Politikë

Vlora miraton në Këshill stadiumin e ri me 4 kulla, PD kundër: E mbushët qytetin me kulla! Dredha: Investimi i domosdoshëm

18 Gusht, 15:47| Përditesimi: 18 Gusht, 17:34

  • Share

Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi me votat e socialisteve projektin për rijetëzimin e kompleksit sportiv “Flamurtari”, pallatit të sportit dhe hapësirave urbane përreth. Vendimi u shoqërua me debate të forta, pasi përveç stadiumit të ri, projekti parashikon edhe ndërtimin e disa kullave shumëkatëshe.

Atird Hoxha, këshilltar i Partisë Demokratike, e kundërshtoi ashpër këtë projekt.

“O Ermal, duhet bërë vetëm stadiumi dhe pallati i sportit, jo stadium me kulla. Për çfarë arsye bëhen këto kulla? 60 mijë metra katrorë zë stadiumi, ndërsa 175 mijë metra është gjithë ndërtimi”, tha Hoxha.

Në përgjigje, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, tha se investimi do të realizohet përmes partneritetit publik-privat dhe se Bashkia do të përfitojë 45 për qind të investimit.

“Ka një logjikë ekonomike, sidomos kur bëhet fjalë për partneritet publik-privat. Bashkia Vlorë do të marrë 45% të investimit. Nuk mund të paragjykojmë sot ndarjen, pasi nuk ka dalë ende leja e ndërtimit. Ka struktura që kanë degraduar prej vitesh, si pishina apo pallati i sportit. Ky është një investim i ri që i jep frymëmarrje qytetit”, tha Dredha.

Një tjetër pikë e nxehtë ishte ajo e banesave private pranë stadiumit, për të cilat opozita ngriti shqetësim se mund të preken nga ky investim.

“Çfarë do të ndodhë me 87 objektet rreth stadiumit? A do shemben? A do dalin njerëzit në rrugë për investitorët strategjikë?”, vijoi Hoxha.

Kryebashkiaku Dredha sqaroi se për momentin projekti trajton vetëm pronat shtetërore dhe jo ato private.

“Ne sot po flasim vetëm për pronat shtet dhe jo ato të privatit. Kjo është një ide paraprake, e cila do të zbatohet me faza, dhe në vijim do të shihet në detaje çdo hallkë e projektit”, tha Dredha.

Me vendimin e sotëm të Këshillit Bashkiak të Vlorës, stadiumi, pallati i sportit dhe pishina kalojnë nën administrimin e Korporatës së Investimeve, e cila do të zbatojë PPP-ne. Kujtojmë se Qeveria shqiptare i ka hapur rrugë ndërtimit të stadiumit të ri që në vitin 2023, ku fituese e projektit u shpall studioja belge XDGA. Ky koncept parashikon jo vetëm një stadium modern, por edhe 4 kulla shumëkatëshe, duke e kthyer zonën në një kompleks të madh sportiv dhe urban.

 

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xxxxx: 18/08/2025 18:29

    Tmerr ky kryetar.Rruget skandal,higjena skandal cfare te thuash me teper ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?