Në lek apo euro, sot një qytetar mund të marrë në bankë kredi për blerje banese pa pasur një limit kufizues. Por nga 1 korriku, kjo nuk do të ndodhë më pasi Banka e Shqipërisë ka caktuar tavane për huanë që do marrin qytetarët.
“Rritja e shpejtë e çmimeve është mbështetur nga rritja e kredisë, që është borxh për familjet ose për kredimarrësin që do të blejë shtëpi. Ky cikël rrezikon ta shkëpusë tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale nga ai që quhet çmim themelor, bazë që caktohet nga faktorë bazë”, shprehet drejtori i stabilitetit në Bankën e Shqipërisë Klodion Shehu.
Kur kredia kërkohet në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%. Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë.
Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa kur është në valutë ulet në 35%.
Pyetje: Sa përqind e pronave që shiten në vend, blihen me kredi
“Gati gjysma e transaksioneve që ata kanë kryer është mbuluar me kredi nga bankat”, përgjigjet Shehu.
Përtej synimit për të kthyer në ‘normalitet’ çmimet e pronave, pasi Banka gjykon se është nxitur nga rritja e kreditimit, tavanet janë masë edhe për mbrojtur bankat nga ekspozimi në tregun e pronave të patundshme, pasi Shehu thotë se nga analizat e bëra ka rezultuar se bankat kanë financuar deri në vlerën e plotë të pronës, pra 100%. Nëse një rënie e të ardhurave të qytetarëve, ekspozon drejt rreziqeve bankat.
“Nga të dhënat që kemi mbledhur nga bankat rezulton që ka raste të kreditimit në vlera mbi kufijtë që në kemi caktuar në këtë vendim. Këto janë raste në pakicë, por gjithsesi ky segment kredisë duhet pasur në vëmendje nga bankat”, pohon Shehu.
Po në këtë vendim Banka e Shqipërisë, u rekomandon bankave të përshtatin kohëzgjatjen e shlyerjes së kredisë, me moshën e daljes në pension të kredimarrësit.
“Nëse një person 55 vjeç paraqitet në bankë për të marrë kredi sigurisht kohën kur ai punon dhe gjeneron të ardhura e ka deri në moshën kur del në pension, ndaj mendojmë se edhe afati për shlyerjen e kredisë duhet të lidhet me periudhën e jetës aktive të kredimarrësit”, thotë Shehu.
Vendimi i miratuar më 7 maj nis zbatimin nga bankat më 1 korrik, dhe do monitorohet për 2 vite për efektet e tij në treg.
Pyetje: Mund të vendosen edhe masa të tjera shtesë?
“Nëse gjykohet e nevojshme po. Mund të shtohen masa të reja por mund të rishikohet edhe tavanet e caktuara. Do të varet çdo gjë nga zhvillimi në treg”, tha Shehu.
Për shkak të çmimeve vetëm në rritje në Shqipëri po shiten më pak apartamenteve. Sipas shifrave zyrtare vjet u shitën 31 mijë prona nga mbi 35 mijë prona që ishte numri i kontratave në vitin 2023.
Komente

Dmth Banka e Shqipërisë po mbron bankat nga falimentimi dhe nuk i plas se njerëzit nuk kanë ku të fusin kokën..
Përgjigju