Antonio Costa
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka vlerësuar “punën e shkëlqyer të skuadrës” nga liderët e BE-së që morën pjesë samitin në Uashington për Ukrainën, duke theksuar se ata “mbrojtën interesat europiane dhe forcuan mbështetjen për presidentin Zelensky”.
“Sapo kemi mbajtur një videokonferencë me anëtarët e Këshillit Europian mbi bisedimet e fundit për Ukrainën, si dhe një mbledhje të Koalicionit të të Vullnetshmëve dhe një bisedë telefonike me presidentin Zelensky. Në emër të Këshillit Europian, dua të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për liderët europianë që morën pjesë në ciklin e fundit të bisedimeve në SHBA për punën e shkëlqyer të skuadrës në mbrojtje të pozicionit europian dhe në mbështetje të presidentit Zelensky,” tha Costa.
Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes në videokonferencë të Këshillit Europian dhe të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, Costa deklaroi se diplomacia për Ukrainën është intensifikuar pas tre vitesh e gjysmë lufte, ndërsa po rritet impulsi për të ofruar garanci sigurie për Kievin. Ai theksoi se presidenti amerikan Donald Trump ka rënë dakord të përfshihet në këtë përpjekje, gjë që Europa e mirëpret.
Costa tha se është “momenti për të përshpejtuar punën praktike dhe për të vendosur garanci sigurie të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, me angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së”, duke shtuar se forcat e armatosura ukrainase do të mbeten vija e parë e mbrojtjes.
Sipas tij, “Koalicioni i të Vullnetshmëve” duhet të mbetet i përfshirë ngushtë në këtë proces, ndërsa mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të zbatohet, të forcohet dhe të zhbllokohet pa vonesa.
“Ky koalicion duhet të mbetet ngushtësisht i përfshirë, ndërsa forcat e armatosura ukrainase janë dhe do të mbeten vija e parë e mbrojtjes. Për këtë arsye, duhet të zbatojmë, të forcojmë dhe të zhbllokojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën,” nënvizoi presidenti i Këshillit Europian.
Në përfundim, Costa theksoi se liderët europianë që morën pjesë në takimin në Uashington dhanë një shembull të qartë uniteti: “Me punën e tyre të përbashkët, ata arritën të përfaqësojnë në mënyrën më të mirë interesat e Europës. Tani është koha për vendime të guximshme dhe të shpejta.”
Lajmi kryesor:
Putin propozon Moskën për takimin, Zelensky refuzon! Shtëpia e Bardhë: Kanë nisur përgatitjet! Trump: Jo hyrjes në NATO, garanci sigurie nga ajri për Ukrainën
SI.E./ReportTv.al