‘Darka e të marrëve’, komedia e dramaturgut francez premierë në teatrin e Vlorës! Aktori Bujar Asqeriu rikthehet në skenë pas 20 vitesh

22 Tetor 2022, 16:22| Përditesimi: 22 Tetor 2022, 16:25

  • Share

Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu është rikthyer në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë pas 20 vitesh mungesë, pikërisht aty ku nisi karrieren.

“Pas 20 vitesh kthehem. Sigurisht, dëshira nuk më ka munguar asnjeherë, sepse unë përveç Vlorës kam luajtur dhe në Fier  dhe në kompani të ndryshme private gjithandej. Aq më tepër në teatrin tim, që ky teatër më rriti. Këtu hodha hapat e para. Të përballesh me publikun tënd është e mbrekullueshme”, shprehet aktori Bujar Asqeriu.

Komedia brilante e dramaturgut franzes Francis Veber “Darka e të marrëve” erdhi me interpretimin e shkëlqyer të aktorëve të teatrit dhe regji të Roland Minges. Mesazhi kryesor që përcjell komedia është rikthimi i njeriut tek personaliteti i tij, në përballje me kostumin e pushtetit, ndërsa për regjisorin suksesin e saj komedia e tregoi me duartrokitjet e publikut në sallë.

“Të shikosh sallën plot është një kënaqësi e paparë për të gjithë ne, sidomos për aktorët që kanë derdhur një djersë të paparë me këtë pjesë. Është një pjesë shumë e vështirë nga pikëpamja e finesës, frakturave. Ata kanë bërë një punë kolosale”, thotë regjisori Roland Minga.

“Jam shumë i kënaqur, shumë i gëzuar për vete për trupën për të gjithë kolegë pasi është një shfaqje e bukur, brilante”, tha aktori Artan Islami.

Premierà “Darka e të marrëve” do të vijojë të shfaqet për artdashësit vlonjatë përgjatë fundjavës, 22 deri 23 tetor  në teatrin “Petro Marko” të Vlorës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?