Shëndeti

Çrregullimet hormonale po shkatërrojnë trupin e grave / Altin Joka: Mos neglizhoni këto shenja, ja ç’duhet të bëni

25 Qershor, 16:56| Përditesimi: 25 Qershor, 17:10

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia, Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, i cili foli për çrregullimet hormonale te femrat.

“Në këto kohë, stresi është shumë i lartë te gratë dhe është rritur ndjeshëm pagjumësia, gjë që ka shkaktuar çrregullim hormonal” – tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se një tjetër faktor është ushqimi i përpunuar, i cili ndikon, ashtu si edhe duhani dhe alkooli.

“Hormonet tona janë si një orkestër, ku secili hormon luan një rol të caktuar. Ato janë lajmëtarët tanë të brendshëm që i tregojnë trupit se çfarë mund të ndodhë, duke folur me anë të gjuhës së tyre: ankthit, ciklit të parregullt, problemeve me gjumin dhe stilit të jetës modern”, theksoi Joka.

Kortizoli është hormoni i parë që çbalancohet, pasuar nga çbalancimi i estrogjenit, çbalanca e insulinës dhe hormonet e tiroides, të cilat shkaktojnë probleme për organizmin. Dikur, ciklet e menstruacioneve kanë qenë shumë më normale, brenda 28-32 ditëve, pa dhimbje të forta, me ndryshime të lehta emocionale, ndryshe nga sot, kur ka dhimbje, mungesë energjie dhe depresion.


“Nuk është normale të kemi probleme të tilla. Kjo tregon që kemi përjetuar stres kronik, dhe për këtë ndikon drejtpërdrejt kortizoli. Kur njeriu kalon stres të vazhdueshëm, ndodh një 'vdekje hormonale', duke shtypur nivelin e progesteronit dhe rritur inflamacionin në trup. Gratë që kanë nivel të lartë të kortizolit, kanë 40% më pak mundësi të mbeten shtatzëna. E njëjta gjë vlen edhe për gratë që punojnë natën. Nëse kemi gjumë të keq, frikë gjatë ditës, rrahje të shpeshta të zemrës, cikël të dhimbshëm, ngarkesë emocionale, kjo tregon se trupi po jep sinjale përmes kortizolit”.

Sipas Altinit, kontraceptivët nuk shërojnë, por thjesht modifikojnë ose fshehin shenjat e problemeve që kemi. Kur pilulat merren sistematikisht, ato dëmtojnë vitaminat dhe sjellin probleme kardiovaskulare.

“Pilulat nuk duhet të jenë zgjidhje, pasi nuk shërojnë,” – shtoi ai. Altini theksoi se është normale që një grua të paktën 1 herë në vit duhet të bëjë analizën hormonale për të kontrolluar çbalancat e mundshme.

A ka ushqime, bimë apo çajra që ndihmojnë në rregullimin e balancës hormonale?

Joka theksoi se shpesh thuhet që çbalanca hormonale është gjenetike, por sipas tij, janë kushtet dhe rrethanat që ndikojnë. Pra, epigjenetika – që studion modifikimin e gjeneve në bazë të kushteve të mjedisit – nuk është për t’u nënvlerësuar. “Gjenetika është predispozitë, jo dënim për trupin tonë”, shtoi ai.

“Konsumi i vajit të ullirit, të lirit, arrës, vajit të farave të rrushit, e verdha e vezës, avokadoja” – ndihmojnë në rregullimin e ciklit menstrual, pa harruar arrat braziliane, konsumin e lakrës, qepës, panxharit, rrepave apo probiotikëve. Nëse kemi mungesë të progesteronit, më e mira është aguliçia. Për balancën hormonale ndihmojnë edhe disa çajra qetësues, si: lule pasioni, sherebela, çaji i mentes; gjithashtu berberina, që ul gliceminë në gjak. Ashwagandha është një tjetë antiinflamator natyral. Konsumi i jeshillëqeve dhe vajit të peshkut është shumë i dobishëm”, theksoi Joka.

Në fund të bisedës eksperti i mjekësisë holistike bëri thirrje për të shmangur të gjitha ushqimet e përpunuara që shkaktojnë çbalancë hormonale. 

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    NATO miraton rritjen e shpenzimeve me 5% për mbrojtjen, si e vlerësoni?