Lajmi pas samitit në Shtëpinë e Bardhë, sipas të cilit Putin është gati të takohet me Zelenskyn “brenda dy javësh”, ka ngjallur menjëherë hipoteza të ndryshme mbi vendin e mundshëm të takimit. Macron ka propozuar Gjenevën, selinë europiane të Kombeve të Bashkuara, ndërsa ministri i Jashtëm zviceran ka konfirmuar se vendi i tij mund të organizojë samitin.
Por, presidenti rus Vladimir Putin, sipas mediave italiane, ka propozuar që takimi me Zelenskyn të bëhet në Moskë. “Putin përmendi Moskën” gjatë telefonatës me Trump, shkruan AFP , duke shtuar se Zelensky ka refuzuar takimin në Moskë.
Ndërkohë, sipas mediave të huaja, Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim të mundshëm trepalësh midis Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin dhe Trump në Budapest.
Një ditë pasi priti në Shtëpinë e Bardhë, Zelenskyn dhe liderët e BE, presidenti amerikan Donald Trump i shpjegon motivet e tij për përpjekje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë kështu: "Dua vërtet të shkoj në parajsë". Në një intervistë me Fox Neës, Trump apelin më të fortë e kishte për presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, i cili sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë duhet të tregojë fleksibilitet, në një kohë kur Putin mund të tregojë se nuk do marrëveshje.
"Është e mundur që Vladimir Putin të mos dëshirojë të arrijë një marrëveshje. Do të mësojmë më shumë rreth Putinit në dy javët e ardhshme. Zelensky duhet të tregojë pak fleksibilitet në negociata”, tha Trump.
Presidenti amerikan përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren. Ai tha se nuk sheh asnjë problem te disa nga vendet evropiane, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, që janë shprehur pro dërgimit të ushtarëve të tyre në Ukrainë. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë garanci sigurie nga ajri, por Ukraina nuk do të jetë anëtare e NATO-s.
Trump zbuloi gjithashtu se nuk e telefonoi Vladimir Putinin ndërsa ishte në dhomë me evropianët në Shtëpinë e Bardhë sepse kjo do të kishte qenë "mungesë respekti" ndaj presidentit rus.
Evropianët nga ana tjetër konfirmojnë mbështetjen ndaj Ukrainës. Një videokonferencë mes anëtarëve të "Koalicionit të të Vullnetshmëve", të kryesuar nga Macron dhe Starmer, më shumë se 30 liderë thonë se kyç në këtë çështje janë garancisë e sigurisë. Ata nuk përjashtuan në diskutime edhe sanksione më të forta ndaj Putin nëse ai nuk tregon vullnet të mirë në negociata.
Nga ana tjetër edhe liderët e Bashkimit Evropian diskutuan në videokonferencë. Vetë kreu i Këshillit Evropian Antonio Costa tha se BE është me Ukrainën, ndërsa në një telefonatë me Zelensky i garantoi atij vazhdimësinë e anëtarësimit të Kievit në Union.
Në një deklaratë të shpërndarë nga qeveria britanike thuhet se ekipet ushtarake nga Koalicioni i të Vullnetshmëve do të takohen me homologët e tyre amerikanë në ditët në vijim për të diskutuar planet për të ofruar "garanci të forta sigurie" për Ukrainën dhe "përgatitjen e vendosjes së një force sigurie" sapo të përfundojë konflikti me Rusinë.
“Në Uashington pati bisedime të rëndësishme… u hodh një hap i rëndësishëm, një demonstrim i vërtetë i unitetit mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi në Telegram presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët evropianë. Kreu i shtetit ukrainas përsëriti se “garancitë e sigurisë” janë “një çështje themelore, si pikënisje për t’i dhënë fund luftës”.
“Liderët erdhën personalisht për të mbështetur Ukrainën dhe për të diskutuar gjithçka që do të na afrojë drejt një paqeje reale, drejt një arkitekture sigurie të besueshme që do të mbrojë Ukrainën dhe gjithë Evropën. Vazhdon puna jonë, vazhdojmë të koordinojmë veprimet tona me të gjithë aleatët që duan t’i japin fund luftës në mënyrë dinjitoze. Faleminderit të gjithëve që na ndihmojnë”, shtoi Zelensky.
Autoritetet e Kievit pohojnë se Rusia ka lëshuar mbrëmë një valë sulmesh me raketa dhe dronë kundër qyteteve ukrainase, pak orë pas përfundimit të bisedimeve të paqes mes Zelenskyt dhe Trump. Shpërthime u raportuan në qytetin qendror-lindor të Kremenchuk, në rajonin e Poltavës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se pati një bisedë telefonike dje me kryeministrin hungarez Viktor Orban, raporton Bloomberg, duke shpjeguar se biseda u zhvillua pas takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë.
Trump, siç shpjegohet, pyeti pse Budapesti po bllokon negociatat e pranimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian.
"Ka shpresë, por ne ende duhet të punojmë shumë, të lutemi shumë dhe të gjejmë një rrugë përpara." Kjo ishte deklarata e Papa Leone XIV në lidhje me negociatat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të dërgojë trupa për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe portet e Ukrainës, si dhe të ofrojë mbështetje logjistike dhe trajnim për forcat e Kievit, por jo t'i vendosë ato pranë kufirit në rast të ndërprerjes së armiqësive me Rusinë.
Kjo është ajo që raporton gazeta online Guardian, duke cituar zyrtarë qeveritarë, të cilët thonë se ky është qëndrimi që Shefi i Forcave të Armatosura Britanike, Sir Tony Radakin, do të paraqesë gjatë bisedimeve të nesërme me homologët e tij amerikanë në Pentagon mbi garancitë e sigurisë për Kievin.
Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim të mundshëm trepalësh midis Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin dhe Donald Trump në Budapest. Raporton Politico, duke cituar burime, se Shërbimi Sekret po përgatitet për samitin në Hungari.
Përgatitjet për takimin midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky janë "në proces", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt në një konferencë për shtyp. Lidhur me vendin e mundshëm, ajo u përgjigj: "Ka disa opsione që po diskutohen aktualisht nga ekipi ynë i sigurisë".
Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim të mundshëm trepalësh midis Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin dhe Donald Trump në Budapest. Raporton Politico, duke cituar burime, se Shërbimi Sekret po përgatitet për samitin në Hungari.
Kryeministri sllovak Robert Fico ka deklaruar se Sllovakia do të kundërshtojë planin për të furnizuar Ukrainën me armë amerikane me vlerë 100 miliardë dollarë, të financuara nga vendet e BE-së në këmbim të garancive të sigurisë amerikane për Kievin.
"Duket si një shaka e pafat, por për fat të keq, kemi parë shumë prej tyre gjatë kësaj lufte. As në ëndrrat e mia më të egra nuk mund ta imagjinoj Sllovakinë duke blerë armë nga SHBA-ja dhe pastaj duke i dërguar ato falas në fushën e betejës në Ukrainë", shtoi ai.
Fico tha më pas se ishte gjithashtu "skeptik" në lidhje me mbështetjen për miratimin e sanksioneve të mëtejshme kundër Rusisë "nëse negociatat nuk përmbushin pritjet tona".
Sipas kryeministrit sllovak, një parakusht tjetër për t'i dhënë fund luftës është që "Ukraina nuk mund të bëhet shtet anëtar i NATO-s".
"Pas luftës, të gjithë janë gjeneralë, por refuzimi im i anëtarësimit të Ukrainës në NATO ishte i qartë që nga fillimi i luftës, dhe u kritikova ashpër për këtë. Për më tepër, pa një diskutim mbi ndryshimet territoriale në Ukrainë, nuk mund të arrihet përparim', tha ai.
Megjithatë, Fico deklaroi se mbështet ambicien e Kievit për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian, nëse përmbushen kriteret.
Ekipet ushtarake nga “Koalicioni i të Vullnetshëmve" do të takohen me homologët e tyre amerikanë në ditët në vijim", për të diskutuar planet për të ofruar "garanci të forta sigurie" për Ukrainën dhe "përgatitjen e vendosjes së një force sigurie", sapo të përfundojë konflikti me Rusinë.
Kjo ishte deklarata e lëshuar nga Doëning Street, pak pasi kryeministri britanik Keir Starmer bashkëkryesoi me presidentin francez Emmanuel Macron një konferencë virtuale, me mbi 30 udhëheqës të vendeve që i përkasin Koalicionit.
Mediat informojnë se u diskutua gjithashtu presioni i mëtejshëm mbi Moskën, përmes sanksioneve.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka propozuar Moskën si vendin ku të mbahet takimi mes tij dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kwshtu shkruan media italiane ‘Corriere’.
Te premten fjalët e fundit të Presidentit rus në deklaratën e përbashkët me Trump ishin: herës tjetër në Moske, fjalë me të cilat ftoi homologun amerikan në vendin e tij.
Aleatët e Ukrainës në “Koalicionin e të Gatshmëve” diskutuan mundësinë e vendosjes së më shumë sanksioneve mbi Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas një zëdhënësi të Doëning Street. Kryeministri britanik Keir Starmer bashkëkryesoi një takim të koalicionit të martën, së bashku me Presidentin francez Emmanuel Macron.
“Duke iu referuar hapave të mëtejshëm, Kryeministri përshkroi se ekipet e planifikimit të Koalicionit të Gatishmërisë do të takohen me homologët e tyre amerikanë në ditët në vijim për të forcuar më tej planet për të ofruar garanci të forta sigurie dhe për t'u përgatitur për vendosjen e një force sigurie nëse armiqësitë do të përfundonin”, tha zëdhënësi i Downing Street në një deklaratë.
Udhëheqësit diskutuan gjithashtu se si mund të ushtrohet presion i mëtejshëm – përfshirë sanksionet – mbi Putinin derisa ai të tregojë se është gati të ndërmarrë veprime serioze për t’i dhënë fund pushtimit të tij të paligjshëm”, shtoi deklarata e Doëning Street.
Downing Street e përshkroi takimin e djeshëm në Uashington si "konstruktiv", me Starmer që tha se "ishte e qartë se kishte një ndjenjë të vërtetë uniteti dhe një qëllim të përbashkët për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën"./CNN
Antonio Costa
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka vlerësuar “punën e shkëlqyer të skuadrës” nga liderët e BE-së që morën pjesë samitin në Uashington për Ukrainën, duke theksuar se ata “mbrojtën interesat europiane dhe forcuan mbështetjen për presidentin Zelensky”.
“Sapo kemi mbajtur një videokonferencë me anëtarët e Këshillit Europian mbi bisedimet e fundit për Ukrainën, si dhe një mbledhje të Koalicionit të të Vullnetshmëve dhe një bisedë telefonike me presidentin Zelensky. Në emër të Këshillit Europian, dua të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për liderët europianë që morën pjesë në ciklin e fundit të bisedimeve në SHBA për punën e shkëlqyer të skuadrës në mbrojtje të pozicionit europian dhe në mbështetje të presidentit Zelensky,” tha Costa.
Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes në videokonferencë të Këshillit Europian dhe të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, Costa deklaroi se diplomacia për Ukrainën është intensifikuar pas tre vitesh e gjysmë lufte, ndërsa po rritet impulsi për të ofruar garanci sigurie për Kievin. Ai theksoi se presidenti amerikan Donald Trump ka rënë dakord të përfshihet në këtë përpjekje, gjë që Europa e mirëpret.
Costa tha se është “momenti për të përshpejtuar punën praktike dhe për të vendosur garanci sigurie të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, me angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së”, duke shtuar se forcat e armatosura ukrainase do të mbeten vija e parë e mbrojtjes.
Sipas tij, “Koalicioni i të Vullnetshmëve” duhet të mbetet i përfshirë ngushtë në këtë proces, ndërsa mbështetja ushtarake për Ukrainën duhet të zbatohet, të forcohet dhe të zhbllokohet pa vonesa.
“Ky koalicion duhet të mbetet ngushtësisht i përfshirë, ndërsa forcat e armatosura ukrainase janë dhe do të mbeten vija e parë e mbrojtjes. Për këtë arsye, duhet të zbatojmë, të forcojmë dhe të zhbllokojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën,” nënvizoi presidenti i Këshillit Europian.
Në përfundim, Costa theksoi se liderët europianë që morën pjesë në takimin në Uashington dhanë një shembull të qartë uniteti: “Me punën e tyre të përbashkët, ata arritën të përfaqësojnë në mënyrën më të mirë interesat e Europës. Tani është koha për vendime të guximshme dhe të shpejta.”
Emmanuel Macron dhe Keir Starmer
Një videokonferencë mes anëtarëve të "koalicionit të të vullnetshmëve" për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën ka përfunduar. E kryesuar nga Macron dhe Starmer aleatët shprehën edhe një herë mbështetjen e madhe për ukrainasit në bisedimet e vështira me Rusinë.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se udhëheqësit e Kanadasë, Japonisë, Turqisë, Zelandës së Re dhe vendeve evropiane i vlerësuan rezultatet e takimit të Alaskës "shumë realisht".
"Ne të gjithë konfirmuam nevojën për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën në luftën me Rusinë", shton ai.
Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump
“Dua me të vërtetë të shkoj në parajsë”. Kështu u shpreh Donald Trump në një intervistë për Fox, duke shpjeguar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti theksoi se nuk e kishte telefonuar Vladimir Putinin ndërsa ndodhej në dhomë me europianët në Shtëpinë e Bardhë, sepse do të ishte “mungesë respekti” për Putinin.
Zelensky dhe Putin
Zvicra ka deklaruar se është e gatshme të presë një takim mes Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyt. Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, mirëpriti propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron që takimi të zhvillohet në Gjenevë, duke theksuar se Zvicra është mirënjohëse për besimin e dhënë.
Megjithatë, mbi një takim të tillë ngrihen edhe çështje ligjore. Zvicra ka ratifikuar Traktatin e Romës që themelon Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), dhe meqë Putini është tashmë i akuzuar nga ICC për krime lufte, autoritetet zvicerane do të ishin të detyruara ta arrestonin nëse ai mbërrin në territorin e tyre.
Por qeveria zvicerane, duke parashikuar mundësinë që Gjeneva të shërbejë si vendtakim, ka angazhuar juristët për të shqyrtuar pasojat. Sot, Cassis deklaroi se ka hapësirë për fleksibilitet, duke i thënë mediave zvicerane: “Mund ta bëjmë këtë pavarësisht urdhërarrestit kundër Putinit, për shkak të rolit tonë të veçantë dhe rolit të Gjenevës si selia europiane e Kombeve të Bashkuara.”
Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se shpreson që homologu ukrainas Volodymyr Zelensky “të bëjë atë që duhet të bëjë”, por thekson se ai duhet të jetë “fleksibël” në negociatat për paqen.
Më tej, u shpreh se “është e mundur që Putin të mos dëshirojë të arrijë marrëveshje”, duke shtuar se do të mësojnë më shumë në dy javët e ardhshme, një afat kohor kur pritet që të mbahet takimi me Zelenskyn.
Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump përjashton mundësinë e trupave amerikane në Ukrainë.
"Keni garancinë time, si president”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka garanci se nuk do të kishte ushtarë amerikanë në terren në Ukrainë.
"Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe duan të kenë "ushtarakë në terren". Nuk mendoj se do të jetë problem: Putini është i lodhur, të gjithë janë të lodhur. Por kurrë nuk i dihet", tha Trump.
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky
Në një intervistë për Fox News, Donald Trump ka folur për takimin e mbajtur një ditë më parë me Volodymyr Zelenskyn dhe udhëheqësit kryesorë evropianë, të pranishëm gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë.
Ukraina nuk do të jetë anëtare e NATO-s, deklaroi presidenti amerikan duke iu përgjigjur pyetjes për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Më tej, Trump deklaroi se garancitë e mundshme të sigurisë nga SHBA-ja mund të ofrohen nëpërmjet ajrit për Ukrainën, duke shtuar se do të ketë një formë sigurie por nuk mund të jetë NATO.
Sergei Lavrov
Rusia nuk ka kërkuar kurrë thjesht të pushtojë territore në Ukrainë, qoftë Krimea, Donbasi apo Novorossia. Qëllimi i saj është të mbrojë rusët që historikisht kanë jetuar atje. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov një ditë pas samitit në Shtëpinë e Bardhë me Volodymyr Zelenskyn, Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë.
"Dua të theksoj edhe një herë se nuk kemi folur kurrë për thjesht pushtimin e territoreve. As Krimea, as Donbasi, as Novorossia si territore nuk kanë qenë kurrë qëllimi ynë. Qëllimi ynë ishte të mbronim njerëzit, popullin rus, i cili ka jetuar në këto toka për shekuj me radhë, i cili i zbuloi këto toka, derdhi gjak për to si në Krime ashtu edhe në Donbas, krijoi qytete si Odessa, Nikolaev dhe shumë të tjera, porte, fabrika dhe uzina", deklaroi ministri rus.
Keir Starmer
Negociatat mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve kryesorë evropianë të Kievit do të vazhdojnë sot, deklaroi dje kryeministri britanik Keir Starmer në një intervistë për BBC-në.
"Tani do të punojmë me Shtetet e Bashkuara për këto garanci sigurie", tha Starmer në Uashington.
"Ne kemi ngarkuar ekipet tona. Disa prej tyre madje do të mbërrijnë nesër për të filluar punën e detajuar mbi këtë."
Udhëheqësi britanik shtoi se garancitë "do të sigurojnë qytetarët e Evropës, Ukrainës dhe veçanërisht Mbretërisë së Bashkuar".
Dje, Zelensky u tha gazetarëve se garancitë e sigurisë për Ukrainën do të formalizohen brenda 10 ditësh.
Emmanuel Macron
Presidenti francez Emmanuel Macron kërkon që takimi mes Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyt të zhvillohet në Evropë. Macron propozon që takimi të mbahet në Gjenevë.
"Më shumë se një hipotezë, është në fakt një vullnet kolektiv", tha Macron në një intervistë të transmetuar në LCI, kur u pyet nëse takimi i paralajmëruar midis Trump dhe disa udhëheqësve evropianë duhet të zhvillohet në Evropë.
"Do të jetë në një vend neutral, kështu që ndoshta Zvicra - Gjeneva - ose një vend tjetër. Herën e fundit që patëm bisedime dypalëshe, ishte në Stamboll", vuri në dukje presidenti francez.
Alexander Stubb
Presidenti finlandez Alexander Stubb, i pranishëm me udhëheqës të tjerë evropianë në takimin e Shtëpisë së Bardhë, nuk i beson shumë Vladimir Putinit.
Ai ka deklaruar se presidenti rus “nuk është i besueshëm”, teksa ka komentuar edhe një takim të mundshëm mes tij dhe Zelenskyt për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë.
Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkroi në rrjete sociale pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë se një hap i rëndësishëm është bërë në Uashington.
"Bisedime të rëndësishme u zhvilluan në Uashington... është bërë një hap i rëndësishëm, një demonstrim i unitetit të vërtetë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara", shkroi ai.
Kreu i shtetit ukrainas përsëriti se "garancitë e sigurisë" janë "një çështje themelore, si pikënisje për t'i dhënë fund luftës".
"Udhëheqësit erdhën personalisht për të mbështetur Ukrainën dhe për të diskutuar gjithçka që do të na afrojë me paqen e vërtetë, me një arkitekturë të besueshme sigurie që do të mbrojë Ukrainën dhe të gjithë Evropën. Ne vazhdojmë të punojmë, për të koordinuar veprimet tona me të gjithë aleatët që dëshirojnë ta përfundojnë luftën në një mënyrë dinjitoze. Faleminderit të gjithëve që na ndihmojnë.", shtoi ai.
Friedrich Merz
Takimi midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky do të zhvillohet brenda dy javësh.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e tha këtë në fund të bisedimeve "shumë intensive" në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump, gjatë të cilave udhëheqësit evropianë mirëpritën garancitë e sigurisë të presidentit amerikan për Ukrainën.
Ata përsëritën gjithashtu se lëshimet territoriale nuk mund t'i imponohen Kievit.
Emmanuel Macron
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ishte gjithashtu prezent në takimin e djeshëm në Shtëpinë e Bardhë, është shprehur skeptik se Vladimir Putin kërkon paqe në Ukrainë.
"Dyshoj se Putini dëshiron paqe. Kemi bërë përparim, por mbetem i kujdesshëm", tha Macron, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Macron bëri thirrje për "sanksione të shtuara" kundër Rusisë nëse negociatat dështojnë.
Komente

Njerez si ti qe financojne vrasjen e femijve nuk kan vend ne Parajs ,por denohen me djegje.
PërgjigjuIkni more mostra te brukselit se ju doni vetem lufte qe te dergoni djemt tane te vdesin e ju te rrini te lumtur mizerje rregulloni jeten e qyteterve te tuaj nqs doni lufte te gjithe ju bashke me familjet e juaja shkoni ne lufte e do ju shohim a do kerkoni me lufte .
PërgjigjuDUHEJ TE kishe hyre qe ne fillim ne bisedime me rusine zelensk,, qe te parandaloje luften...tani eshte vone e ka marre ferra uraten....
PërgjigjuMendonin se do fitonin kundra Rusit por ju doli keq dhe moren ne qafe nje popul , ajo lufte ishte e shmangshme thjesht e nxiten perendimoret