“Hawala” është një sistem ilegal i transferimit të parave, që në ditët e sotme zakonisht përdoret nga persona të inkriminuar për të mos lënë gjurmën në dërgesat e shumave financiare me origjinë të dyshimtë.
Rasti vjen në vëmendje pas hetimit të SPAK, që sot arrestoi 3 persona për pastrimin e parave të drogës nga Zvicra në Shqipëri. Rezulton se këta 3 persona, kanë dërguar në vendin tonë miliona Euro të drogës përmes sistemit “Hawala”.
Por çfarë është ky sistem? Hawala është një metodë informale e transferimit të parave. Ky sistem konsiderohet si një “transferim parash pa lëvizje parash” dhe në thelb funksionon mbi bazën e besimit të ndërsjellë mes palëve të përfshira.
Ky mekanizëm, i cili ka origjinën në Azinë Jugore, përdoret edhe sot në mbarë botën, sidomos në komunitetet islame, si një alternativë ndaj sistemit tradicional bankar.
Në vend të transfertave bankare ndërkombëtare, paratë dërgohen përmes një rrjeti të veçantë të quajtur "hawaladars" apo tregtarë të hawala-s.
Këta tregtarë nuk përdorin dokumentacion formal, gjithçka bazohet në një sistem të paligjshëm, por i mirëorganizuar i regjistrimit të transaksioneve, ku çdo kredi apo debit shënohet në mënyrë të përmbledhur dhe diskrete. Borxhet mund të shlyhen përmes parave, pronave apo edhe shërbimeve.
Ata që nuk respektojnë marrëveshjet e nënkuptuara konsiderohen si të pabesë dhe përjashtohen nga rrjeti, një dënim që vlen më shumë se çdo ndëshkim ligjor për ta.
Për shumë emigrantë që dërgojnë para në vendet e tyre të origjinës, hawala është shpesh alternativa më praktike. Në vende ku sistemi bankar është i kushtueshëm ose i paarritshëm, hawala ndihmon në qarkullimin e fondeve me shpejtësi, kosto të ulët dhe pa burokraci. Madje, në disa raste, tregtarët nuk aplikojnë tarifa për emigrantët, për t’i nxitur të përdorin këtë kanal joformal.
Ky sistem është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që nuk kanë dokumente identifikimi apo akses në një llogari bankare. Për ta, është e vetmja mënyrë për të dërguar para jashtë vendit.
Lajmi kryesor:
Transferuan miliona Euro të drogës në Shqipëri, 3 të arrestuar. SPAK: Paratë u dërguan nga Zvicra përmes sistemit “Hawala”
V.GJ /ReportTv.al
