Venecia - Ata hoqën dorë nga ulja me një hidroplan në basenin e San Marco-s. Edhe ankorimi në bordin e dy jahteve të tyre gjigante Koru dhe Abeona u ndalua gjithashtu për arsye sigurie. Çifti Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez nuk u mbeti zgjidhje tjetër veçse të përdorin helikopterin për të hyrë në Venecia. Për tre ditë radhazi ata do të organizojnë një sërë aktivitetesh përfshirë edhe në një ballo me maska në stilin e shekullit të tetëmbëdhjetë, para ceremonisës së dasmës ku të pranishëm do të jenë 250 miliarderë dhe yje të Hollivudit.
Gjatë orëve të pasdites, Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez mbërritën në aeroportin Nicelli në ishullin Lido, pas një nisjeje nga jahti i tyre luksoz Abeona, i ankoruar pranë bregut kroat të Umagut. Për shkak të masave të rrepta të sigurisë, ata u shoqëruan me dy varka të sigurisë deri në hotelin Aman, me pamje nga ura e Rialtos.Në pallatin Papadopoli, ku edhe po qëndrojnë, çiftit iu rezervua një suitë e veçantë me vlerë 11 mijë euro nata, vetëm për familjarët dhe miqtë më të afërt.
Për çiftin më mediatik të vitit ishte e pasigurt të ndaleshin në aeroportin e Tesseras, i mbingarkuar nga mbi njëqind fluturime private që vinin për ta nga çdo kontinent. Zona pa fluturim, përfshirë edhe dronët, u zgjat deri në Giudecca, dhe vendet e ankorimit për jahtet e mysafirëve në lagunë ishin të gjitha të zëna: pranë atyre që ishin tashmë të ankoruar iu shtuan Limerence, i marrë me qira për 390 mijë euro në javë, vela Royal Clipper e Mikael Krafft dhe Were Dreams i oligarkut rus Andrej Kostin.
Aktivitetet para dasmës që kapin shumën deri 30 milionë euro, çdo ditë janë pritur nga protesta dhe banderola “No Space for Bezos”. Sot është dita e parë me një party-mëngjes në kopshtin me pishinë të Villës Baslini, në ishullin San Giovanni Evangelista. Nga ora 18 deri në mesnatë, do të zhvillohet darka në klostrin privat të kishës Madonna dell’Orto.
Vendi ku po mbahet festa është 'pushtuar' me gazebo të zeza dhe të bardha, ndërsa për dekorin janë përdorur dy kamionë me trëndafila të bardhë.
Vetëm 35 motorë uji të marrë me qira për mysafirët më të pasur të botës – nga Mark Zuckerberg dhe Bill Gates, te yjet e pop-it si Lady Gaga dhe Elton John, aktorët e famshëm Leonardo Di Caprio dhe George Clooney, si dhe personalitete të modës si Anne Wintour, Oprah Winfrey, Oscar de la Renta dhe Dolce & Gabbana - kanë leje për të hyrë në zonë.
Nusja ka planifikuar 27 ndryshime fustani në tre ditë, secila prej tyre rreth 30 minuta, duke krijuar një maratonë të gjatë festive. Nesër në Teatro Verde, ishulli San Giorgio, do të zhvillohet ceremonia e martesës me shkëmbimin e unazave, ku do të ekspozohet unaza prej diamanti 30 karatësh me vlerë mbi 5 milionë dollarë, dhuratë nga Jeff Bezos. Pas ceremonisë do të ketë koncert nga Matteo Bocelli dhe spektakël fishekzjarrësh.
Dhjetëra të ftuar tashmë po shijojnë Venecian me ndalesa në Burano dhe Murano, përfshirë një vizitë në punishten e qelqit, zgjedhje e vajzës së presidentit amerikan, Ivanka Trump.
Festimet kulmohen të shtunën në Arsenale, i blinduar si për samitin G20. Në të njëjtën kohë, prej orës 17:00, pritet marshimi protestues “No Bezos” nga stacioni Santa Lucia deri në Erbaria të Rialtos./La Repubblica
Komente
