Impianti bërthamor i Fordow-t në Iran

Bota

Çfarë është impianti bërthamor i Fordow-s në Iran, i goditur nga Shtetet e Bashkuara, dhe pse është kaq i rëndësishëm

22 Qershor, 07:38| Përditesimi: 22 Qershor, 08:07

  • Share

Rreth orës 2 të mëngjesit, me orën shqiptare, të dielën më 22 qershor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin bombarduar Iranin, duke goditur tre objekte të programit bërthamor të Ajatollahëve.

Pika kyçe e këtij programi është e mbrojtur nga ajo që quhet “mali i shenjtë” – impianti bërthamor i Fordow-t. Është brenda këtij bunkeri gjigand që regjimi i Teheranit ka vendosur një pjesë të centrifugave të nevojshme për pasurimin e uraniumit.

Një objektiv i vështirë edhe për aviacionin izraelit, i cili deri në ndërhyrjen amerikane kishte arritur vetëm të “gërvishtte” pjesën e jashtme të kësaj strukture thelbësore.

Pamjet e fundit satelitore tregonin dëme të vogla në një mur mbajtës përgjatë një rruge hyrëse, dhe pikërisht për këtë arsye kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte kërkuar ndërhyrjen e SHBA-së – i vetmi vend që zotëron bombat speciale të afta të godasin në thellësi të tokës këtë strukturë të fortifikuar.

Republika Islamike e Iranit, që nga ditët e para të ekzistencës së saj, ka ndjekur me kujdes zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke u bazuar jo vetëm në përvojën e saj të vështirë, por edhe në atë të fqinjëve. Për tetë vjet ajo ka luftuar kundër Irakut, duke përdorur edhe raketat tokë-tokë – armë që sot konsiderohen të pazëvendësueshme në arsenalin e saj. Pikërisht gjatë atyre viteve, Irani ishte dëshmitar i sulmit izraelit ndaj reaktorit bërthamor irakian Osirak – një prej ndërhyrjeve të para të Izraelit për të ndalur përhapjen bërthamore në rajon. Kjo e bëri Iranin të kuptojë se, nëse donte të zhvillonte një program atomik, duhej ta mbronte atë siç duhej.

Kështu nisi plani për të ndërtuar struktura nëntokësore, të afta të përballonin goditje, si Fordow dhe më vonë Kolan Gaz, në jug të Natanzit (një tjetër impiant i goditur nga sulmet amerikane).

Ndërtimi i “laboratorit” të Fordow-t ka nisur në vitet 2006–2007, ndërsa regjimi pranoi ekzistencën e tij publikisht vetëm në vitin 2009. Vendndodhja u zgjodh për shkak të terrenit malor, ideal për t’u përdorur si “strehë e mbrojtur”. Sipas disa burimeve, zona ka edhe një simbolikë: rajoni i Fordow-t kishte një përqindje të lartë “dëshmorësh” në luftën kundër trupave të Saddam Husseinit dhe nuk ndodhet larg qytetit të shenjtë Qom, një qendër e rëndësishme e islamit shiit. Megjithatë, ky aspekt simbolik mbetet dytësor përballë nevojave të sigurisë dhe rëndësisë shkencore të kërkimeve në fushën bërthamore.

Impianti thuhet se përbëhet nga një sërë hapësirash të mëdha nëntokësore, ku janë vendosur pajisjet teknologjike.

Një raport i Institutit Britanik për Studime të Sigurisë RUSI vlerëson se këto struktura ndodhen në një thellësi prej 90–100 metrash – mjaftueshëm për të përballuar një sulm izraelit. Aviacioni izraelit disponon bomba anti-bunker dhe i ka përdorur ato në të kaluarën për të vrarë drejtues të Hezbollah-ut të fshehur në tunele nën ndërtesa, por nuk i ka në arsenalin e tij bombat GBU-57A të zhvilluara nga Pentagoni, të vetmet që mund të lëshohen nga bombarduesit amerikanë B-2.

“Spirit”, siç quhet ky avion në zhargon ushtarak, është i vetmi aeroplan në botë që mund të mbajë GBU-57 – “superbombën” prej 14 tonësh të ndërtuar për të shkatërruar bunkerë në thellësi të madhe, siç është rasti i Fordow-t.

Janë bërë disa hipoteza mbi strukturën mbrojtëse të impiantit, duke llogaritur shtresa betoni, dheu dhe materialesh të tjera të vendosura nga punëtorët për ta kthyer “qendrën” në një kala të vërtetë. Megjithatë, këto mbeten me një nivel pasigurie për shkak të mungesës së të dhënave të sakta.

Përveç mbrojtjes së brendshme, rreth perimetrit të impiantit janë vendosur edhe masa kundër-operacionale për të parandaluar sulme të mundshme nga trupa speciale.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?