Replikat mes Nigel Farage dhe kryeministrit Edi Rama për akuzat e deputetit se “1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, vijuan edhe sot. Pasi deputeti britanik njoftoi se kishte pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë, kryeministri i kërkoi që të caktonin datën, ndërsa i tha se nuk mund t’i përdorë shqiptarët si mish për propagandën lidhur me Brexit.
Duke folur për këto replika, avokati shqiptar në Britani Naim Hasani i cilësoi deklaratat e Farage si politike. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri”, Hasani tha se Farage njihet si një politikan me pikëpamje të ashpra dhe se si ka mbetur gjë tjetër për të përdorur përveç retorikës së ashpër ndaj emigrantëve.
Sipas tij, numri i emigrantëve shqiptarë të paligjshëm drejt Britanisë ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2022, kur pati një “bum” të emigrantëve që shkonin me gomone, një shifër që arriti në mbi 12 500.
“Vitin e kaluar vetëm 577 shqiptarë kaluan ilegalisht drejt Britanisë me gomone krahasuar me 2022 që ishin 12 500 qytetarë. Kemi thuajse frenim totaltë fenonemit të kalimit të shqiptarëve me gomone. Tani kemi ndryshim të situatës dhe Sunak ishte personi që premtoi se do të ndalonte kalimin me varka të emigrantëve të paligjshëm. Duke qenë se e pa të pamundur shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme në Britani dhe rezultati ishte një humbje e thellë e partisë konservatore dhe fitore e laburistëve. Farage e ka profesion zhurmuesin, dhe sa më shumë që të bëjë aq më shumë dëgjohet në konceptin e tij. Është dhe strategu kryesor i referendumit për daljen e Britanisë nga BE dhe i vetmi politkkn nga ata që mbështetën Brexit që është vokal dhe mbron me pasion, kurse të gjithë politikanët e partisë konservatore që e prmovouan me forcë Brexit, sot nuk janë më në pushtet dhe nuk merren me Brexi. E gjithë përgjegjësia i mbetet kryeministrit aktual Starmer dhe Rama duhet t’i përqendrojë energjitë në marrëdhëniet e mira dhe të shkëlqyera dhe të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar, në bashkëpunim me çdo kusht, përfshirë edhe luftën kundër emigracionit dhe bandave kriminale, në kuadër të shtëpive të barit. Farage është i mirë për të vënë në pah këto probleme por nuk ofron zgjidhje.”, u shpreh avokati.
Sipas tij, shqiptarët janë përdorur si "tabelë qitjeje" nga politikanë të caktuar në Britani për të promovuar politikat e tyre ekstreme. Ai tha gjithashtu se Farage nuk pritet që të vijë në pushtet, dhe se opinioni publik britanik ka treguar edhe më herët se është kundër deklaratave të tilla ekstreme.
I pyetur se sa është realisht shifra e shqiptarëve në Britani, avokati tha se në një interpelancë të ambasadorit shqiptar në parlamentin britanik në 2023, u theksua se bëhet fjalë për 140 mijë shqiptarë dhe jo 53 mijë sa pretendon deputeti britanik. Por kjo shifër sipas tij është më e lartë duke marrë parasysh se një pjesë e madhe janë të paligjshëm.
"Si Braverman, si ministri i Emigracionit Robert Jenrick, të dy ishin shumë vokal në mënyrë se si duhet të përbalteshin shqiptarët. Përdoreshin si tabelë qitjeje për promovimin e politikës së tyre ekstreme në një kohë kur s'i kishte mbetur asgjë Partisë Konservatore për t'i ofruar qytetarëve britanikë. Në të njëjtën kohë, ata dy politikanë dështuan me politikat e tyre dhe treguan se ekstremiteti s'ka vend në Britani dhe duke qenë se Farage është i vetmi vokal në mbrojtje të Brexit, s'i ka mbetur asnjë kauzë tjetër veçse të përdorë emigrantët e paligjshëm si skemë frikësimi të qytetarëve britanikë. A është problem emigracioni i paligjshëm? Kriminaliteti? Padyshim, por krimi nuk ka kombësi e shtetësi, kriminelët janë kudo.
Në vitin 2021, janë vetëm 73 mijë shqiptarë të deklaruar se jetojnë në Britani. Duke llogaritur edhe numrin e madh të ardhur kohët e fundit, nuk del aq sa thotë Farage. Në statistikat e marsit 2023, kur ambasadori shqiptar Qirjako Qirko ishte thirrur në parlamentin britanik, Komisioni i Punëve të Brendshme të parlamentit britanik sqaroi se janë rreth 140 mijë që jetojnë në Britani. Nuk dihet ekzaktësisht sa qytetarë nga Shqipëria mund të jenë duke jetuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të aludohet numri ekzakt, përderisa ka shumë ilegalë. Farage i referohet shifrës 53 mijë të publikuara nga The Telegraph, që i referohet shifrave të Ministrisë së Brendshme. Farage nuk i ka shifrat e sakta dhe as Home Office nuk mund ta dijë ekzakt numrin e shqiptarëve, sepse askush nuk e di sa janë të paligjshëm. Debati mund të zhvillohet për ata që janë të ligjshëm dhe që mund të identifikohen, por problemi kryesor është se pjesa më e madhe e të burgosurve shqiptarë, kryesisht për kultivim bimësh narkotike apo trafik droge, kanë jetuar në Britani në mënyrë ilegale dhe kanë mbërritur në Britani vitet e fundit. Pra, nuk kanë lidhje fare me shifrat zyrtare në dispozicion.", u shpreh avokati.
Komente
