Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim elektoral me anëtarë të komunitetit çam në Vlorë. Bashkë me kandidatin për deputet që vjen nga radhët e këtij komuniteti, Endri Hyseni, Çuçi kërkoi mbështetje me votë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën në zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Çuçi tha se nuk është e vërtetë ajo që është thënë shpesh se komuniteti çam nuk e voton të majtën.
“Kjo vulë është tretur dhe ky takim, por jo vetëm, konfirmon se ne nuk kemi më dallime të kësaj natyre sepse edhe komuniteti çam si e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë e ka kuptuar që tashmë nuk bëhet fjalë për zgjedhjet në 11 maj, nëse do të votohet majtas apo djathtas, por bëhet fjalë nëse do të ecim përpara apo do të kthehemi prapë mbrapa”, tha Çuçi.
Në vijim ai renditi 5 arsyet përse në këto zgjedhje duhet votuar vetëm Partia Socialiste.
‘Transformimi i Vlorës që është bërë deri më tani; projektet madhore në vazhdim; oferta e opozitës e cila lë për të dëshiruar dhe kjo konfirmohet me faktin që edhe kandidati nga radhët e komunitetit çam është vendosur në një pozicion pa asnjë shans për të fituar; oferta e PS-së me Edi Ramën dhe Endri Hysenin si kandidat të spikatur nga radhët e komunitetit çam; anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Çuçi vlerësoi Endri Hysenin si një nga drejtuesit model e me integritet të institucioneve publike në Vlorë’, tha ai.
Duke komentuar ofertën e opozitës për komunitetin çam në Vlorë, Çuçi tha se ka shumë hipokrizi pasi duke e ditur se ata nuk marrin dot më shumë se 4 mandate në rastin më të mirë, kandidatin përfaqësues të këtij komuniteti e kanë vendosur në listë të hapur pa asnjë shans për të fituar. Ndërkohë arsye domethënëse për të votuar Edi Ramën theksoi Çuçi, është fakti se ai e ka ngritur çështjen e pronave dhe të drejtave të komunitetit çam në mes të Athinës si askush tjetër më parë.
“Më shumë se kurrë të votojmë PS dhe sidomos Edi Ramën, i cili është i vetmi udhëheqës politik në historinë e Shqipërisë që ka kërkuar në mes të Athinës pronat dhe të drejtat e komuniteti çam. Askush s’e ka bërë më përpara. Është i vetmi që ju ka dhënë dinjitet të gjithë shqiptarëve përfshi këtu dhe komunitetin çam. Thirrja ime është që në 11 maj të mos shohim majtas e djathtas, por të shohim vetëm përpara dhe të votojmë numrin 5, Partinë Socialiste”, tha Çuçi.
Komente
