Politikë

‘Dekreti i Begajt për Tiranën shkel nenin 115’, Jordan Daci: Erion Veliaj nuk quhet i shkarkuar, Gjykata Kushtetuese të veprojë shpejt (VIDEO)

2 Tetor, 13:30| Përditesimi: 2 Tetor, 14:18

  • Share

Konstitucionalisti Jordan Daci shprehet kundër dekretit të Presidentit Bajram Begaj, që shpalli zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës më datë 9 nëntor.

Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, Daci u shpreh se aktualisht Erion Veliaj nuk quhet i shkarkuar nga detyra pasi ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.

Në momentin që Veliaj e ka dërguar në Kushtetuese këtë vendim, neni 115 i Kushtetutës pezullon çdo vendimmarrje dhe proces deri në një vendim të gjykatës.

Për rrjedhojë, theksoi Daci, nuk ka vakancë në Bashkinë e Tiranës sepse Erion Veliaj nuk quhet i shkarkuar në këtë moment.

“Dekreti i Presidentit është i nxjerrë në shkelje të Kushtetutës dhe shkel nenin 115 të Kushtetutës që përcakton në mënyrën automatike pezullimin e çdo veprimi, sepse sot që flasim z.Veliaj nuk quhet i shkarkuar dhe në Bashkinë e Tiranës nuk ka vakancë. Duhet t’i kishte kërkuar edhe Gjykatës Kushtetuese informacion, që do të thotë nuk mund ta nxirrte dekretin në momentin kur është bërë ankimi.

Neni kushtetues ka epërsi ndaj çdo neni tjetër. Organi që është i ngarkuar me verifikimin e shkaqeve të ligjshmërisë kushtetuese, është Këshilli i Ministrave dhe jo këshilli bashkiak.

Nuk bëhet fjalë për një konflikt midis Erion Veliajt dhe Kryeministrit, por bëhet fjalë për konflikt midis dy pushteteve. Në këtë kuptim, ligjvënësi ka paracaktuar që t’ja çojë drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese. Ky është një konflikt midis dy pushteteve”, u shpreh Jordan Daci.  

Konstitucionalisti u shpreh se me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka rastin që të tregojë nëse do të mbrojë Kushtetutën apo të vendosë në diskutim ekzistencën e librit themeltar të shtetit.

“Tani është momenti që Gjykata Kushtetuese për të mbrojtur ekzistencën të veprojë shpejt. Ajo duhet të marrë veprimet e duhura që ta shndërrojë veten e vet në një mjet ankimi efektiv dhe zgjidh çështjen në mënyrë përfundimtare. Kjo çështje është aq e pastër sa të votosh të kundërtën duhet të pranosh që thjesht nuk do t’ia dish më për Kushtetutën. Unë mendoj që ata kanë një shans dhe duhet ta përmbushin me kujdes. O do vendosin që Gjykatën Kushtetuese ta mbajnë dhe ta kemi si organi që na zgjidh probleme ose legjitimojnë gjithë ekzistencën e Kushtetutës. Kjo çështje është test vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë”.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?