drejtat për të vendosur parlamenti dhe gjithçka të vendoset në një tryezë politike mes partive.
Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim relativisht të gjatë në Këshillin Kombëtar të Integrimit rreth 20 minuta, ndërsa kryetarja e këshillit Rudina Hajdari i kërkoi që të konkludonte. Fillimisht kreu i qeverisë i tha se nuk e kuptoi ndërhyrjen, ndërsa më pas ironizoi duke e krahasuar me ish-kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli.
Rudina Hajdari i kërkon që të mbyllë fjalën
Edi Rama: Nuk e kuptova ndërhyrjen
Rudina Hajdari: Mbylleni fjalën sepse...
Edi Rama: Patjetër zonja Topalli! Faleminderit
Rudina Hajdari: Faleminderit zoti kryeministër
Kryeministri Edi Rama pasi mbaroi fjalën u largua nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Gazetarët i kërkuan një koment nëse ishte i kënaqur me mbledhjen, ndërsa kryeministri u përgjigj shkurt "Nuk u ktheva për koment, por m'u duket se më thirrët, më ftuat. Jashtëzakonisht i kënaqur gjithcka në rregull" tha ai.
'Kjo është hera e fundit që bëjmë marrëveshje në ambasada'. Kështu u shpreh kreu i qeverisë Edi Rama referuar negociatave të udhëhequra nga ndërkombëtarët në rezidencë amerikane dhe Shtëpinë e Europës për arritjen e paktit për Reformën Zgjedhore. Edi Rama tha se pavarësisht cështjeve të hapura me Ilir Metën, tryeza për dialog për Reformën Zgjedhore mund të bëhej në Presidencë, apo edhe te komunitetet fetare, por jo në ambasadat e huaja.
Gjithashtu, ai kërkoi që në Këshillin Kombëtar të Integrimit të ishte edhe opozita, pasi është alternativa qeverisëse. Kryeministri Edi Rama u shpreh në Këshillin Kombëtar të Integrimit se procesi i integrimit kërkon shumë energji dhe bashkëpunim mes nesh, të gjitha palëve. Objektivi është ende larg, tha Rama, por shtoi se duke parë pas ku ishim, Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara. Në fjalën e tij, ai listoi edhe njëherë disa nga arritjet e qeverisë. Megjithatë në fund, Rama tha se integrimin e kanë vetë në dorë shqiptarët.
"Është shumë rëndësishme ajo që ju sapo më kujtuat dhe ju siguroj se e kam parasysh në të gjithë vijimësinë e punës, sepse jam i bindur që pa këtë që ju kujtuat, sigurisht që shumëçka tjetër bëhet më e vështirë dhe procesi vetë bëhet më i komplikuar.
Sidoqoftë, besoj që sot mund të thuhet se jemi në një stad të ri, përderisa çka na mbledh këtu, në këtë Forum, - të diktuar edhe nga koha që kalojmë gjysmë real dhe gjysmë virtual, njësoj si edhe vetë procesi në fakt, - është kuadri negociator, plani i masave për negocimin. Që do të thotë që 11 vite pas aplikimit të bërë dhe 6 vite pas marrjes së Statusit Kandidat, jemi të gatshëm të hapim këtë faqe të re, e cila si gjithë libri shumë vëllimshëm i procesit të integrimit është një faqe me më shumë detyra, me më shumë sfida dhe patjetër kërkon edhe më shumë energji dhe më shumë bashkëpunim mes nesh.
Por një gjë besoj mund të thuhet pa asnjë ngurrim dhe me bindje, që, kur e shohim procesin me vështrim përpara, jemi ende larg objektivit të madh kombëtar të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, por kur e kthejmë kokën pas e shohim pa shumë vështirësi se jemi shumë më afër sot, sesa ishim qoftë edhe një vit më parë, e lëre më pastaj 5 apo 11 vite më parë.
Ky është një proces që ne na duhet si drita dhe si uji njeriut, për të bërë Shqipërinë një vend që është një shtet me standardet e BE-së. Nuk është një proces që e bëjmë se na e kërkon Brukseli, Berlini, Parisi apo e gjithë bota bashkë, por është një proces që e bëjmë sepse a e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e fëmijëve të fëmijëve tanë. E nuk diskutohet që në thelbin e vet, ky është një proces shtetformimi, në funksion të ngritjes së institucioneve dhe të sistemit të tërë të organizmit institucional, që i korrespondon vlerave, parimeve dhe ligjësive të BE-së.
E këtu, ne jemi sot në një fazë të ndërmjetme, në një tranzicion, le të themi, mes një vendi që aplikon 11 vite më parë me ambicien për të qenë anëtar i BE dhe një vendi anëtar të BE-së. Kemi një sërë sfidash të gjithhershme, por që përbëjnë prioritete kyçe dhe një sërë reformash që janë në proces, duke filluar nga reforma e reformave që është Reforma në Drejtësi, ku pa diskutim bëhet fjalë për një operacion kompleks, një operacion të gjatë, të vështirë dhe me komplikacionet e veta dhe ku po ashtu është e qartë që gjithçka që sot bëjmë në këtë proces përbën një hap më përpara për përfundimin e tij me sukses, me një sistem drejtësie të pavarur, me një sistem drejtësie profesional, me një sistem drejtësie që garanton barazinë e të gjithëve përpara ligjit.
Është një sfidë që do të na ndjekë deri në fund, deri ditën që do të bëhemi anëtarë të BE-së dhe nëse shohim eksperiencën e vendeve të tjera, edhe pasi të bëhemi anëtarë të BE-së, mbase kjo do të jetë në vijim një sfidë, edhe pse me metodologjinë e re, duket sikur shtetet anëtare kanë adresuar pikërisht nevojën që këto sfida të jenë sfida të fituara dhe të përfunduara përpara sesa vendet të marrin vendin e tyre në tryezën e përbashkët të familjes së vendeve anëtare të BE-së.
Nga ana tjetër, krimi dhe korrupsioni janë dy pjesë të një sfide tjetër të rëndësishme, njësoj si në Reformën në Drejtësi, edhe në këtë aspekt, rezultatet flasin. Gjithmonë duke u nisur nga ajo që thashë në fillim, nëse shohim ku e kemi objektivin e mbërritjes, jemi ende larg dhe kemi ende goxha për të bërë, por nëse shohim se nga ku jemi nisur, jemi shumë më afër sot seç ishim 1, 6 apo 11 vite më parë.
Jemi sot në situatën kur bashkë më të gjithë vendet e tjera, jo vetëm të BE-së, por edhe të të gjithë globit kaluam dhe po kalojmë një sfidë të madhe, sfida e përballjes së një pandemie, që besoj se tregoi që sidoqoftë, ne kemi sot një sistem funksional institucionesh dhe sidoqoftë, ajo që mbase 6 vite më parë, kur ishim të sapodekretuar le të themi, vend kandidat për në BE, apo 11 vite më parë kur aplikuam për të hyrë në këtë proces, do të ishte shumë më e vështirë dhe mbase e pamundur me sistemin e 6 viteve më parë, me atë të 11 vite më parë po e po, ne do ta kishim përballjen me këtë situatë të pandemisë jashtëzakonisht më të vështirë, më të ngatërruar dhe patjetër shumë më pak të suksesshme objektivisht, për shkak se institucionet tona, sot janë më të përgatitura, për shkak se sistemi ynë i përballjes në frontin e betejës së drejtpërdrejtë me sëmundjen është sot shumë më i përgatitur, për shkak se sot, ne ishim në kushtet kur mund të vinim menjëherë në funksion të qytetarëve një sistem të tërë të ndërveprimit dixhital, gjë që lehtësoi shumë procesin e gjithë autorizimeve për nevoja imediate dhe nevoja kryesore e jetike në një situatë mbylljeje.
Këtu dua të shtoj edhe elementin tjetër që nuk do ta kishim të mundur 6 apo 11 vjet më parë, që sidoqoftë nxënësve që u detyruan të mbylleshin nëpër shtëpi t’u jepnim një sistem alternativ mësimi, i cili nuk e zëvendëson 100% sistemin e të mësuarit normal, por krijoi kushtet për një mbajtje të vazhdueshme në kontakt të nxënësve përmes dixhitalizmit.
Dixhitalizmi sot është në një fazë ku një pjesë e madhe të shërbimeve, që janë edhe elementë të zinxhirit të korrupsionit, të ryshfetit dhe të barrës së madhe të padrejtësisë mbi qytetarët, kanë kaluar në një proces tërësisht automatik, transparent, pa kontakte të drejtpërdrejta. Rasti i fundit është rasti i shërbimeve hipotekore ku në të gjithë atë pjesë të vendit e është pjesa dërrmuese që ka prona të regjistruara, sot nuk ka më kontakt të drejtpërdrejtë me zyrat dhe gjithkush e merr shërbimin online, në pak minuta.
Të gjitha këto, jo për të thënë se është bërë ndonjë mrekulli, por për të thënë që jemi në kushtet kur mund të jemi të inkurajuar nga sa kemi bërë dhe sigurisht mund të jemi të bindur që, nëse i bëjmë si duhet gjërat, ne vetë e kemi në dorë me metodologjinë e re ta përshpejtojmë edhe procesin.
Këtu është vendi për të thënë që, sidoqoftë, për të gjithë ata që në një mënyrë ose në një tjetër, - edhe nën efekt influencash të ndryshme tërësore, jo thjesht influence malinje, por influenca beninje le të themi, që vijnë nga vetë vendet anëtare përmes rrjeteve sociale, përmes lajmeve, - krijuan në kohë një skepticizëm lidhur me BE-në, morën dy përgjigje të njëpasnjëshme, spektakolare, për arsyen pse anëtarësimi në Bashkimin Europian, përveçse është një rrugëtim që modernizon dhe transformon pa kthim vetë shtetin shqiptar si asnjëherë më parë në histori për shkak të mekanizmave që ofron, është dhe një hapësirë solidariteti.
Solidarit, i treguar në mënyrë shembullore nga të gjitha vendet e BE-së, nga vetë KE-ja në periudhën pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar. Solidaritet, falë të cilit, ne disponojmë të gjitha mjetet e nevojshme financiare për të kryer me sukses një proces transformues rindërtimi, proces i cili ka filluar. Vetë BE-ja është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm financiarisht, por dhe me të gjithë ekspertizën e vet për të ndërtuar drejtpërdrejtë një pjesë të rëndësishme të të gjithë zinxhirit të shkollave të rrënuara. E po ashtu, edhe plot vende anëtare, disa prej të cilave të përfaqësuara në ekran nga përfaqësuesit e tyre këtu në Tiranë, janë angazhuar. Gjë që ka shërbyer shumë, besoj, për t’iu dhënë të gjithë qytetarëve një sens real, konkret, të “pse”-së së madhe të kësaj ëndrre dhe të pak “pse” kjo ëndërr është e ndryshme dhe pa alternativë.
Sigurisht, goditja e dytë që ne morëm pas tërmetit me këtë epidemi të kthyer në një pandemi globale, BE-ja ishte përsëri aty. Ishte prezent me gjithë sekëlldinë e jashtëzakonshme që patën vendet anëtare dhe me gjithë konfuzionin e madh që u krijua edhe brenda BE-së, nuk na ktheu shpinën, por përkundrazi na ofroi solidaritet dhe na shtriu dorën e një mbështetjeje që përsëri konfirmon edhe njëherë, sa i vlefshëm është ky projekt i madh dhe se sa e patjetërsueshme është kjo ëndërr që ne e trashëgojmë si stafetë e që do e trashëgojmë tek ata që vijnë më pas, ju Zonja Hajdari dhe brezi i ri politikës.
Ne mund të bëjmë një rrotullim 360 gradë të vështrimit tonë dhe mund të gjejmë në të gjithë atë rreth të çështjeve, sfidave, problemeve, plot arsye për të thënë e bardhë, për të thënë e zezë, por askush nga ne nuk i shmanget dot një vrime të zezë, që ne e kemi për fat të keq, sot e gjithë ditën në këtë hapësirë dhe po për fat të keq, krahasuar me vendet anëtare të BE-së dhe parë eksperiencat e gjithë atyre që kanë kaluar para nesh në këtë proces, jemi realisht të pashoq në një paaftësi kronike për të dialoguar mes vedi, për t’u mirëkuptuar mes vedi, për të gjetur zgjidhje për ato çështje që rëndom janë çështje të krijuara nga sebepe të natyrës politike, që mund të jenë ose jo legjitime, mund të jenë sebepe të mëdha apo të vogla, por janë gjithnjë sebepe që nuk e konkurrojnë dot, në asnjë rast, për nga madhësia e pesha e tyre, madhësinë e peshën e qëllimit që, fatmirësisht, në Shqipëri e ndajnë gjitha partitë, gjitha forcat shoqërore. Nuk kemi në Shqipëri, - mbase jemi rast unikal, - asnjë forcë politike, asnjë forcë shoqërore relevante që të predikojë ndonjë rrugë tjetër, përveç rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian, të predikojë aleanca alternative me aleancën strategjike me SHBA-në dhe BE-në, që të predikojë teza e qasje që shkojnë në konflikt. Gjithë ky qëllim i madh, i ndarë bashkërisht, e bën të duket akoma më problematik faktin që jemi ende të paaftë që të komunikojmë shqip me njëri-tjetrin, shqip-shqip pa përkthyes.
Rasti i fundit, edhe më i freskëti, që u përshëndet edhe këtu, është flagrant. Jemi mbledhur në një ambasadë, të gjithë përfaqësuesit e forcave më të mëdha politike të vendit, mbyllur atje, me ditë e me net, për të lënë gjërat siç janë, për të marrë vesh më në fund që nuk do bëjmë atë që duhet të bënim, por do i lëmë gjërat siç janë.
Kur sheh këtë përfundim, njeriu mendon natyrshëm, po këtë nuk mund ta realizonim vetë? Pse duhet të ishte nevoja të kërkonim strehë në një ambasadë shumë mike dhe shumë të rëndësishme në këtë vend dhe pse duhej që ndërveprimi dhe komunikimi mes nesh të zhvillohej në disa gjuhë, të kalonin tekstet në disa përkthime dhe përgjigjet të jepeshin me disa bedelë?
Më vjen keq, por unë personalisht mendoj që kjo do jetë e fundit. Miqtë tanë dhe partnerët tanë të paçmueshëm nuk duhet të ndjehen më në këtë pozitë, ashtu sikundër besoj edhe vetë populli, zgjedhësit tanë nuk kanë pse të shohin nga dyert e ambasadave për arsyen se palët dhe forcat politike nuk arrijnë dot të ndajnë çfarë është e ndarë dhe çfarë është e përbashkët. Nuk është sekret që me Presidentin e Republikës, ne kemi çështje të hapura, por patjetër që mund të takoheshim dhe mund të takohemi tek Presidenti i Republikës, mund të takohemi tek kryetari i Kuvendit, mund të takohemi tek kryemyftiu i Tiranës, tek Baba Mondi, tek kreu i komunitetit katolik, mund të shkojmë dhe tek protestantët, për të gjetur një fushë ku nga pikëpamja religjioze nuk ka anësi, por ne nuk mundet më të bëjmë dialog dhe marrëveshje nëpër ambasada. Kjo duhet të jetë e fundit dhe përsa më takon mua personalisht, kjo do të jetë e fundit.
Unë dua që të gjithë shqiptarët dhe gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë ta dinë se për çështje që ne na takojnë t’i zgjidhim vetë, nëse vërtetë jemi seriozë dhe nëse vërtetë jemi të sinqertë që duam ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së, ne nuk mund të bëjmë më sikur s’jemi të njëjtët, kur vjen puna për t’i zgjidhur çështjet bashkërisht. Nëse ky quhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, është vërtetë pozitive që këtu janë gjithë krerët e institucioneve, por këtu duhet të ishte patjetër edhe opozita. Opozita e sotme është alternativë e sotme dhe qeveria e nesërme, ashtu sikundër me radhë, sepse, siç e kemi parë e jo më kot e thashë në fillim, 11 vjet përpara është bërë aplikimi, ka qenë një qeveri tjetër, 6 vjet përpara kemi marrë statusin, ka qenë qeveri tjetër, sot kemi kuadrin negociator, është një qeveri tjetër. Nesër kur të vijë dita për të hyrë në BE, sigurisht që do jetë një qeveri tjetër, cilido qoftë dhe cilado qoftë forca politike.
Në fund të ditës, BE-ja nuk është një institucion i konsensusit në sensin që të gjithë anëtarët BE-së bien dakord me të gjitha, por ajo që BE-në e bën një familje me nivel të lartë demokracie, me nivel të lartë standardesh, me nivel të lartë cilësie bashkëjetese mes njerëzve dhe mes forcave politike dhe që karakterizon gjitha ato vende që kemi në ekran përmes ambasadorëve, është jo sesa shumë bien dakord me njëri-tjetrin, por sesi administrojmë mosdakordësinë. Mosdakordësia e administruar me dialog, me komunikim, me qytetari, me mirëkuptim është një gjë dhe mosdakordësia e administruar me shkulje flokësh, me baltë, me jargë dhe me zjarr është një gjë tjetër. Të dyja mund të quhen shprehje lirie dhe demokracie, por kjo është arsyeja e dallimit mes të dyjave" tha Rama.
Report TV ka zbardhur planin e integrimit, i cili u prezantua në Këshillin Kombëtar të Integrimit. Plani lidhet me 15 rekomandime, nga të cilat 7 janë të nevojshme të përmbushen deri në mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ndërsa, sipas Cakajt 8 kushtet e tjera duhet të reflektohen në kornizën negociuese që janë detyrat e Shqipërisë në gjithë procesin negociator.
Ende nuk ka një datë për mbledhjen e konferencës ndërqevritare, por sipas këtij plani 7 kushtet duhet të plotësohen brenda tremujorit të parë 2021.
Rekomandimet nisin me reformën zgjedhore, për të cilën u arrit një marrëveshjes mes palëve politike. Ky rekomandim përmban dy masa, miratimin e saj që ka afat korrikun e këtij viti dhe miratimin e ligjit të posacëm për financimin e partive politike, që ka si afat tetorin.
Më pas rekomandimet vijojnë me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese që si afat për plotësimin me 6 anëtarë ka muajin tetor të këtij viti dhe Gjykatës së Lartë që ka si afat plotësimin me 12 anëtarë 3 mujorin e parë të vitit 2021.
Rekomandimet vijojnë me ngritjen e strukturave të SPAK, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, uljen e numrit të azilkërkuesve, por edhe rishikimi i Ligjit të Medias, për të cilin pak ditë më parë Komisioni i Venecias dërgoi raportin, sipas të cilit ky ligj nuk është gati për miratim dhe qeveria duhet ta rishikojë. Në planin e veprimit thuhet se rishikimi i plotë i këtij ligji ka afat deri në tetor.
Ndërsa 8 përparësi të tjera, sipas planit pritet që të reflektohen në Kornizën e Negocimit.
Në këto kushte përfshihet ecuria e reformës në drejtësi, e cila është ende në vazhdim.
Një nga rekomandimet që pritet të reflektohet në Kornizën e Negocimit është dhe “Track Records” ose ndryshe iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
Institucionet e përfshirë në këtë rekomandim janë qeveria dhe gjyësori. Sipas planit të veprimit tashmë është krijuar Rrjeti Kundër Korrupsionit, ndërsa hapat e tjerë janë në vazhdim. Edhe reforma në administratën publike është në vazhdim.
Si një kusht tjetër është edhe zbatimi i reformës zgjedhore në zgjedhjet e para të përgjithshme pas miratimit të saj. Ndërsa vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
Një tjetër kusht që pritet të reflektohet në procesin e negocimit është miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
15 kushtet mbyllen me Miratimin e Ligjit (të amenduar) të Censusit dhe avancimin e procesit të regjistrimit të pronave, i cili tashmë ka nisur.
15 kushtet
1-Miratimi i reformës zgjedhore
2-Funksionimi i Gjykates Kushtetuese
3-Funksionimi i Gjykatës së Lartë
4-Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK
5-Forcimi I luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar
6-Ulje e numrit të azilkërkuesve
7-Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecies
8-Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
9-Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve
10-Progres në reformën e administratës publike
11-Zbatimi i reformës zgjedhore
12-Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019
13-Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare
14-Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
15-Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave
Në fjalën e tij, ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj tha se duhet konsensus për të shkuar drejt konferencës ndërqeveritare.
"Në mars të këtij viti KIE vendosi çeljen e negociatave duke iu përgjigjur pozitivisht kursit të reformave që kanë ndodhur në Shqipëri. Vendet anëtare vlerësuan progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe përmirësimin e gjendjes sa i përket të drejtave themelore. Raporti i fundit e konsideron Shqipërinë edhe shembull në rajon duke filluar nga reforma në drejtësi. Çelja e bisedimeve nuk është vetëm kurorëzim i të arriturave por edhe hapja e kapitujve. Adresimi i të gjitha këtyre çështjeve kërkon vullnet politik. Pavarësisht dallimeve, të gjitha partitë ruajnë frymën e evropiane. Është e rëndësishme të kemi konsensus dhe të vazhdojmë përpara për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare dhe pastaj të të gjithë çështjeve që do të paraqiten", u shpreh Cakaj në fjalën e tij.
Presidenti Ilir Meta vlerësoi marrëveshjen për Reformën Zgjedhore duke kërkuar që të finalizohet me miratimin në Kuvend dhe zbatimin e saj që sipas tij është sfida e vërtetë. Kreu i shtetit kërkon që të adresohen edhe kushtet e tjera dhe palët të dialogojnë dhe jo të minojnë procesin.
"Në këtë mbledhje të parë që zhvillon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian pas vendimit të Këshillit Europian të 25 marsit, u përcjell vlerësimet maksimale Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE, për përpjekjet e tyretë palodhura në favor të vendimit të shumëpritur politik,të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Komisioni Europian dhe vendet anëtare meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë pasi edhe pse në gjendje të pa precedentëtë krijuar për shkak të pandemisë, e ruajtën angazhimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë, sikundër patën premtuar.
Vendimin e 25 marsit dhe konkluzionet e Samitit virtual të Zagrebit, do të duhet t’i lexojmë me kthjelltësinë dhe pjekurinë e duhur, dhe besoj se edhe ky takim i shërben këtij qëllimi.
Ecja përpara në rrugën europiane kërkon së pari dhe mbi të gjitha një sjellje europiane, ku duhet të mbizotërojë dialogu, bashkëpunimi gjithëpërfshirës, dhe ndërtimi i urave të mirëbesimit ndërmjet institucioneve dhe me qytetarët.
Kjo bindje më ka udhëhequr në të gjithë veprimtarinë time si President i Republikës, me thirrjet dhe iniciativat për përgjegjshmëri, bashkëpunim, dhe përqendrim në agjendën e integrimit europian, si përparësi e të gjitha përparësive.
Zbatimi i vërtetë i kushteve,që kanë ardhur në rritje, dhe i detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit,duhen marrë më seriozisht.
Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë.
Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme.
Kjo do të ishte fatale për ne, veçanërisht duke kujtuar që në nisje të këtij procesi ishim në një korsi me Kroacinë, sot vend anëtar i BE, dhe shumë më përpara Malit të Zi.
Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve.
Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh.
Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Çmoj kontributin konstruktiv që luajti në këtë proces veçanërisht Komisioneri Varhelyi, Bundestagu gjerman, partnerë të tjerë europianë, si dhe SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Mirëpres qëkjo dakordësi të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme të reformës zgjedhore dhe tëfinalizohet me miratimin e shpejtë në Parlament.
Padyshim sfida e vërtetë do të jetë zbatimi besnik i Kodit të ri Zgjedhor, dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet qëmbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve.
Inkurajoj gjithashtu që në plan-veprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të zbërthehen një për një të gjitha kushte te vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë e të matshëm të veprimit dhe kostot financiare për çdo zë.
Konsolidimi e më tej zbatimi i këtij plan-veprimi duhet të vërtetojë se Shqipëria jep rezultate!
Nga ana ime, si President i Republikës, do të vazhdoj përpjekjet e mia të pandërprera në dobitë përparimit të qëndrueshëm dhe të besueshëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si një qëllim mbarëkombëtar i të gjithë qytetarëve shqiptarë" tha Meta.
Ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se shumë shpejt BE do të prezantojë metodologjinë e kuadrit negociues për vendin dhe se në këtë proces të gjitha palët duhet të tregojnë vullnet dhe bashkëpunim të fortë. Soreca tha se edhe për hapat e tretë që i duhet vendit për të bërë për integrimin duhet të shfaqin konsensusin mes palëve njësoj si u shfaq për reformën zgjedhore.
"Qeveria ka përgjegjësinë kryesore për të udhëhequr ndryshimet e kërkuara, në fakt duhet një përpjekje e gjithë shoqërisë dhe një bashkëpunim i të gjithë palëve drejt një objektivi të përbashkët. 25 marsi 2020 ishte një datë historike për Shqipërinë dhe ju përgëzoj të gjitha palët që jeni bërë së bashku për reformën zgjedhore duke treguar frymën e konsensusit. BE do të prezantojë së shpejti kuadrin negociues për vendin dhe do të përcaktojë rregullat e reja të lojës për anëtarësimin në BE. Gjithçka është në duart tuaja, BE i ka kërkuar qeverisë të ndërmarrë të gjitha hapat që e sjellin më afër BE. Plani i veprimit që prezantohet sot trajton kushtet dhe është mirë që puna të vijojë në mënyrë paralele për të gjithë këta elementë dhe ta mbështesim Shqipërinë . Negociatat kërkojnë vullnet dhe 70 % e gjithë legjislacionit të BE duhet të vihet në zbatim të bashkive prandaj duhet një angazhim të plotë dhe konsultim me shoqërinë civile. Integrimi në BE nuk është më thjeshtë vetëm aspiratë dhe shtetet anëtare do të jenë shumë në pranë në këto proces pas prezantimit të metodologjisë", tha Soreca.
Presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama i ka bërë bashkë sot Këshilli Kombëtar i Integrimit që u mblodh paradite te Pallati i Kongreseve. Në fillim të mbledhjes së këshillit, kreu i shtetit dhe kreu i qeverisë kanë harruar inatet e vjetra duke u takuar të buzëqeshur, por jo si herët e tjera, por në kushtet e pandemisë pa shtrëngim duarsh. Takimi ka 'surprizuar' edhe kryetarin e Kuvendit që si rrallëherë ka buzëqeshur.
Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të shkojë në këmbë nga zyra e tij në Presidencë drejt Pallatit të Kongreseve ku zhvillohet mbledhja e Këshillit të Integrimit. Të pranishëm në mbledhje është kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Rudina Hajdari, e cila drejton dhe mbledhjen.
Z.Rama tani qe e sigurove mandatin e trete,sistemin nuk e ndryshove,listat nuk I hape e Meten e Bashen I qetesove ,sigurisht qe ambasadoret nuk ua ke me nevojen ,por kujdes asnje nga ju ,pozite,opozite nuk I keni duart aq te regjura sa ti nxirrni vete geshtenjat nga zjarri pa <<MASHE>>.
PërgjigjuKy Balla sikur e ka zene COVIT 19 VIRUSI vdekjeprures
PërgjigjuSoreca thote per integrimin behuni bashke sic u bete per zgjedhoren. E kuptoj qe eshte mesazh diplomatik, por te gjithe e dime qe keta plehra behen bashke vetem per vjedhje, se kur eshte puna per reforma apo integrim, duhet t’i kapni per veshi ashtu sic bete javet e kaluara.
PërgjigjuBukuri e rradhe ,,te shikoshe Floririn Pa Bllok ne dore ,por me berrylat 1 meter i gjate eshte i tere.
PërgjigjuNuk duhet ta votoje per disa arsye . Reforma zgjedhore lduhet te pararende reformen ne drejtesi. Opzita parlamentare duhet te kerkoj zgjedhje me lista te hapura qe te vazhdoje procesi integrimit dhe me tej.
PërgjigjuFix si ja keni njëri tjetrit me bërryla keni dal dhe në foto.. Mut mutër jeni!!
PërgjigjuFlet Ilir Meta per integrimin e vendit,o zot sa gje e peshtire qe nuk ka lene gje pa bere kunder integrimit,nuk ka lene vend te Europes pa share e nxire Shqiperine,ky bastard meriton vetem percmim e denim.
Përgjigju