Pastrimi i parave, ‘Moneyval’ nis procedurat për heqjen e Shqipërisë nga lista gri! Debat te ‘Ligjet’, rrëzohet iniciativa ligjore e Tabakut! Mazhoranca: Ta luftojmë fenomenin, por duhet koordinim

5 Korrik 2023, 11:32| Përditesimi: 5 Korrik 2023, 14:19

  • Share

Shqipëria shumë shpejt mund të dalë nga lista gri e Moneyval, institucioni i Këshillit të Evropës, për rrezikun e pastrimit të parave të pista. Në këtë listë Shqipëria qëndron që prej vitit 2019. Lajmin e dha sot kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka.

“Moneyval ka nisur procedurën për heqjen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave. Do të ketë një vizitë në vijim në Tiranë”, tha Bushka teksa diskutohej në komision një nismë e deputetes së PD Jorida Tabaku për pastrimin e parave një sektorin e ndërtimit.

Tabaku ka propozuar një paketë ligjore për luftën kundër pastrimit të parave,  ndërsa iniciativa e saj u konsiderua qëllimmirë nga ana e deputetëve të mazhorancës por që sipas tyre është me probleme dhe ka nevojë për ndërhyrje.

“Bashkohemi me qëllimin tuaj por nuk e votojmë iniciativën tuaj”- tha Majko.

“Unë sugjerova që nismën tuaj ta adresojmë në nismën e zotit Xhoshi për cështjen e drejtorisë së së pastrimit të parave, por ju i qëndroni nismës suaj. Gamë e gjerë ligjesh që duhet të ketë kohezion. Ne s’mund të krijojmë paqartësinë për ligjet që bëjmë. Të kemi edhe respekt për mendimin kritik. Adresimi në ligjin aktual nuk është i përshtatshëm”- tha Bushka.

“Në parim unë mbështes ccdo iniciativë ligjvënëse. Në këtë konbteket Tabaku duhet vlerësuar si kolegia jonë. Në thelb kjo është një nismë pozitive. Por shoh që ka disa probleme.  Unë nuk bie dakord me nenin 2 me mënyrën e konfiskimit. Unë do abstenoj, për faktin se keni qëllim pozitiv por nuk do ta votoj pro se këto iniciativa duhen përmirësuar.  Unë do t’ju sugjeroja që. të ulemi dhe të flasim edhe me qeverinë. Edhe ata besoj ndajnë të njëjtën gjë me ne”- tha Xhafaj.

Nga ana e saj deputetja Tabaku tha se është e hapur për diskutime por nuk tërhiqet nga propozimet e saj.

“Të mos e votojmë sot iniciativën time. Të ulemi dhe të bëhemi bashkë si ta përmirësojmë. Por jo ta diskutojmë me drejtorinë e pastrimit të parave. Nuk i tërhiqem iniciativës në këtë ligj. Për ta bërë pjesë të pastrimit të parave dhe të agjencisë nuk jam dakord”- tha Tabaku.

Tabaku tha se kompanitë e ndërtimit në masën 52% nuk i kanë burimet financiare dhe në 60% dyshohet se vijnë nga paratë e pista.

“92% e vlerës së një ndërtimit sot është jashtë sektorit bankar dhe këtë ne duhet ta rregullojmë.  Unë kam propozuar dy ndryshime për këtë.  Unë kërkoj që ata të deklarojnë burimin e parave dhe të mos futen paratë e pista. Ai ka sot cenim më të madh të sigurisë kombëtare se sa kjo. Unë po kërkoj thjesht që pushteti vendor të ushtrojë një funksion që i takon në koordinim me institucionet e tjera. Unë i qëndroj deri në fund kësaj iniciative”- tha Tabaku.

Tabaku u mbështet në këtë qëndrim edhe nga kolegët e opozitës, pavarësisht grupimit.

“Sigurisht që ju nuk keni asnjë problem që ta shkelni ligjin. Kemi miratuar vazhdimisht rregulla ne për pastrimin e parave, nuk është se ka ndryshim. Gjykoj se kemi nevojë të vendosim sa më shumë filtra”- tha Bylykbashi.

“Është dispozitë e gjetur në kohën e duhur. Ta votojmë. Vullneti juaj e pengon. Nuk ju leverdis kjo çështje”- u shpreh Çupi.

“Nëse keni vullnet për të luftuar pastrimin e parave. Që ju do ta rrëzoni këtë iniciativë nuk ka asnjë diskutim, se keni shqetësimin e atyre që japin e lejeve të ndërtimit”- tha Bardhi.

Komisioni i Ligjeve me votat e socialistëve rrëzoi propozimin e deputetes së PD-së

Moneyval, mekanizmi i Këshillit të Europës që bën vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave, në raportin e këtij vitit të publikuar disa javë më parë, i ka dhënë notë pozitive Shqipërisë për masat që ka marrë në përmbushjen e angazhimeve në këtë drejtim.

Në raportin e publikuar nga Këshilli i Europës evidentohet përmbushja e dy rekomandimeve kryesore, 25 dhe 28 të dhëna nga Task Forca e Veprimit Financiar e Moneyval, që lidhen me transparencën dhe pronësisë përfituese si dhe me mbikëqyrjen e bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare.

“Që prej qershorit 2022, Shqipëria ka marrë masa shtesë, duke adresuar mangësitë e rëndësishme në lidhje me administratorët e deleguar që i nënshtroheshin kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe aksesin e thjeshtuar në informacionin e pronësisë përfituese për autoritetet kompetente. Për më tepër, Shqipëria ka përmirësuar masat për rregullimin dhe mbikëqyrjen e noterëve dhe agjentëve të pasurive të paluajtshme” shkruhet në raportin e Moneyval që vlerëson progresin e Shqipërisë.

Në këtë kontekst, me përmbushjen e këtyre dy rekomandimeve, sipas Moneyval ,Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e shumicës së mangësive të përputhshmërisë teknike të identifikuara në Raportin e saj të Vlerësimit të Ndërsjellët të vitit 2018.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?