Gjithçka filloi me ngritjen në fluturim, 37 orë më parë, të një formacioni avionësh B-2 nga baza e Witheman-it, në Missouri, me destinacion bazën e Guam-it në Paqësor. Një zhvendosje, sipas burimeve zyrtare, për arsye mbrojtjeje. Por kjo rezultoi të ishte thjesht një lëvizje mashtruese, sepse shumëkush dyshonte se destinacioni përfundimtar ishte Irani – dhe ashtu ndodhi.
Avionët B-2 hodhën 12 bomba GBU-57, të ashtuquajturat "superbomba" prej 14 tonësh: dhjetë mbi Fordow – objekti më i rëndësishëm – dhe dy mbi Natanz, një tjetër pikë kyçe e programit bërthamor iranian. Më pas, një breshëri raketash lundruese të lëshuara nga Marina Amerikane goditi Isfahanin, nyjen e tretë të rrjetit atomik të Iranit. Kjo ndërhyrje konfirmoi skenarët që ishin parashikuar gjatë ditëve të fundit, me referenca të vazhdueshme për nevojën e përdorimit të armëve speciale për të goditur “malin” që mban brenda vetes centrifugat e Fordow-t.
Bomba GBU-57 u zhvillua në gjysmën e parë të viteve 2000 për t’u përdorur kundër shteteve armiqësore, si Koreja e Veriut apo Republika Islamike e Iranit. Më vonë, ajo u përmirësua për të rritur fuqinë shkatërruese, me teknologji që nuk janë zbuluar plotësisht për arsye sigurie. Qëllimi i bombës është të depërtojë në “guaskën” mbrojtëse të objektivit dhe të shpërthejë brenda, për të shkaktuar dëme të mëdha në thellësi. Besohet se përditësimet e fundit e kanë rritur efektshmërinë e saj edhe në rastet kur nuk ka të dhëna të sakta mbi thellësinë ose pozicionin e synuar.
Sipas një artikulli të New York Times, shumë ushtrime ushtarake të Pentagonit kanë treguar se për të goditur objektiva si Fordow nevojiten disa avionë B-2, secili prej të cilëve mund të mbajë dy bomba. Kështu, goditjet ndodhin në një rend të shpejtë, njëra pas tjetrës – si një çekiç që godet me ngulm një gozhdë. Sidomos kur duhet të përshkojnë mbrojtjen rreth centrifugave të Fordow-t, të cilat, sipas disa ekspertëve, ndodhen në një thellësi prej 90-100 metrash. Sipas Donald Trump-it, pas sulmit, objekti i Fordow-t është “fshirë nga faqja e dheut”. Megjithatë, për shkak të natyrës nëntokësore të strukturës, do të duhen orë për të kuptuar më qartë efektet e goditjes.
“Rrethi malor” i Fordow-t ka qenë themelor për zhvillimin e programit bërthamor iranian, por të njëjtin rëndësi kanë edhe dy “laboratorët” e tjerë. I pari, Natanz, aktiv që nga fillimi i viteve 2000, është përgjegjës për pasurimin e uraniumit. Ai ka një pjesë mbi tokë dhe një pjesë nëntokësore. Izraeli ka ndërmarrë më herët aksione për të penguar punën aty: përmes sabotimeve kibernetike, shpërthimeve dhe sulmeve të drejtpërdrejta. Tani, SHBA ka goditur sërish me GBU-57.
Impianti i dytë, Isfahani, plotëson rrjetin e shpërndarë në gjithë territorin iranian. Mendohet se aty grumbullohet uraniumi që më pas përdoret në centrifuga. Në të njëjtën zonë ndodhen edhe industri për prodhimin e raketave dhe dronëve. Ditët e fundit, Isfahani ka qenë objektiv i sulmeve izraelite dhe, sipas AIEA-s, aty janë konstatuar shkatërrime të konsiderueshme.
Komente
