TIRANË- Kuvendi u përfshi ditën e sotme nga debate pasi Lindita Nikolla njoftoi shkresën e Partisë Demokratike se Lulzim Basha është kreu i grupit, por u kundërshtua ashpër nga Bardhi. Anëtari i Kryesisë së PD, Gentian Gaba tha në emisionin ‘Përballje’ në Report Tv me gazetaren Besmira Pelushaj, se ku debat është ezauruar dhe se tashmë kreu i grupit është Lulzim Basha sipas vendimit të Kuvendit Kombëtar. Gaba thotë se dera është e hapur për të gjithë demokratët, por duhet të respektojnë vendimet që janë marrë nga instancat.
“Vendimet e kuvendit mbështetën ndryshimet statutore që lejojnë atë që u konkretizua sot, s’ka konfuzion. Basha do mbulojë edhe funksionet e kreut të grupit, me mundësinë për të deleguar tek një nga nënkryetarët. Nëse nuk respektohen vendimet e institucioneve, s’kemi ca t’iu bëjmë. Dera është e hapur, janë të lirë të japin kontributet e tyre, por janë të detyruar të respektojnë vendimmarrjen”, tha Gaba.
Ndërkohë, për analistin Mentor Kikia kjo situatë është komike. Ai thotë se Nikolla njoftoi që grupi i deputetëve të PS kishte zgjedhur kreun e grupit Bledi Çuçin, ndërsa në kampin blu ishte zgjedhur nga vetë Partia demokratike. Sipas Kikisë, kjo nuk ka vlerë dhe se sipas rregullores së Kuvendit, kreu i grupit duhet të zgjidhet nga deputetët.
“Sesioni i ri nisi aty ky është lënë me luftën e brendshme, tashmë e radikalizuar edhe më shumë me zyrtarizmin e ndarjes në 2 apo 3 pjesë. Dy kryetarë dhe tashmë është shndërruar në një lloj komedie politike. Kësaj i mungonte edhe lufta për kreun e grupit. Po ti referohemi rregullores, tha grupi i PS ka zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa thotë PD ka zgjedhur kreun e ri. Te PS e ka zgjedhur grupi i deputetëve, tek PD e ka zgjedhur PD dhe kryetari i PD ja delegon një tjetri. Kjo e fut këtë në pjesën komike. Nëse sipas rregullores e zgjedh grupi i deputeteve, të mblidhen aq sa janë dhe ta zgjedhin.
Ai vendimi s’ka vlerë në parlament. Parlamenti ka rregulloren e vet. Ju mund të merrni vendim apo PS, që kreu i grupit k atë drejtë të flasë një orë më shumë se ai tjetri, por kjo s’ka fuqi se Kuvendi ka rregullat e veta”, tha Kikia.
Ditën e shtunë, Lulzim Basha mblodhi Kuvendin Kombëtar të PD, në mbledhje u miratuan të gjitha ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, ku ndër të tjera kryetari i Partisë Demokratike do të jetë Lulzim Basha, njëherazi edhe kreu i grupit parlamentar. Basha njoftoi sot se detyrën do ia kalojë një prej nënkryetarëve.