Në futboll kemi parë nga të gjitha por është e pabesueshme ajo që ndodhi në “Wembley” në minutat e fundit të kohëve shtesë të finales së Carabao Cup mes Chelseat dhe Manchester Cityt. Protagonistë ishin trajneri i bluve Maurizio Sarri dhe portieri Kepa Arrizabalaga.
Sarri vendos ta zëvendësojë Kepën dhe thërret portierin e dytë Caballero, ia komunikon këtë gjë arbitrit të katërt por portieri spanjoll refuzon të zëvendësohet.Pas disa minutash diskutime dhe një shfaqje në formën e surreales Kepa qëndron në fushë pavarësisht se Caballero ishte gati. Maurizio Sarri “çmendet” fare dhe në një moment drejtohet nga dhomat e zhveshjes për t’u larguar por kthehet sërish në pankinë.
Më pas çdo gjë vijon normalisht dhe City fiton tek penalltitë. Një gjest që bëri xhiron e rrjetit dhe që habiti gjithë botën e futbollit por në fund të ndeshjes Sarri e quajti thjesht një keqkuptim duke thënë: “Mendova se kishte një problem dhe se nuk mund të luante por mjeku më shpjegoi situatën “ nënvizoi trajneri italian.
Edhe nga Kepa mbërriti pas ndeshjes një mesazh që e ç’tensionon situatën:” Nuk kam pasur qëllim të mos i bindem trajnerit por ishte një keqkuptim në një moment kur edhe ndeshja kishte tension. Sarri mendoi se unë u dëmtova dhe ajo që doja të bëja ishte t’i shpjegoja se isha mirë” e mbyll portieri spanjoll. Ndërsa tifozët e londinezëve kritikuan kapitenin Azpiliqueta që nuk e zgjidhi këtë situatë.