NEW YORK - Me entuziazëm të dukshëm, Donald Trump ka përshëndetur emërimin e Kardinalit Robert Francis Prevost si Papa i parë amerikan, duke e cilësuar si një “nder të madh për vendin tonë”.
Në një postim në rrjetin e tij Truth, Trump ka shkruar: “Mezi pres të takoj Papa Leonin XIV. Do të jetë një moment shumë domethënës!”.
Trump me shumë mundësi po ndiqte rrjetin konservator Fox News, ku gazetarët shfaqën një gëzim të madh sapo u mësua se për herë të parë në histori, Papa është amerikan - edhe pse nuk ishte Kardinali Dolan i Nju Jorkut, të cilin presidenti e kishte mbështetur në një farë mënyre (duke sqaruar se nuk kishte preferenca dhe duke bërë shaka se donte të bëhej vetë Papa).
Por Laura Loomer, aktiviste e ekstremit të djathtë që e ka shtyrë Trump-in të shkarkojë pjesë të Këshillit të tij të Sigurisë Kombëtare, ishte ndër të parat që kritikoi Papën e ri me një postim në rrjetin X, duke e quajtur “anti-Trump, anti-MAGA, pro kufijve të hapur dhe një marksist i vërtetë si Papa Françesku. Nuk ka asgjë të mirë në horizont për katolikët. Një tjetër kukull marksiste në Vatikan.”
Ish-strategu i Trump-it, Steve Bannon, kishte paralajmëruar për Prevost rreth dhjetë ditë më parë në emisionin e tij online War Room.
“Kisha e thellë ka zgjedhur një Papë anti-Trump,” tha Bannon për Corriere.
Përpara se të bëhej Papë, kardinali kishte një profil në rrjetin social X. Dhe ndër postimet e tij, tre prej tyre kanë tërhequr vëmendjen - kritika për disa mbështetës të Trump-it.
Në shkurt, kardinali kritikoi zëvendëspresidentin J.D. Vance (një i konvertuar në katolicizëm): "J.D. Vance gabon: Jezusi nuk na kërkon të rendisim dashurinë tonë për të tjerët ."
Prevost po i referohej fjalëve të zëvendëspresidentit i cili, në një intervistë me Fox News, tha: "Ekziston një koncept i krishterë që thotë se e do familjen tënde, pastaj do të afërmit, do komunitetin, do bashkëqytetarët dhe pas kësaj, i jep përparësi pjesës tjetër të botës.
Dje, Vance e uroi Papën e ri, duke thënë se ishte i sigurt se katolikët amerikanë dhe të krishterët e tjerë do të luten për suksesin e tij: "Zoti e bekoftë!"
Në një tjetër postim në Twitter më 15 prill, kardinali ripostoi gjithashtu një artikull nga një peshkop ndihmës i Uashingtonit (i cili erdhi në Amerikë si emigrant i paligjshëm nga El Salvadori) me rastin e takimit të Trump me Presidentin e Salvadorit, Nayuib Bukele, burgu i të cilit, i kritikuar për abuzime me të drejtat e njeriut, tani përdoret për të burgosur njerëz të dëbuar nga SHBA-të pa gjyq, të cilësuar si gangsterë.
Artikulli shkruante: “Nuk i shihni vuajtjet? A nuk ju prek ndërgjegjen kjo?”. Një tjetër ripostim i kardinalit, pas takimit të Trump me Papa Françeskun në vitin 2017, përcillte një mesazh nga 'Lëvizja Laudato Si’, ku i bënte thirrje Trump - që ishte tërhequr nga Marrëveshja e Parisit “të ndërmarrë veprime për klimën”.
Megjithatë, brenda lëvizjes «MAGA» ka edhe nga ata që duan t’i japin Papës së ri përfitimin e dyshimit. Aktivisti Charlie Kirk, edhe ai nga Çikago dhe i rëndësishëm për Trump-in në mobilizimin e votës së të rinjve, pranon se ka disa postime 'mbi kufijtë e hapur edhe një për George Floyd', por ka zbuluar se Prevost është i regjistruar si votues i Partisë Republikane dhe është kundër abortit. Kirk thotë se shpreson që në fund Papa do të mbështesë edhe “mbrojtjen e kufijve”.
Përveç Bidenit (katolik), edhe familja Obama dërguan përshëndetjet e tyre. Në anën jugore të Çikagos, Papa Leon XIV njihej si "Bob". Familja e tij ndoqi famullinë e Santa Maria dell'Assunzione. Babai i tij, Louis, me prejardhje franceze dhe italiane, ishte drejtor shkolle. Nëna e tij, Mildred Martinez, një bibliotekare ishte shumë e përfshirë në famulli. Pas seminarit në Michigan dhe diplomimit nga Pensilvania në vitin 1977 me një diplomë në matematikë , ai u kthye në Çikago për shkollën teologjike. Edhe pse kaloi dekada në Peru, sot Çikago është krenar për Papën 'e tij'./Corriere della Sera
Komente
