Xhafer Deva dhe shtëpia e tij në Mitrovicë

Debatet për figurën e Xhafer Devës! Ambasadori gjerman e konsideroi 'bashkëpunëtor të nazistëve', pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së tij! BE-UNDP: Ndjesë për çdo ofendim të paqëllimshëm

8 Shkurt 2022, 21:22| Përditesimi: 8 Shkurt 2022, 21:43

  • Share

Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thanë se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut. Ky vendim vjen pas kundërshtimeve për restaurimin e shtëpisë së Devës, figura e të cilit është lidhur me krimet që kryen nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde e ka cilësuar Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë edhe mundësinë për të përdorur situatën aktuale si mundësi që të adresohet hapur e kaluara përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet e rëndësishme. UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e shumta të tyre, përfshirë edhe rritjen e intolerancës ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar që të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin”, thuhet në një njoftim të përbashkët të BE-së dhe UNDP-së.

Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës. UNDP-ja dhe BE-ja tha se qëllimi i projektit ka qenë që të sjellë komunitetet së bashku dhe të kontribuojë në kohezionin shoqëror, duke përdorur trashëgiminë kulturore si një instrument për dialogun midis komuniteteve.

Xhafer Deva ka qenë politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Më 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste. Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili duke kundërshtuar restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, e lidhi figurën e tij me krimet që kryen nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përmes një reagimi, Rohde e cilësoi Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.

“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës, të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, shkroi Rohde në Tëitter.

Për figurën e Xhafer Devës ka interpretime të ndryshme në mesin e studiuesve kosovarë, ku disa thonë se Xhafer Deva nuk mund të lidhet me Holokaustin e viteve 1941-1945, kur nazistët vranë rreth gjashtë milionë hebrenj. Ndërsa të tjerë shprehen se arsyet përse Deva mund të ketë bashkëpunuar me nazistët, ka qenë fakti se shqiptarët nuk i gëzonin të drejtat bazike në periudhën në mes të dy Luftërave Botërore.

Kush ishte Xhafer Deva?

Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.Ai u lind në Mitrovicë në vitin 1904 dhe një pjesë të shkollimit e kreu në Greqi, Turqi dhe Austri.Sipas historianëve, ai ishte i njohur për veprimtarinë e tij nacionaliste dhe ishte antikomunist.Deva udhëhoqi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur, sipas studiueseve, drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave.Në vitin 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva ishte larguar nga Kosova për në Austri, pastaj Itali, Egjipt dhe Siri, prej ku kishte zhvilluar aktivitete politike, kryesisht përmes botimit të gazetave.

Në vitin 1956, ai migroi në SHBA, ku jetoi deri në fund të jetës.

Shtëpia, objekt i mbrojtur

Shtëpia e Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.

Që nga viti 1945 ka qenë në pronësi publike dhe është shfrytëzuar si qendër mjekësore, vendqëndrim për familjet e pastreha, jetimore, ndërsa në një periudhë të caktuar kohore ka shërbyer edhe si ndërtesë komunale.

Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij.

Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë. Ky objekt është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë. Ky objekt është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Komento

Komente

  • Hidtoriani: 08/02/2022 23:05

    Pikerisht pas 67 vjetesh nje tjeter Xhafer Deva i quajtur Sali Berisha vrau 4 protestues ne 21 janar pa permendur vitin 1997 ku krimet qe kreu ja kaluan 4 shkurtit 1944.

    Përgjigju
  • Lui: 08/02/2022 22:38

    Ta degjojne pak kete ambasadorin gjerman keta patriotet tane ketej nga katundi yne. Sepse e nxjerrin patriot Xhaferr Deven sepse thone qe e kane bere komunistet historine.

    Përgjigju
  • Historia: 08/02/2022 22:25

    Ne tirane eshte nje rruge qe quhet Deshmoret e 4 Shkurtit ne nder te viktimave te pafajshme te vrara me urdher te kosovareve bashkepuntore te fazhizmit Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica. Duhet te kujtohet nje diplomat gjerman per ti treguar shqiptareve qe kolaboracionistet kriminele lufte nuk mund te rehabilitohen sic po ndodh sot rendom ne shqiperi. Historia flet qarte se ne krahun e kujt ishin reshtuar popujt dhe ne krah te kujt kolaboracionistet qe sot hiqen si viktima te komunizmit. E gjithe bota demokratike dhe komuniste i pushkatoi keta njerez.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?