Konstitucionalisti Jordan Daci shprehet kundër dekretit të Presidentit Bajram Begaj, që shpalli zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës më datë 9 nëntor.
Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, Daci u shpreh se aktualisht Erion Veliaj nuk quhet i shkarkuar nga detyra pasi ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.
Në momentin që Veliaj e ka dërguar në Kushtetuese këtë vendim, neni 115 i Kushtetutës pezullon çdo vendimmarrje dhe proces deri në një vendim të gjykatës.
Për rrjedhojë, theksoi Daci, nuk ka vakancë në Bashkinë e Tiranës sepse Erion Veliaj nuk quhet i shkarkuar në këtë moment.
“Dekreti i Presidentit është i nxjerrë në shkelje të Kushtetutës dhe shkel nenin 115 të Kushtetutës që përcakton në mënyrën automatike pezullimin e çdo veprimi, sepse sot që flasim z.Veliaj nuk quhet i shkarkuar dhe në Bashkinë e Tiranës nuk ka vakancë. Duhet t’i kishte kërkuar edhe Gjykatës Kushtetuese informacion, që do të thotë nuk mund ta nxirrte dekretin në momentin kur është bërë ankimi.
Neni kushtetues ka epërsi ndaj çdo neni tjetër. Organi që është i ngarkuar me verifikimin e shkaqeve të ligjshmërisë kushtetuese, është Këshilli i Ministrave dhe jo këshilli bashkiak.
Nuk bëhet fjalë për një konflikt midis Erion Veliajt dhe Kryeministrit, por bëhet fjalë për konflikt midis dy pushteteve. Në këtë kuptim, ligjvënësi ka paracaktuar që t’ja çojë drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese. Ky është një konflikt midis dy pushteteve”, u shpreh Jordan Daci.
Konstitucionalisti u shpreh se me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka rastin që të tregojë nëse do të mbrojë Kushtetutën apo të vendosë në diskutim ekzistencën e librit themeltar të shtetit.
“Tani është momenti që Gjykata Kushtetuese për të mbrojtur ekzistencën të veprojë shpejt. Ajo duhet të marrë veprimet e duhura që ta shndërrojë veten e vet në një mjet ankimi efektiv dhe zgjidh çështjen në mënyrë përfundimtare. Kjo çështje është aq e pastër sa të votosh të kundërtën duhet të pranosh që thjesht nuk do t’ia dish më për Kushtetutën. Unë mendoj që ata kanë një shans dhe duhet ta përmbushin me kujdes. O do vendosin që Gjykatën Kushtetuese ta mbajnë dhe ta kemi si organi që na zgjidh probleme ose legjitimojnë gjithë ekzistencën e Kushtetutës. Kjo çështje është test vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë”.
Presidenti Bajram Begaj
Edhe Instituti i Studimeve Publike dhe Ligjore, IPLS, një organizatë që merret me çështjet e drejtësisë, në një postim në rrjetet sociale kritikoi aktin e presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli zgjedhjet me datë 9 nëntor, ndonëse Erion Veliaj e ka ankimuar shkarkimin në Kushtetuese.
Në një postim në platformën “X“ shkruan se “dekreti i Presidentit për të shpallur zgjedhjet në Tiranë, pavarësisht dispozitave të qarta Kushtetuese, ngre shqetësime serioze.“
“Jemi në një moment vendimtar: a do të respektojnë Institucionet ligjin, apo ligji dhe Kushtetuta do tju perkulen atyre?“, pyet Instituti Studimeve Publike dhe Ligjore.
Postimi i Institutit të Studimeve Publike dhe Ligjore
Komente

Po a thotë edhe vetë qe këshilli i ministrave verifikon shkaqet e shkarkimit? Kjo ka ndodhur. Bashkia propozoi, ministria verifikoi, u shkarku. Ça po i beni lemsh njerzit kot m kot.
Përgjigju