Nga eksporti blegtoral, ndërlidhja e sistemeve elektronike deri te paketat turistike, çfarë përfitojnë qytetarët nga marrëveshjet e Ballkanit të Hapur

21 Dhjetor 2021, 20:20| Përditesimi: 21 Dhjetor 2021, 23:01

  • Share

TIRANË- Sot në kuadër të Ballkanit të Hapur, u nënshkruan 5 marrëveshje të rëndësishme që do u shërbejnë qytetarëve të tre vendeve, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut. Bëhet fjalë për marrëveshjet sa i përket lejeve të qëndrimit dhe të lejeve të punës, ndërlidhja e sistemeve elektronike dhe e treta ajo në fushën e bashkëpunimit tregtar, 3 nga 5 marrëveshjet të cilat janë cilësuar si më të rëndësishmet e që prekin të gjithë qytetarët e të 3 vendeve. E ftuar në "Studio Live" në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, këshilltarja e Kryeministrit, Odeta Barbullushi është ndalur duke sqaruar një e nga një të gjitha përfitimet që do të kenë qytetarët këto marrëveshje.

"Marrëveshja e parë, lehtëson dhe unifikon procedurat në tregun e punës dhe ka një vlerë të shtuar për shqiptarët që duan të punojnë në Maqedoni apo Serbi dhe është parë shumë gjatë pandemisë kërkesa për punë, por kuadri i tyre ligjor ka qenë më i ndërlikuar se i ynë dhe ideja është që si hyrja dhe qëndrimi deri në 2 vite dhe aksesi në tregun e punës, të futen në sistemet elektronike, të kenë një numër regjistrimi dhe të kenë akses në shërbime. Nuk do ketë më nevojë aplikim për punë, të qenit fizikisht, të dalit nga vendi apo të aplikuarit për leje pune. Marrëveshja e sotme e kthen në një hap lejen e qëndrimit dhe me një leje për punë,  dhe bëhet elektronikisht pa qenë qytetari fizikisht.

Marrëveshja e dytë, në funksion të së parë, është ndërlidhja e sistemeve të identifikim elektronik, ku një qytetar i Shqipërisë të futet në E- Albania të hedhë të dhënat dhe të marrë një lloj autentifikimi nga sistemi i vendit tjetër për një aplikim për punë apo për një shërbim të ndryshëm. E lehtëson procedurën e aplikimeve apo burokratike për akses në shërbime të ndryshme.

Marrëveshja e tretë është në fushën e bashkëpunimit tregtar, kryesisht veterinar, të sigurisë ushqimore apo fitosanitare, e inicuar nga Shqipëria, duke pasur rëndësinë e komunitetit të fermerëve, disa prej përfitimeve të kësaj marrëveshje është pikërisht thjeshtimi i procedurave të kontrollit, njohja e certifikatave fitosanitae, njohja e analizave laboratorike të shtetit dhe e treta dhe kjo mendoj që është një prej risive mundëson eksportit blegtoral, të kafshëve të gjalla dhe kontrolli për pikat e inspektimit doganor të mos jetë në çdo pikë, por në pikat e kalimit doganor më afër destinacionit final. E shohin me shumë përfitim.

Marrëveshjet e tjera janë më teknike, 2 marrëveshje bilaterale një me Maqedoninë një me Serbinë, për operatorët ekonomikë. Gjithashtu janë rreth 30 dokumente, lista me lloje certifikatash, analiza që duhen njohur në të gjitha palët kryesisht në fushën e shkëmbimit dhe lëvizjes së lirë të mallrave, që nga samiti i fundit u morën përsipër që të kishim këmbim të këtij dokumentacioni dhe lista të certifikatave, të kontrolleve, të çmimeve, të kostove për produkte të ndryshme. Finalizimi i protokollit të Qafë Thanës, që do të jetë one stop shop, marrëveshje e nënshtruar në qershor, jemishumë afër firmosjes. Harmonizimi i grupeve të punës jo vetëm të autoriteteve doganorë, 24 orë në 7, por edhe të grupeve të ndryshme, të grupeve të AKU-së, agjencitë e kontrollit, pra jo vetëm administratës së doganës, por edhe aktorët e tjerë të përfshirë në kontrolle", tha Barbullushi.


Barbullushi është ndalur edhe te projektetet të cilat priten që të nënshkruhen në të ardhmen, ku një fokus shumë të rëndësishëm ka edhe turizmi. Një nga shembuj që Barbullushi, solli në Report Tv, tha se po krijohet mundësia që të ketë një paketë turistike të përbashkët mes 3 vendeve, apo njohja e ndërsjellë e operatorëve turistikë. Nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe bashkëpunimi në fushën e arsimit.

"Ajo çfarë u theksua nga liderët, është që kemi nevojë të zgjerojmë gamën e shërbimeve, për turizmin, çfarë mund të bëjmë përshembull, krijimin e paketave të përbashkëta turistike, një pakte çmimesh lehtësuese, njohja automatike e ndërsjellë e operatorëve turistikë, ose aspekte të tjera lidhur me këtë fushë. një tjetër fushë e rëndësishme është bashkëpunimi ndëruniversitar, rektorë dhe dekanë të fakulteteve bujqësore të tre vendeve për të krijuar një platformë shkëmbimi idesh për fusha të lidhura me bashkëpunimin rajonal", përfundoi Barbullushi në studion e Report Tv.

Takimin e sotëm, Barbullushi, e ka quajtur më të rëndësishmin, pasi ka të bërë me marrëveshje konkrete, e ndërsa tha se baza e këtyre marrëveshjes është CEFTA dhe direktivat e Bashkimit Europian. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?