Dan Hutra nuk ka reflektuar dhe është vlerësuar si i parehabilituar edhe pas 1 viti burg për dhunë ndaj bashkëjetueses. Ai nuk ka reflektuar dhe ka qenë problematik gjatë qëndrimit në burg. Ky është përfundimi i një grupi prej 5 specialistësh nga ekzaminimi për sjelljen 6 mujore të të burgosurit Dan Hutra që mban datën 22 dhjetor 2022, pa më shumë se 2 muaj para se të kryente masakrën në Tiranë, kur më 1 mars vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera.
Sipas vlerësimit thuhet se ai është përpjekur të ndërtojë marrëdhënie korrekte me personelin e burgut dhe nuk ka krijuar konflikte, ndërkohë që në lidhje me marrëdhëniet me bashkëvuajtësit ka pasur shumë probleme.
“Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit në Institucion i burgosuri nuk ka manifestuar sjellje e qëndrim korrekt Nuk ka zbatuar rregulloren si dhe nuk ka respektuar bashkëjetesën me të tjerët. Nuk ka reflektuar gjendje të ekuilibruar psiko-emocionale, pasi është ndëshkuar me mase disiplinore Nr. 2563/1 J1.30.09.2022 me motivacion "Përdorime i fjalëve fyese ndaj bashkevuajtësve te tjerë" ndëshkuar me 5 ditw përjashtim nga tw gjitha aktivitetet e përbashkëta, dhe Nr.26821 dt 11.10.2022 me motivacion "Përdorimi i fjalëve fyese ndaj bashkevuajtësve tw tjerë ndëshkuar me 6 (gjashtë) dite përjashtim nga të gjitha aktivitetet e përbashkëta”, thuhet në aktin vlerësues.
Pra Hutra është shfaqur gjithmonë problematik, ai nuk ka respektuar rregulloren, është ndëshkuar disa herë për fyerje ndaj të burgosurve të tjerë.
Në dokument thuhet se komisioni i vlerësimit ka nënvizuar se Dan Hutra ka kryer aktivitete që bien në kundërshtim me Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve, si dhe me rregulloren e brendshme të Burgut "Jordan Misja".
“Është i përfshire ne këshillimet individuale, duke u përpjekur të kontrollojë emocionet dhe gjendjen psiko-emocionale”, thuhet në dokument, i cili nënvizon se ai nuk është i përfshirë në veprimtari punësimi brenda institucionit.
“Nuk shfaq nevoja për te trajtuar ne baze te programeve specifike Besimi fetar/ ndjekja e riteve fetare: Respekton besimet fetare por nuk i praktikon ato”, thuhet në dokument.
Ai vlerësohet se ,e familjaret referon marrëdhënie të mira me te cilët komunikon rregullisht ne telefon dhe ka pasur takime në SKYPE. Vihet re se specialistët thonë se ai nuk paraqet rrezikshmëri për veten, domethënë psikoza vetëvrasëse ndërkohë që vihet theksi se Me sjelljen dhe qëndrimin aktual nuk krijon besueshmëri për një qëndrim korrekt edhe jashtë institucionit.
Dan Hutra, autor i 3 vrasjeve makabër në Tiranë kishte dyshime se ish-gruaja e tij Elena Hysa që të gjithë e njohin me emrin Alketa, ishte në pritje të një fëmije me dikë tjetër. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Report Tv rezulton se ka kryer vizitë mjekësore ku ka rezultuar 45 ditëshe shtatzënë por ai nuk e pranonte se kishin vetëm 28 ditë që ndanin shtratin bashkë.
Teksa dy familje hapën dyert e mortit për 3 gra të vrara nga vrasësi serial Dan Hutra, ekzekutori doli dje para Gjykatës, i qetë, i ftohtë, ndoshta edhe krenar për atë që e quan “larje hesapesh”. Teksa u njoh me masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, pa u shqetësuar ai tha se jo vetëm që nuk është penduar po edhe nëse do kishte mundësinë do e bënte prapë! Hutra i ka parnuar të gjitha akuzat dhe ka pranuar sërish se gjithçka e ka pas planifikuar.
Pasi i masakroi familjen ish gruas së tij Elena Hysa në Paskuqan, Hutra e ‘justifikoi’ aktin e tij monstruoz duke i kërkuar sistemit të drejtësisë që të mos të fusë në burg persona sipas tij të pafajshëm. Ai pretendon se është futur pa arsye në burg për dhunë në familje, kallëzuar nga ish gruaja e tij Elena Hysa.
Dinamika e ngjarjes, si i ekzekutoi 3 gra Dan Hutra:
Mesditën e së mërkurës së 1 marsit në orën 12:15 duke i dhënë një makine “Benz” të zi me targë AA 531 UK, me një kallashnikov dhe thikë brenda saj, është ndalur në zonën e “Astirit” dhe ka plagosur me thikë ish të dashurën e tij Marjana Gurakuqi. Kjo e fundit nuk denoncoi paraprakisht në polici, çka pasoi edhe vrasjet e pandalura të Hutrës.
Më pas, me nxitim dhe me një plan të qartë në kokë, me të njëjtën makinë dhe të njëjtat armë krimi, Dan Hutra është nisur drejt Paskuqanit te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe. Vrasësi i pandalur është futur brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe ka qëlluar me breshëri ndaj tyre pa menduar se kë merr para. Si pasojë ndërruan jetë motra e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të Elena Hysës, gjithashtu 30-vjeçare, Hasime Dafku. Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë.
Masakra ka vijuar edhe më tej. Ky vrasës i rrezikshëm i arratisur me makinën Benz të zi dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti. Ishte vëllai i saj Vladimir Kurti që sqaroi në një telefonatë nga qelia, ka treguar se ka pasur një debat të ashpër me Dan Hutrën teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg, madje e kishte kërcënuar herë pas here se do i vriste motrën. Dan Hutra u kap 7 orë pas masakrës në zonën e Landfillit të Sharrës.
Kush është Dan Hutra?
Dan Hutra është një njeri i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale! Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë", i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash. Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023. Mbetet mister si u lirua ky monstër.