Policia e Shtetit ka publikuar fotot dhe të dhënat e tre personave të tjerë të kërkuar për vrasje, që janë objekt i punës së Njësisë së Kërkimit.
Aleks Totraku alias Abdyl Lala
Në datën 1 janar 2013, në fshatin Mazrek të Komunës Kashar, Aleks Totraku, në bashkëpunim me vëllanë e tij Antonio Lala alias Mirjan Lala (person në kërkim) ka vrarë me armë zjarri Agron Dervishin. Aleks Totraku është dënuar me 25 vjet burgim, nga Gjykata e Tiranës, për veprat penale "Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje".
Po ashtu, i kërkuar është edhe vëllai i tij, bashkëpunëtor në vrasje, Antonio Lala alias Mirjan Lala i dënuar gjithashtu me 25 vjet burgim.
Nexhip Rexho
Në datën 27 gusht 2000, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë, Nexhip Rexho ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin L. M. dhe ka plagosur gruan e këtij të fundit, shtetasen T. M. Nexhip Rexho është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.