Danimarka dhe Shqipëria marrin biletat për Euro 2024, Polonia jashtë! Italia mund 5-2 Maqedoninë dhe ka finalen kundër Ukrainës

17 Nëntor 2023, 22:59| Përditesimi: 18 Nëntor 2023, 11:08

  • Share

Europiani 2024 ka zhvilluar ndeshjet e radhës në grupe. Pas paraqitjeve të mbrëmjes së sotme, Danimarka dhe Shqipëria kanë marrë të drejtën për të shkuar në fazën finale.

Barazimi 1-1 i Shqipërisë në Moldavi i ka dhënë pikën që kuqezinjtë kërkonin dhe për herë të dytë do jenë në një Europian. Nga ana tjetër, në grupin H Danimarka fitoi 2-1 me Slloveninë dhe merr një biletë për në Gjermani. Si kryesuese e grupit me 22 pikë dhe Kazakistani që është i treti me katër pikë më pas me një ndeshje të mbetur, danezët kalojnë më tej.

Në grupin C, Italia mundi 5-2 Maqedoninë e Veriut në stadiumin "Olimpik" në Romë. Djemtë e Spallettit shënuan tre herë në pjesën e parë me Darmian dhe dopietën e Chiesa. Në fraksionin e dytë ballkanasit u zgjuan dhe gjetën dy herë rrjetën me Atanasov në minutat 52 dhe 74, për të trembur të kaltrit. Më pas Italia sulmi dhe shënoi me Raspadorin dhe El Shaarawy në fundin e lojës. Me 13 pikë, Italia mban vendin e dytë me pikë të barabarta sa Ukraina, teksa dy skuadrat përballen mes tyre në ndeshjen e fundit që është një finale. Me Anglinë të kualifikuar në grupin C, Italia dhe Ukraina do diskutojnë biletën e Euro 2024.

Në grupin E, Çekia dhe Polonia barazuan 1-1, duke i bërë një nder Shqipërisë, që edhe me një pikë të hënën kundër Ishujve Faroe do mbante vendin e parë në grup. Polonia "lan duart" nga Euro 2024 nëpërmjet grupeve dhe shpreson te play-off i Ligës së Kombeve. Nga ana tjetër, Çekia dhe Moldavia kanë një finale të hënën, për të mësuar se cili ekip do ndjek Shqipërinë në Gjermani nga ky grup.

Rezultatet e mbrëmjes

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?