Avokati Arbër Hoxha thotë se nëse kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, do të ishte një proces jokushtetues dhe do t’i shkelej e drejta e tij e prezumimit të pafajësisë.
I ftuar në Report Tv, në emisionin Studio Live, avokati Hoxha theksoi se një proces i tillë, nëse ndodh siç kërkoi Kryeministri Edi Rama, do të ishte hera e parë që ndodh që prej vitit 1994.
Sipas tij, motivi për shkarkimin e tij që pritet të përdoret është mosparaqitja në detyrë për 3 muaj ( në rastin Veliaj është mbi 6 muaj), por avokati theksoi se edhe në këtë rast ka ndodhur jo për neglizhencë, por për shkak se Veliaj ka masë sigurie arrest në burg nga GJKKO për hetimet e SPAK.
“Kryetari i bashkisë nuk është paraqitur në detyrë për shkaqe që nuk lidhen nga vullneti i tij. Në rastin konkret është me masë sigurimi arrest në burg, kërkesa e rrëzuar disa herë me pretendimin për t’u kthyer pranë vendit të punës, në këto kushtet kërkesa e Kryeministrit dhe një vendimmarrje shumë e pritshme e anëtarëve të Këshillit të Ministrave është në kushtet e antikushtetueshmërisë. Unë besoj që nga Veliaj dhe mbrojtësit e tij është mëse e pritshme që kjo lloj vendimmarrje mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese”.
Avokati theksoi gjithashtu se nëse ankimohet nga Veliaj vendimi i Këshillit të Ministrave, atëherë do të ngecë edhe procesin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, deri sa të ketë një vendimmarrje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese.
“Kjo është e hera e parë që ndodhë nga viti 1994 që do shkarkohet një kryetar bashkie për mosparaqitje në punë. Gjykata Kushtetuese, në raste të ngjashme, zgjat gjykimi nga 4-7 muaj. Por besoj se në rastin konkret mund të shprehet edhe për 2 apo 3 muaj, por patjetër që do të marrë kohën e saj”.
Edhe pse ky proces, nëse ndodh, mund të jetë politik, për avokatin Hoxha është i paligjshëm pasi Erion Velajt i prezumohet e drejta e pafajësisë.
“Është një proces që mund të jetë poltik, por aspak kushtetues dhe në kundërshtim me kushtetutën. Shkelet një nga parimet themelore të prezumimit të pafajësisë, gjithashtu nuk ka asnjë përfitim politik”.
Lajmi kryesor:
Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet më 23 shtator për shkarkimin e Erion Veliajt, socialistët nisin procedurën për 'mosparaqitje në detyrë'
V.GJ /r.k./ReportTv.al