Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi parashtroi sot (6 maj) të gjitha problematikat e hasura deri tani me procesin e shpërndarjes së zarfeve me votat e diasporës, shqetësimet dhe hapat e ndjekura, sidomos çështjes së Greqisë, që mbetet edhe problematika kryesore.
Kreu i KQZ pranoi gjatë konferencës me gazetarët se 21 mijë zarfe ende nuk kanë shkuar në adresën e zgjedhësve nga kompania postare, ku nga këto 11 mijë adresa nuk janë gjetur nga kompania postare, sepse kjo adresë nuk ka qenë e saktë, kurse në 10 mijë raste të tjera janë njoftuar emigrantët nga kompania, por votuesi ende nuk ka shkuar.
“21 mijë zarfe kompania nuk i ka shpërndarë akoma. 11 mijë janë për shkak të problematikave për saktësi adrese, e-mail-i kontakti apo numër telefoni, pra nuk janë mundur të gjenden zgjedhësit dhe janë në zyrat e tyre. E kemi këtë informacion, ndaj i kemi bërë thirrje para disa ditësh këtyre votuesve që të shkonin te shërbimi DHL i vendit përkatës dhe të interesoheshin. Pjesa tjetër janë që DHL i ka telefonuar apo njoftuar dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar. Kompania pret që vetë zgjedhësit të shkojnë vetë”.
Ai pranoi problematikën e Greqisë, ku ka pasur edhe shumë ankesa nga partitë, teksa sugjeroi që zgjedhësit shqiptarë të shkonin vetë pranë zyrave të DHL-së dhe të interesoheshin për zarfin dhe ta dërgonin atë. Nga Greqia vetëm 23 640 zarfe kanë mbërritur në Tiranë, nga 68 380 të dërguara në total në këtë shtet.
“224 mijë zgjedhës që e kanë marrë fletën e votimit. 144 mijë që e kanë dorëzuar fletën e votimit në KQZ. Mbi 21 mijë zarfe ende nuk janë shpërndarë për arsye të ndryshme dhe presim që të realizohet nga kompania sipas afateve”, tha Celibashi.
Celibashi informoi se nga mbi 240 mijë zarfa ishin shpërndarë mbi 220 mijë dhe ishin kthyer mbi 144 mijë zarfe. 80 mijë persona e kanë marrë zarfin, por nuk e kanë kthyer, ose kompania ende nuk e ka dorëzuar, pasi e ka në proces grumbullimi.
Por a ka pasur ankesa dhe shqetësime dhe çfarë po ndodh me problematikën e lindur në Greqi?
“Ka pasur shqetësime nga të gjitha partitë politike për shpërndarjen e votës së diasporës, kryesisht në Greqi. Ua kemi bërë të ditur edhe partive, pasi ka vetëm një mënyrë se si angazhohet KQZ-ja në këto problematika. Ligji për marrëdhëniet kontraktuale me shërbimin postar, ne njohim shërbimin që është kontraktuar. Pra marrja dhe dorëzimi i materialeve. Deri tani janë 15 raportime në KQZ, nga këto janë 90 ankesa ku zarfi nuk është lënë në banesë apo kusti postare, ku votuesi e ka thirrur operatorin e DHL dhe ata nuk kanë shkuar. Janë 9 zgjedhës kanë ankuar se nuk e kanë marrë fletën e votimit. 4 kanë paraqitur shqetësim se nuk kanë marrë mesazh nga DHL as në telefon as me postë elektronike. Përtej kësaj ne kemi adresuar çdo shqetësim, kemi komunikuar në kohë reale me kompaninë postare, diku kanë rezultuar të vërteta, diku spekulative.
Ai shpjegoi edhe problematikën e mosmbërritjes së zarfeve gjatë dy ditëve të fundit, teksa shtoi se pritet një dërgesë pasditen e sotme.
“Nuk u nis avioni për pak zarfe, por pritet të grupohen, sepse ka edhe vende të largëta dhe do dërgohen, sot në drekë e marrim informacionin, ndoshta nga ora 14:00. Kur vjen materiali përpunohet, ditën e sotme psh., dhe nesër shpërndahet ky informacion për fletët apo zarfet e përpunuar”, shpjegoi ai.
Në lidhje me problematikat e shkaktuara nga procesi dhe pagesën ndaj kompanisë private, ai tha se në fund do të evidentohet nëse shërbimi është kryer sipas kontratës dhe pagesa do bëhet mbi bazën e po këtij shërbimi.
“Ne kemi një marrëdhënie kontraktuale me shërbimin postar, qofshin edhe dy apo më shumë palë. Do vlerësohet në përfundim të procesit dhe afatit të kësaj kontrate. Kur të përfundojë do ulemi dhe do vlerësojmë sa e ka përmbushur shërbimin dhe në bazë të kësaj ne do veprojmë sipas përmbushjes së këtij shërbimi në kontratën e firmosur apo si ka përmbushur detyrimet e marra përsipër. Është shumë herët për të dhënë konkluzionet përfundimtare se si është kryer shërbimi. Por duhet thënë se ne kemi shënuar çdo gjë për pjesën tonë”, shpjegoi kreu i KQZ.
Celibashi e pranoi, por theksoi se edhe pse jo perfekt, procesi ka ecur shumë mirë si për herë të parë, duke vërejtur se në vende më të përparuar dhe me traditë si Gjermania, pati edhe problematikë të humbjes së 40 mijë zarfave, apo Austria ku zarfet nuk ngjiteshin dhe ishin të hapura. Por theksoi se “procesi dhe integriteti i tij nuk mund të viheshin në diskutim apo dyshim”.
“Nuk mund të vihet në dyshim integriteti i votimit nga jashtë. Një proces që nuk është realizuar në mënyrë perfekte e jo për faj të KQZ, si për herë të parë, por është realizuar shumë mirë. Por në mënyrë absolute ky proces nuk mund të vihet në diskutim. Po lexoja edhe për Gjermaninë, megjithë respektin e standardit gjerman, atje diskutohej humbja e 40 mijë votave. Ose në Austri ku pati problematika me zarfet, që ishin të hapur. Por e respektojmë opinionin në lidhje me këtë çështje, sepse është dhënë kontribut nga KQZ, partitë dhe organizatat, sepse meriton të vlerësohet i arrirë. Nuk e ka bërë askush këtë që kemi bërë ne, që nga përgatitja e zarfeve, fletës, palosja, dërgimi, interesimi dhe mënyra se si u realizua apo po realizohet ky proces. Dhe nëse dikush duhet të japi llogari administrative apo penale, ne s’kemi asnjë lloj dyshimi, gjykimi apo pengese”, shpjegoi Celibashi.
Celibashi dha edhe orientime se si të vepronin votuesit që nuk e kishin marrë ende zarfin nga kompania postare për shkaqe të ndryshme. Ai tha se ka kohë deri më 8 maj që ata të shkojnë dhe ta tërheqin zarfin me anë të kartës së identitetit, që ishte e nevojshme.
Kreu i KQZ nënvizoi se edhe numri i kallëzimeve deri tani ka kaluar 130, ku shumica janë të regjistruara nga SPAK, të depozituara nga parti politike, qytetarë, Policia apo institucione e organizma të tjerë. 8 nga këto kallëzime janë regjistruar nga vetë SPAK.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi theksoi se deri tani ka marrë 156 ankesa në KQZ për procesin e shpërndarjes së zarfave të votave për diasporën shqiptare. Ankesat ishin kryesisht nga subjektet politike zgjedhore të 11 majit, por kishte edhe nga vetë emigrantët.
Ai nënvizoi se disa prej shqetësimeve ishin edhe spekulative, jo të sakta, teksa sqaroi se ishin adresuar për zgjidhje të gjitha.
Celibashi pohoi problematikën e procesit në Greqi, ku mijëra zarfe nuk janë dërguar ende apo shpërndarë tek votuesit.
Ai tha se janë 11 mijë zarfe ku kompania nuk gjen dot adresën pasi është dhënë gabim dhe 10 mijë të tjera ku është njoftuar zgjedhësi dhe nuk e ka tërhequr.
Por si veprohet për ta zgjidhur problematikën? Kryesorja mbetet interesimi i vetë votuesit te kompania postare DHL dhe tërheqja e zarfit me kartë identiteti.
“Zarfi i votës nga emigrantët te kompania postare tërhiqet vetëm me kartë identiteti. Por ka edhe raste spekulimesh, ku ka ankesa se ka shkuar për të marrë zarfin dhe nuk ia kishin dhënë, teksa kur ka figuruar i paregjistruar, nxjerrin justifikime të tjera. Ne duhet të presim deri ditën e fundit, nuk mund të spekulojmë e të flasim para kohe. Nuk mund të flasim pa pasur prova konkrete dhe të bazuara”, tha Celibashi.
Më tej ai shpjegoi edhe denoncimet apo kallëzimet e depozituara deri tani te Task-Forca e ngritur mes SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
“Deri tani ka 130 kallëzime apo denoncime në konsiderim, të depozituara kryesisht nga parti politike, qytetarë, Policia dhe përfaqësues të tjerë, nën dyshimet për krim elektoral të mundshëm dhe që po hetohen apo verifikohen. Ka 130 procedime të regjistruara në SPAK, nga të cilat 8 janë regjistruar nga vetë SPAK”, tha Celibashi mes të tjerash.
Komente
