Bota

Kardinali Robert Francis Prevost zgjidhet Papa i ri nga Konklava, do quhet Leoni XIV! Fjala e parë: Paqe pa armë

8 Maj, 08:02| Përditesimi: 8 Maj, 23:15

  • Share

Ka studiuar Matematikë dhe Filozofi, është anëtar i Urdhrit të Agustinianëve dhe ka shërbyer si drejtues i përgjithshëm i Urdhrit nga viti 2001 deri në vitin 2013, si dhe ipeshkëv i Chiclayo-s në Peru. Deri më sot ka qenë prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe president i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.

Njihet për qëndrime të moderuara dhe për një qasje pragmatike, i aftë të ndërmjetësojë mes rrymave të ndryshme brenda katolicizmit amerikan. Është veçanërisht i ndjeshëm ndaj çështjeve sociale dhe kulturore dhe shihet si figura që mund të vazhdojë drejtimin e Kishës në frymën e dialogut që ndoqi Françesku.

Fjalimi i parë si Papë: «Paqja qoftë me ju»

«Paqja qoftë me të gjithë ju», ishin fjalët e para të Papa Leoni XIV në fjalimin e tij të parë – të cilin e lexoi, ndryshe nga tradita e zakonshme që Papa të flasë lirshëm. «Ky është përshëndetja e parë që u dha Jezusi i Ngjallur dishepujve të tij. Dëshiroj që kjo paqe të mbërrijë në familjet tuaja, në çdo vend dhe në mbarë botën. Paqja qoftë me ju. Një paqe e çarmatosur, çarmatosëse, e përulur. Zoti na do të gjithëve, pa kushte».

Ai vazhdoi: «Ende na kumbon në vesh zëri i Papa Françeskut që bekoi Romën dhe botën në Pashkë. Më lejoni që tani të përsëris atë bekim. Zoti na do, Zoti ju do të gjithëve. E keqja nuk do të mbizotërojë: të gjithë jemi në duart e Zotit. Prandaj, mos kini frikë – të bashkuar me Zotin dhe me njëri-tjetrin, të ecim përpara. Jemi dishepuj të Krishtit dhe Ai na prin. Bota ka nevojë për dritën e Tij. Njerëzimi ka nevojë për Të, për të rindërtuar lidhjen me Zotin dhe me dashurinë e Tij. Ndihmoni të ndërtojmë ura, përmes dialogut, që të mbretërojë paqja. Faleminderit, Papa Françesku».

«Dua të falënderoj të gjithë vëllezërit kardinalë që më zgjodhën si pasardhës të Shën Pjetrit, për të udhëhequr së bashku Kishën në udhën e paqes, drejtësisë dhe dëshmisë për Krishtin, në bashkëpunim me burrat dhe gratë që i shërbejnë Ungjillit».

“Jam bir i Shën Agustinit”

«Jam një bir i Shën Agustinit, një agustinian. Me ju jam i krishterë, për ju jam ipeshkëv». Pastaj u drejtua me një përshëndetje të veçantë Kishës së Romës: «Le të përpiqemi së bashku të jemi një Kishë misionare, që ndërton ura dhe dialog, që hap krahët si ky shesh – për të pritur të gjithë ata që kanë nevojë».

Më pas përshëndeti në spanjisht besimtarët e dioqezës së tij në Peru. Duke iu rikthyer italishtes, theksoi: «Dëshirojmë të jemi një Kishë pranë atyre që vuajnë». Në fund, përmendi Zojën e Pompeit, recitoi “Të Falemi Mëri” me popullin dhe dhuroi indulgjencën e plotë.

Kush është Papa Leoni XIV

Robert Francis Prevost lindi më 14 shtator 1955 në Çikago (Illinois, SHBA). Në vitin 1977 nisi noviciatin në Urdhrin e Shën Agustinit dhe më 29 gusht 1981 bëri betimet solemne. Studioi në Catholic Theological Union në Çikago dhe më pas në Universitetin Papnor “San Tommaso d’Aquino” në Romë, ku mori licencën dhe doktoraturën në të Drejtën Kanonike.

Pas shugurimit si meshtar në vitin 1982, u dërgua si misionar në Peru, ku shërbeu në Trujillo dhe zona të tjera, si formues, prior dhe profesor në seminarin e madh. Ka qenë edhe vikari gjyqësor dhe drejtor formimi për Urdhrin e tij. Në vitin 1999 u zgjodh prior provincial dhe në vitin 2001 prior i përgjithshëm i Urdhrit të Agustinianëve, detyrë që e ushtroi deri në vitin 2013.

Në nëntor 2014 u emërua administrator apostolik në Chiclayo të Perusë dhe më pas ipeshkëv i saj. Ka qenë pjesë e Konferencës Ipeshkvnore të Perusë, si edhe anëtar i dikastereve të ndryshme në Vatikan, përfshirë atë për Klerin dhe për Ipeshkvijtë. Në vitin 2023 u emërua Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe president i Komisionit për Amerikën Latine.

Kritik ndaj Vance dhe Trump-it

Prevost është shprehur hapur në rrjetet sociale, veçanërisht në X (ish-Twitter), ku ka kritikuar figura të politikës amerikane, si nënpresidenti J.D. Vance. Në shkurt të këtij viti, ai shpërndau një editorial të “National Catholic Reporter” që kundërshtonte një deklaratë të Vance, i cili kishte pohuar se dashuria ndaj njerëzve duhet të radhitet: së pari familja, pastaj të afërmit, e kështu me radhë. Prevost dhe të tjerë e kritikuan këtë qasje si jo në frymën e Ungjillit.

Gjithashtu, ai ka dënuar politikat e ashpra ndaj migrantëve të administratës Trump, të mbështetura edhe nga presidenti i Salvadorit, Bukele. Media ndërkombëtare, si “The Guardian”, vë në dukje se marrëdhëniet e Papa Leoni XIV me liderët politikë konservatorë do të jenë për t’u ndjekur me kujdes.

Papa Françesku e emëroi kardinal më 30 shtator 2023, duke e vendosur në Diakoninë e Shën Monikës./ Corriere della Sera

 

Ora 20:49
I pari me origjinë amerikane, Trump uron Papën e ri: Një nder i madh për vendin tonë

1746730237_MEDHANSFXA5MXWHECZ2MK4APSA.jpg

Presidenti Donald Trump ka shprehur urimet për kardinalin Robert Francis Prevost, i cili sapo u emërua Papa Leo XIV.

Në një postim në platformën e tij sociale Truth, Trump e përshkroi këtë ngjarje si një nder të madh, duke theksuar karakterin historik të zgjedhjes së Prevost si Papën e parë amerikan.

“Urime për kardinalin Robert Francis Prevost,” shkroi Trump. “Është një nder i madh të kuptojmë se ai është Papa i parë amerikan. Sa emocion dhe sa nder i madh për vendin tonë.”

Trump theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij momenti, duke shprehur dëshirën për t'u takuar me Papën Leon XIV.

“Pres me padurim të takoj Papën Leoni XIV. Do të jetë një moment shumë i rëndësishëm!” përfundoi ai.

Ora 20:31
Putin uron Papën e ri Leoni XIV: Bashkëpunimi mes Rusisë e Vatikanit do të vazhdojë mbi bazën e vlerave kristiane që na bashkojnë

1746729353_GettyImages2213409508e17467258.jpg

Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar Papa Leone XIV dhe ka shprehur besim në zhvillimin konstruktiv të dialogut mes Rusisë dhe Vatikanit.

"Jam i bindur se dialogu konstruktiv dhe bashkëpunimi i krijuar mes Rusisë dhe Vatikanit do të vazhdojnë të zhvillohen mbi bazën e vlerave kristiane që na bashkojnë," thuhet në deklaratën e cituar nga Tass.

Ora 19:41
Papa i ri Leoni 14: Faleminderit Papa Françeskut

1746725050_papaleo13.png

"Faleminderit Papa Françeskut", tha Papa i ri Leoni XIV, dhe turma në Sheshin e Shën Pjetrit e priti këtë kujtim me një duartrokitje të gjatë dhe brohorima.

Ora 19:11
Në Sheshin e Shën Pjetrit kanë hyrë banda e Xhandarmërisë dhe Garda Zvicerane

1746724332_681ce3991c6d4.jpg

Së shpejti, Papa i ri do të dalë për të përshëndetur besimtarët e mbledhur në shesh. Ndërkohë, në hapësirën përpara Bazilikës kanë hyrë banda e Xhandarmërisë dhe nderroja e Gardës Zvicerane, për t’i bërë nderimet Papës së sapozgjedhur.

Ora 18:35
VIDEOLAJM/ Shihni momentin kur nga Kapelja Sistine shfaqet tymi i bardhë

Ky është momenti kur nga oxhaku i Kapeles Sistine shfaqet tymi i bardhë, që njofton se është zgjedhur Papa i ri.

Ora 18:33
Zgjidhet Papa i Ri, rreth 40 mijë besimtarë festojnë në sheshin Shën Pjetër

 

Rreth 40 mijë besimtarë janë mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit për të festuar zgjedhjen e Papës së Ri. 

Besimtarët po ecin, disa të tjerë po vrapojnë, përgjatë Rrugës së Konciliazione, duke pritur të mësojnë emrin e Papës së ri.

Ora 18:27
Papa i ri është zgjedhur, ja çfarë ndodh tani dhe prezantimi nga ballkoni i Shën Pjetrit

Kardinalët kanë zgjedhur tashmë një Papën e ri. Tani që është shfaqur tymi i bardhë, Papa i ri zakonisht do të dalë në ballkonin me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit brenda një ore.

Papa i ri po shoqërohet tani drejt një dhome të vogël pranë Kapelës Sistine, ku do të veshë petkun e bardhë papnor.

Së shpejti, kardinali më i vjetër do të konfirmojë vendimin me fjalët "Habemus Papam" – që në latinisht do të thotë "Kemi një Papë" – dhe do ta prezantojë papën e ri me emrin që ai ka zgjedhur.

Xh.K/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Amen: 08/05/2025 20:02

    Amen

    Përgjigju
  • Tani: 08/05/2025 18:52

    Shpresoj qe mos te me zgjedhin mu

    Përgjigju
  • E DREJTA: 08/05/2025 08:55

    Ieri e uscito il fumo nerazzurro...INTER FOREVER

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?