DASH shpall listën e zezë për Ballkanin, 5 zyrtarë non grata, mes tyre edhe Nikola Gruevski 

11 Prill 2022, 16:49| Përditesimi: 11 Prill 2022, 17:24

  • Share

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur listën e zezë për Ballkanin Perëndimor, ku njofton s eka futur në listën e zezë 5 zyrtarë në Bosnjë Hercegovinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, mes tyre edhe ish kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i përfshirë në korrupsion. Gjatë periudhës si kryeministër në vitet 2006 deri në vitin 2016, DASH thotë se Gruevski është përfshirë në korrupsion, pastrim parash, por edhe në vepra të tjera penale. DASH thotë se Gruevski ka penguar arrestimin e tij nga gjykata e Maqedonisë së Veriut.

DASH ka shpallur 'non grata' edhe 5 zyrtarë të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Në Bosnje Hercegovinë janë futur në listën e zëzë deputeti Asim Sarajlic dhe ish- kryeprokurorja Gordana Tadiç.

BOSNJE-HERCEGOVINË

Pas përcaktimeve të Thesarit në 5 janar 2022 për Milorad Dodik dhe një ent biznesi nën kontrollin e tij, OFAC sot përcaktoi edhe dy zyrtarë të tjerë të korruptuar në Bosnje-Hercegovinë.

Asim Sarajlic (Sarajlic) është deputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës (BiH) dhe deri vonë ishte një zyrtar i lartë i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) në Bosnjë-Hercegovinë. Sarajlic është subjekti famëkeq i “aferës Asim”, një skandal politik korrupsioni në të cilin Sarajlic u kap duke premtuar se do t’i siguronte një vend pune gruas së një delegati të partisë në këmbim të një vote për një pozicion politik partiak. Sarajlic është marrë i pandehur për vepra të tjera, përfshirë për shpërdorim detyre dhe trafik influence.

Sarajliç ka abuzuar gjithashtu me pozicionin e tij në lidhje me BH Telecom, një ndërmarrje e madhe shtetërore e BiH. Në këtë pozicion, Sarajlic pranoi personalisht pagesë nga aplikantët për punë në këmbim të pozicioneve, si dhe ushtroi ndikim të pavend në procesin e punësimit. Si pjesë e kësaj veprimtarie, Sarajlic rekomandoi kandidatë të cilët raportohet se ishin shumë të pakualifikuar, duke dëmtuar integritetin e kompanisë.

Sarajlic përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.

Gordana Tadiç (Tadic) ka shërbyer si Kryeprokurore e Prokurorisë së Shtetit të BiH nga viti 2019 deri në 2021. Në vitin 2021, ajo u hoq zyrtarisht nga pozicioni i saj nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i Prokurorisë pas dështimit të saj për t’i caktuar çështjet tek prokurorët përmes një sistemi automatik shpërndarjeje të çështjeve, i krijuar për të parandaluar vendimet e caktimit të prokurorëve bazuar në arsye personale ose politike. Përveç kësaj, Tadiç raportohet se përdori pozicionin e saj si Kryeprokurore për të nxitur interesat e saj personale dhe familjare. Për më tepër, ajo dyshohet se ka mbledhur tarifat e strehimit shtetëror përmes një kontrate fiktive.

Tadic përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjëse ose bashkëpunëtore në, ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në veprime apo politika që minojnë proceset apo institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor.

MALI I ZI

Svetozar Marovic (Marovic) ka qenë President i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri në 2006 dhe shërbeu si ish-zëvendës president i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi (DPS) deri në vitin 2015. Marovic u arrestua nga autoritetet malazeze në 2015 në bazë të dyshimeve për përfshirje në raste korrupsioni në shkallë të gjerë lidhur me projektet e ndërtimit në bashkinë e Budvës. Prokurorët malazezë e akuzuan Marovicin se përdori ndikimin e tij si zyrtar i lartë në DPS për të miratuar një sërë blerje pronash dhe ujdish ndërtimi, të cilat sollën përfitime të mëdha për disa kompani, por shkaktuan humbje të konsiderueshme për qeverinë vendore. Në vitin 2016, Marovic nënshkroi dy marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke pranuar të gjitha akuzat kundër tij për korrupsion. Ai u dënua me disa vite burg dhe u urdhërua t’i kthente shtetit mbi 1 milionë dollarë, por u arratis në Serbi përpara se të vuante dënimin.

Marovic përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.

MAQEDONIA E VERIUT

Nikola Gruevski (Gruevski) është dënuar dhe mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni, dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. Ai e ka shmangur vazhdimisht arrestimin e vet për dënimin e vitit 2018 nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për akuza të lidhura me korrupsionin, gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtues i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Pecel, Hungari.

Gruevski përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete. I.C.I.C. KFT përcaktohet në zbatim të E.O. 14033 sepse është në pronësi të apo e kontrolluar nga Gruevski.

Sasho Mijalkov (Mijalkov) është ish-shefi i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut. Mijalkov dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë të manipulimit të votave dhe një operacion të gjerë përgjimi të paligjshëm që shënjestroi 20,000 njerëz, përfshirë politikanë të opozitës, gjyqtarë dhe gazetarë, që siguroi përfitime politike dhe ekonomike dhe që nxiti një krizë politike dyvjeçare në vend duke zbuluar ndërhyrjen e pretenduar të qeverisë në gjyqësor, kontrollin mbi disa media dhe ndërhyrjen në zgjedhje. Në shkurt të vitit 2021, për shkak të rolit të tij si organizator kryesor i skemës së përgjimeve, ai u dënua nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim kriminal, shpërdorim detyre dhe marrjen e shpërblimeve për ndikim të paligjshëm. Më vonë, në prill 2021, një gjykatë në Maqedoninë e Veriut e dënoi Mijalkovin për shpërdorim pushteti në lidhje me një marrëveshje prokurimi për pajisje survejimi.

Mijalkov përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në veprime apo politika që minojnë proceset apo institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor.


Lajmi kryesor:

DASH shpall 'non grata' Ylli Ndroqin dhe Aqif Rakipin, bllokon pronat e tyre në SHBA! Blinken: Të korruptuar dhe kërcënojnë stabilitetin e Shqipërisë


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?