KF Egnatia zhvillon stërvitjen gjenerale para sfidës kundër Olimpijas

Sport

Conference League/ Dinamo kërkon surprizën kundër Hajdukut në Tiranë, Egnatias i duhet një gol për ëndrrën e madhe

14 Gusht, 08:42| Përditesimi: 14 Gusht, 09:45

  • Share

Këtë të enjte skuadrat shqiptare janë të impenjuara në ndeshjet e kthimit, të vlefshme për turin e tretë evropian. Dinamo, Egnatia, Drita dhe Ballkani kanë detyrë të mbajnë lart stemat respektive, ndërsa kalimi në play-off do thoshte të ardhura shtesë për secilin prej tyre.

Ndeshjet e kthimit për turin e tretë të Conference League

Në "Air Albania" të Tiranës, duke nisur nga ora 20:45 Dinamo e Ilir Dajës pret kroatët e Hajduk Splitit. Ndeshja e parë foli 2-1 për gjigantët e Kroacisë, por Dinamo tregoi se futbolli është i barabartë paçka emrit në arenën ndërkombëtare. Në këtë duel pritet të jenë edhe afro 1500 tifozë miq, me grupimin 'Torcida' që njihet për mbështetjen që i jep ekipit. 'Blutë' kërkojnë një gol për ta dërguar ndeshjen me shtesë dhe pse jo të shpresojnë te mrekullia, paçka se Hajduk është më i avantazhuar.

Në 'Arena Egnatia' të Rrogozhinës (21:00), Egnatia kampione e Shqipërisë pret Olimpijan e Ljubljanës. Ndeshja e parë në Slloveni përfundoi 0-0 dhe rrogozhinasit duan një gol për të kënaqur 5 mijë tifozët në stadium dhe një Shqipëri të tërë. Duke parë ndeshjen e parë dhe problemet e rivalëve, që kanë ndërruar edhe trajner, shanset që të besuarit e Edlir Tetovës të dalin me kokën lart nga përballja janë reale dhe të dëshiruara.

Në stadiumin 'Tallaght' të Dublinit, irlandezët e Shamrock Rovers presin Ballkanin e Orges Shehit. Suharekasit fituan para një jave 1-0 në Prishtinë dhe shkojnë të avantazhuar kundër një emri të madh. Do jenë 90 minutat e sotme që nisin në orën 21:00 që do vendosin ekipin që kalon më tej.

Ndeshja e kthimit për turin e tretë të Europa League

Në orën 20:00 në 'Fadil Vokrri' të Prishtinës, kampionët e Kosovës, Drita, pret rumunët e Steauas së Bukureshtit. Ndeshja e parë në udhëtim foli 3-2 për FCSB, që përmbysi avantazhin e dyfishtë të Dritës. Të besuarit e Zekerija Ramadanit nuk duan të bëjnë gabimin e një jave më parë dhe një gol mjafton për të vendosur rivalët nën presion dhe për ta dërguar ndeshjen në shtesë.

Ora 09:44
Dinamo kërkon përmbysjen, Ilir Daja para sfidës me Hajduk Split: Më e vështirë se e para, por nuk dorëzohemi

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka folur para mediave në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Hajduk Split në turin e tretë kualifikues të Conference League, duke e cilësuar sfidën edhe më të vështirë se atë të zhvilluar në Kroaci.

“Është një ndeshje më e vështirë se e para në Split, sepse e nisim në disavantazh (2-1). Duhet të shkojmë drejt golit, por kjo nuk është e lehtë. Ata kanë një skuadër të fortë dhe individë cilësorë, për këtë ka meritë stafi teknik. Ne duhet të jemi të ekuilibruar në lojë. Sigurisht, nuk do të futemi të dorëzuar në fushë.

Ne do të besojmë për të realizuar ëndrrën tonë. Nuk do të jemi aq agresivë, duke parë drejt sulmit. Duhet të luftojmë fort dhe të jemi të kujdesshëm, duke mos menduar kur do të vijë goli, sepse goli mund të vijë edhe në fund. Duhet të jemi bllok si ekip. Ndeshja në Tiranë? Dinamo ka qenë dhe është e Tiranës. Stadiumi është krenari për ne që e kemi”, tha Daja.

Dinamo do të kërkojë përmbysjen e rezultatit në përballjen që pritet të zhvillohet në një atmosferë të ngrohtë, me objektivin për të siguruar një vend në fazën play-off të Conference League. Dueli merr jetë sot në orën 20:45 dhe luhet në 'Air Albania'. Sfida e parë në Split foli 2-1 për Hajdukun.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?