Darjo Bruçi, 48-vjeçari nga Burreli që akuzohet se dhunoi bashkëjetuesen e tij 33 vjeçe në mënyrë të përsëritur aq sa e bëri të përfundojë me probleme të shëndetit mendor, është lënë në burg. Report Tv mëson se gruaja ndodhet në spitalin Psikiatrik në Tiranë, jo vetëm në gjendje të rënduar psikologjike, por edhe fizike.
Burri i arrestuar tentoi të fshehë pasojat e rënda që vetë kishte shkaktuar duke pretenduar se gruas i kishin bërë magji. Shenjat e dhunës në trupin e saj nuk janë vetëm nga goditjet e 48-vjeçarit, por edhe nga një metodë çnjerëzore, që një 37-vjeçar nga Kosova të cilin Darjo Bruçi e pagoi 600 euro, përdori ndaj vajzës duke e goditur me kaçavidë për t’i qetësuar shpirtin – siç Kujtim Popaj, u shpreh në një intervistë ekskluzive për Report Tv.
Kujtim Popaj, që e prezanton veten shejh të besimit bektashi dhe që shëron shpirtrat me fjalët e Allahut, por kërkohet nga autoritetet shqiptare për t’u marrë në pyetje, pasi është vënë në hetim për mashtrim. Në vijim të hetimeve, saktësojnë burimet, për shehun kosovar mund të shtohet akuza e dhunës.
Darjo Bruçi lëvizte shpesh jashtë Shqipërisë për të punuar, bashkë me 33-vjeçaren, e cila nuk i kishte treguar askujt se dhunohej. Nëna e vajzës që jeton në Francë, u kujdes ta trajtojë me ilaçe pas vizitave në spitalin psikiatrik, por kur i lindën dyshimet se gjendja e rënduar e saj mund të vinte nga dhuna e burrit, bëri denoncim në polici.
Blutë e Matit i shkuan në banesën 48-vjeçarit që ishte kthyer në Burrel bashkë me bashkëjetuesen pasi i kishte ndërruar jetë nëna, dhe panë shenjat në trupin e gruas. Gjatë arrestimit i gjetën edhe 380 fishekë në banesë.
Deri këtu hetuesit nuk dinin asgjë për magjinë e pretenduar. Gjithçka u zbulua nga aparati celular i Bruçit, në të cilin kishte dhjetëra pamje filmike të një riti të çuditshëm fetar, i cili kryhej duke goditur me kaçavidë 33-vjeçaren. Aty 48-vjeçari tregoi se kishte marrë në shtëpi shehun i cili ka edhe një teqe në Kosovë. Siç Kujtim Popaj rrëfeu ekskluzivisht në Report Tv, ai ka qenë vetëm një herë në banesën e çiftit ne Burrel për ritualin që thotë se e bën edhe me persona të tjerë të “pushtuar”, por vajza nuk i kishte treguar që dhunohej.
Ndërkohë, Report Tv mëson se 48-vjeçari Bruçi rezulton të ketë ndërruar emrin, më herët e ka pasur Agron Bruçi dhe ka precedent të theksuar kriminal për kundërshtim të policisë, por edhe jashtë vendit: për kanosje dhe trafikim të narkotikëve.
Darjo Bruçi dhe gruaja e dhunuar
Darjo Bruçi, 48-vjeçari nga Burreli që akuzohet se dhunoi bashkëjetuesen e tij 33 vjeçe në mënyrë të përsëritur aq sa e bëri të përfundojë me probleme të shëndetit mendor, është lënë në burg.