Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u zhvillua ceremonia e daljes në pension të Kryekomisar Janaq Zarka, një prej figurave më të respektuara dhe me kontribute të çmuara në strukturat e Policisë së Shtetit.
Pas 41 viteve shërbim, me një karrierë që ka përfshirë sektorë të rëndësishëm si Policia Shkencore, Hetimi i Krimit dhe për shumë vite Sektori i Qarkullimit Rrugor, Kryekomisar Zarka përmbylli me dinjitet një rrugëtim të gjatë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar profesionalizmi, ndershmërie dhe përkushtimi.
Për këtë kontribut, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda i dorëzoi Certifikatën e Karrierës, si vlerësim simbolik për dekada shërbimi shembullor.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtor Proda u shpreh se Kryekomisar Janaqi nuk ka ndërtuar vetëm një karrierë, por një trashëgimi vlerash që do të kujtohet
“41 vite shërbim janë një jetë e tërë e dhënë me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Prania e kaq shumë kolegëve, familjarëve dhe miqve sot në këtë sallë është dëshmi se Kryekomisar Janaqi nuk ka ndërtuar vetëm një karrierë, por një trashëgimi vlerash që do të kujtohet. Jam i sigurt se ai do të ishte gati të shërbente edhe 41 vite të tjera, por ky është cikli i jetës. Rëndësi ka që ta përmbyllësh me nder, ashtu siç po bën ti sot. Si Drejtor i Përgjithshëm, e konsideroj një nder të veçantë t’i dorëzoj këtë certifikatë, e cila është vetëm një pikë uji në detin e kontributeve që ke dhënë për Policinë e Shtetit”, tha Proda.
Ndërsa Drejtori i DVP Vlorë, Drejtues Elidon Çela, në fjalën e tij tha Zarka është një nga figurat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Policinë e Vlorës.
“Kryekomisar Janaq Zarka është një nga figurat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Policinë e Vlorës. I qetë, profesionist dhe i përkushtuar, ai ka qenë për shumë prej nesh një shembull në çdo aspekt, në sjellje, në mënyrën si e ka trajtuar detyrën, por mbi të gjitha në dinjitetin me të cilin e ka përfaqësuar uniformën blu”, nënvizoi Elidon Çela.
Në përshëndetjen e tij, Kryekomisar Zarka falënderoi drejtuesit dhe kolegët për vlerësimin.
“Policia ka qenë jo vetëm vendi im i punës, por edhe familja ime e dytë. Jam krenar për gjithçka kam dhënë, dhe më shumë për atë që kam mësuar gjatë këtij rrugëtimi”, tha Kryekomisar Zarka.
Policia e Shtetit i uron shëndet dhe mbarësi në këtë kapitull të ri të jetës dhe e falënderon për shembullin dhe kontributin e vyer që lë pas.
Komente
