Politikë

Deklaratat për Drejtësinë pas arrestimit të Veliajt? Rama: Ishin kritika dhe jo retorikë e ashpër! Nuk kam komente për përgjimet! T’i japim mesazh BE-së me shumicë votash

11 Prill, 14:43| Përditesimi: 11 Prill, 15:23

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe disa prej pyetjeve të bëra në lidhje me deklaratat e dhëna pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj më 10 shkurt nga SPAK dhe akuzave të opozitës.

Ai u shpreh se kritikat e tij kanë qenë të zëshme për atë moment dhe vend dhe janë bërë, por mohoi se ajo ishte retorikë e ashpër ndaj Drejtësisë.

Kryeministri theksoi se fokusi i PS-së tani është fushata e 11 majit, me 30 ditë intensive dhe objektiv marrjen e sa më shumë votave, përtej të majtës dhe të djathtës, pa dallim politik dhe për t’i dhënë mesazh BE-së se shqiptarët e duan anëtarësimin.

Madje kreu i mazhorancës dha edhe mesazh për shqiptarët, që vota që duhej dhënë të ishte më shumë sesa ajo që ka PS-ja, që mesazhi ndaj BE-së të ishte edhe më i qartë.

Arbër Hitaj- Zoti Rama dua t’ju pyes edhe për një tjetër element të rëndësishëm, që ka marrë vëmendjen gjatë kësaj kohe gjatë diskutimeve publike dhe jo vetëm, retorika juaj e ashpër ndaj SPAK dhe drejtësisë së re, deri në krahasime si putiniane në momentet e arrestimit të zotit Veliaj, pastaj një zbutje. Ka një ndryshim, apo çfarë ka ndodhur?

Rama: Nuk kam pasur asnjëherë retorikë të ashpër, unë kam pasur një kritikë të zëshme për ato gjëra që unë kam thënë në atë moment dhe të jesh kritik në mënyrë të zëshme nuk do të thotë fare të kesh retorikë të ashpër dhe as të diskutosh qasjen në tërësi. Kështu që nuk ka ndodhur asnjë gjë, ato kritika që kanë qenë dhe janë bërë, janë bërë dhe kaq. Nuk është ndryshimi i qasjes, nuk ka çfarë të vazhdojë.

Arbër Hitaj: Zoti Veliaj është nën arrest, do jetë një mungesë për Partinë Socialiste në këto zgjedhje apo jo?  

Rama: Nuk kemi fare çfarë të diskutojmë tani, ne jemi këtu, në këtë sallë, sot fillojmë zgjedhjet edhe zyrtarisht, procesin, dhe 30 ditë jemi të fokusuar te 11 maji.

Arbër Hitaj: Kur keni përmendur standardet e drejtësisë, e kishit fjalën edhe për këtë që po ndodh në këto momente, pra dalja në publik e përgjimeve...

Rama: Nuk dua të bëj komente të tilla, se s’jemi fare në atë kohë dhe në atë vend, jemi në një kohë dhe vend tjetër. Kur ishim në atë kohë dhe atë vend, i kam thënë opinionet e mia, tani jemi në një vend tjetër dhe në një kohë tjetër. Është koha dhe vendi për t’u marrë me 11 majin intensivisht dhe për të bindur sa më shumë shqiptarët që 11 maji është përtej të majtës dhe të djathtës, është përtej fanellave të partive, është përtej kufijve të të përditshmes politike, sepse më 11 maj duhet të jemi në gjendje t’u themi të 27 vendeve të BE-së që shqiptarët pa një dallim politik, në një shumice më shumë sesa shumica normale e PS-së, po ju japim mesazhin se duam të mbyllim negociatat sa më parë, duam të futemi në Bashkimin Evropian.


Lajmi kryesor:

Rama intervistë për Report Tv: PD kënetë, më 11 maj humbin edhe më keq! LaCivita turist që s’e di sa ka kushtuar! Asnjë retorikë të ashpër me SPAK, por kritika (VIDEO)


A.Q/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?