Një efektiv i policisë është arrestuar pasi akuzohet se ka dekonspiruar operacionet e policisë, si dhe është i dyshuar për trafik droge. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ekzekutoi mbrëmjen e sotme, 11 nëntor, masën arrest me burg për efektivin Albano Rustemi.
Ky i fundit gjatë kohës që ka nisur hetimi ka qenë me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, por aktualisht ishte polic në Komisariatin e Policisë Dibër. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ai akuzohet për dekonspirim të aksioneve të policisë, përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve, dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandë me mallra të tjera.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit Albano Rustemi, i cili kohën e regjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për:
- dekonspirim të aksioneve të policisë;
- përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve;
- dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;
kontrabandë me mallra të tjera”, njofton AMP.
Vijon hetimi për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
95% e dibrane spiuna jan..I shof edhe ne tiran vetem me spiunlleqe merren.
Përgjigju