Comedian

‘Comedian’, banania e ngjitur në mur shitet 6.2 milionë dollarë në një ankand në New York

21 Nëntor, 15:30| Përditesimi: 21 Nëntor, 15:40

  • Share

Vepra më e famshme dhe më e diskutuar e artistit Maurizio Cattelan, Comedian, e cila përbëhet nga një banane e ngjitur në mur me shirit ngjitës, u shit mbrëmë në ankandin e organizuar nga Sotheby’s në New York për plot 6.2 milionë dollarë, duke përfshirë dhe komisionet.

Shtëpia e ankandeve e kishte vlerësuar këtë instalacion provokues midis 1 dhe 1.5 milionë dollarësh.

Bananja e verdhë më e shtrenjtë në botë u bë një nga objektet më të lakmuara në sallën e shitjeve të Sotheby’s në Manhattan, ku shtatë ofertues garuan për ta blerë këtë vepër provokuese të artistit 64-vjeçar nga Padova.

Oferta fituese u bë përmes telefonit nga nënkryetari i Sotheby’s për Azinë, në emër të Justin Sun, një koleksionist kinez dhe themelues i platformës së kriptomonedhave Tron, i cili ka deklaruar se ka ndërmend ta hajë bananen në ditët e ardhshme.

Comedian u bë sensacion në rrjetet sociale kur u prezantua për herë të parë në vitin 2019 dhe u shit për 120 mijë dollarë nga galeria Perrotin gjatë panairit të artit Art Basel Miami Beach.

Brenda një kohe të shkurtër, ajo u bë virale, duke nxitur debate të zjarrta, polemika të shumta dhe duke tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve në mbarë botën.

Në atë kohë, turmat që u mblodhën për ta parë në panair ishin aq të mëdha sa organizatorët u detyruan ta heqin nga ekspozita.

Bananja u ngrën jo vetëm një herë, por dy herë, duke dominuar mediat në mbarë botën. Bananja e ekspozuar në atë kohë në Florida ishte blerë nga Cattelan në një supermarket lokal për disa qindarka.

Kopja e shitur për 6.2 milionë dollarë është numri 2 nga një edicion prej 3 kopjesh dhe 2 provash artistike. Një nga këto kopje ndodhet aktualisht në Muzeun Solomon R. Guggenheim në New York, e dhuruar nga një koleksionist anonim.

Blerësi i veprës do të marrë një certifikatë autenticiteti dhe udhëzime të sakta për instalimin e saj./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?