Nga vitit 2020 e në vazhdim drejt Shqipërisë janë nisur me miliona euro para droge, në qindra raste të veçanta, përmes sistemit të transferimit të parave të njohur si ‘Hawala’.
SPAK thotë se e ka shkatërruar grupin kriminal, me qendër në Shqipëri e Zvicër.
Dhjetëra anëtarë të grupit kriminal, 3 prej të cilëve e drejtonin nga Tirana, kishin ngritur një strukturë të tërë për “ Hawala”, një metodë e transferimit të parave pa lëvizur në të vërtetë të holla fizike, por një person i dorëzon një shumë një agjenti lokal (i quajtur hawaladar), i cili më pas e njofton një koleg në një vend tjetër për të dhënë të njëjtën shumë marrësit. Gjithçka bëhet për të mos lënë asnjë gjurmë.
Prokuroria e Posaçme thotë në një njoftim se ende nuk e ka një shumë të mirëllogaritur se sa është transferuar, por po vijon të hetojë në këtë drejtim. Hetimet janë kryer në bashkëpunim edhe me autoritetet zvicerane, ndërsa në Shqipëri, SPAK ka vënë në akuzë 3 persona me iniciale E.F., B.F. dhe P.K, për trafik droge, pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal. Dy prej tyre janë arrestuar të shtunën në Shqipëri, ndërsa E.F., që është edhe bosi i grupit kriminal, është në arrest në Zvicër.
Anëtarët e tjerë të grupit, me banim në Luzern të Zvicrës, funksiononin si pritësit e parë të parave, që vinin nga trafiku i drogës në vende të ndryshme të Evropës. Trafikantët dorëzonin aty paratë, duke i informuar për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
Bashkëpunëtorët në Luzern menjëherë njoftonin anëtarët e grupit në Tiranë, kreun E.F., për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë.
Më pas, ky i fundit në bashkëpunim me dy të arrestuarit e tjerë dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishte depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër.
Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qenë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, regjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.
Për të realizuar skemën në mënyrë sa më të mirë në Tiranë dhe në Zvicër janë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike. Grupi merrte nga trafikantët e drogës 6% të shumës së parave që transferohej.
Megjithatë ky aktivitet kriminal duket që nuk u mjaftonte pasi të tre të arrestuarit merreshin edhe vetë me trafikun e drogës në disa Kantone në Zvicër, duke furnizuar dhe përdorur persona të tjerë si shpërndarës të lëndëve narkotike në sasi më të vogla.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.
Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.
Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.
Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qënë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, rregjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.
Hetimet kanë treguar se ky sistem i transferimit të parave është përdorur nga dhjetra persona, se depozitimet e shumave monetare në Zvicër janë kryer në qindra raste dhe se shumat monetare të transferuar janë në miliona euro. Vijojnë veprimet hetimore për llogaritjen e vlerës së plotë të shumave monetare që janë transferuar.
Për të realizuar këtë veprimtari kriminale, personat nën hetim në Shqipëri dhe bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, kanë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike, për të fshehur qëllimin e vërtetë të veprimtarisë së tyre, pasi në të vërtetë këto aktivitete janë përdorur për të depozituar sasitë e parave në Zvicër dhe për të dorëzuar dhe për të shpërndarë sasitë e parave në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes personit nën hetim E.F dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.
Krahas veprimtarisë kriminale të mësipërme, personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K kanë realizuar edhe aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike në disa Kantone në Zvicër, duke përdorur persona të tjerë si shpërndarës të lëndëve narkotike në sasi më të vogla, si dhe duke siguruar furnizimin e tyre me lëndë narkotike.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.68 datë 14.07.2025 ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim E.F, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (1) dhe 334/1 të Kodit Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim B.F, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.
3. Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim P.K, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 287/1 shkronjat (a), (b) dhe (ç), 333/a, paragrafi (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit në datën 19.07.2025 ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim P.K dhe B.F. Ndërsa personi nën hetim E.F aktualisht ndodhet i arrestuar në Zvicër.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ndërsa vijojnë hetimet për fakte te tjera penale apo për persona të tjerë, të përfshirl në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.
“Hawala” është një sistem ilegal i transferimit të parave, që në ditët e sotme zakonisht përdoret nga persona të inkriminuar për të mos lënë gjurmën në dërgesat e shumave financiare me origjinë të dyshimtë.
Rasti vjen në vëmendje pas hetimit të SPAK, që sot arrestoi 3 persona për pastrimin e parave të drogës nga Zvicra në Shqipëri. Rezulton se këta 3 persona, kanë dërguar në vendin tonë miliona Euro të drogës përmes sistemit “Hawala”.
Por çfarë është ky sistem? Hawala është një metodë informale e transferimit të parave. Ky sistem konsiderohet si një “transferim parash pa lëvizje parash” dhe në thelb funksionon mbi bazën e besimit të ndërsjellë mes palëve të përfshira.
Ky mekanizëm, i cili ka origjinën në Azinë Jugore, përdoret edhe sot në mbarë botën, sidomos në komunitetet islame, si një alternativë ndaj sistemit tradicional bankar.
Në vend të transfertave bankare ndërkombëtare, paratë dërgohen përmes një rrjeti të veçantë të quajtur "hawaladars" apo tregtarë të hawala-s.
Këta tregtarë nuk përdorin dokumentacion formal, gjithçka bazohet në një sistem të paligjshëm, por i mirëorganizuar i regjistrimit të transaksioneve, ku çdo kredi apo debit shënohet në mënyrë të përmbledhur dhe diskrete. Borxhet mund të shlyhen përmes parave, pronave apo edhe shërbimeve.
Ata që nuk respektojnë marrëveshjet e nënkuptuara konsiderohen si të pabesë dhe përjashtohen nga rrjeti, një dënim që vlen më shumë se çdo ndëshkim ligjor për ta.
Për shumë emigrantë që dërgojnë para në vendet e tyre të origjinës, hawala është shpesh alternativa më praktike. Në vende ku sistemi bankar është i kushtueshëm ose i paarritshëm, hawala ndihmon në qarkullimin e fondeve me shpejtësi, kosto të ulët dhe pa burokraci. Madje, në disa raste, tregtarët nuk aplikojnë tarifa për emigrantët, për t’i nxitur të përdorin këtë kanal joformal.
Ky sistem është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që nuk kanë dokumente identifikimi apo akses në një llogari bankare. Për ta, është e vetmja mënyrë për të dërguar para jashtë vendit.
Komente
