Politikë

Kushtetuta e pezullon shkarkimin e Veliajt, por Begaj shpall zgjedhjet në Tiranë: Duhej të ankohej në Gjykatën Administrative! Më 9 nëntor votim edhe në 5 bashki të tjera (DEKRETI)

1 Tetor, 15:23| Përditesimi: 1 Tetor, 19:18

  • Share

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 9 nëntorin si datë për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë pa kryetar. Në zgjedhje shkon edhe Tirana, pavarësisht se Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin. Por, Presidenca thotë se kjo nuk e pengon të shpallë zgjedhjet, pasi pezullimi i shkarkimit do të vinte vetëm në rast se Veliaj do ishte ankuar në një Gjykatë Administrative, e do të kishte një vendim prej saj.

***

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot (më 1 tetor 2025) datën 9 nëntor për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë dhe në 5 bashkitë e tjera të vendit; Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.

Kujtojmë se për Bashkinë e Tiranës ka një debat në lidhje me ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve të parakohshme. Kjo për shkak se Erion Veliaj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës me vendim të Këshillit të Ministrave.

Presidenti Begaj ndoqi logjikën juridike të përdorur nga qeveria kur shkarkoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, dhe jo të Kushtetutës si ligji më i lartë që shprehet për një rast të tillë.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese ka regjistruar ankimimin e Veliajt sic përcakton neni 115 i Kushtetutës, presidenti Begaj në shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, tha se ai nuk shqyrton meritën e çështjes.

Për pasojë sipas tij, shkarkimi nga Këshilli i Ministrave për shkak të mungesës në detyrë për një periudhë tre mujore nuk hyn në juridiksionin kushtetues për të drejtën e ankimit, por në juridiksionin gjyqësor administrativ.

Kështu, sipas Presidentit, Veliaj do të duhej të ishte ankuar në Gjykatën Administrative, dhe se akti i shkarkimit pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

Mbetet e paqartë se ku e mbështet presidenti interpretimin e tij, përveçse në dokumentacionin shoqërues të vendimit të qeverisë, të cilit i referohet. Por ekspertë kostitucionalistë këmbëngulin se qartazi, shkarkimi i një të zgjedhuri vendor, është përfshirë në Kushtetutë pikërisht si një garanci për të mbrojtur pushtetin lokal nga pushtetet e tjera.

Ish-këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishi, tha se argumenti i Begajt nuk qëndron pasi Kryetari i Bashkisë nuk është një nëpunës, por një i zgjedhur me votë, e për pasojë shqyrtohet përmes hapësirave të kushtetutës.

Edhe Partia Demokratike e quajti puç kushtetues dekretin e Begajt, e përmes nënkryetarit të saj Gazment Bardhit tha se zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit.

Por Report Tv ka mësuar se avokatët e Erion Veliajt do të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, dekretin e Kreut të shtetit, duke kërkuar pezullimin e tij e më pas shpalljen anti-kushtetues.

Pavarësisht përplasjes juridike, palët janë vënë në lëvizje për garën e kryeqytetit. Përballë kandidates socialiste Ogerta Manastirliut, opozita po luan të gjithë gurët për të gjetur një figurë konsensuale mes të gjitha rrymave të saj.

BASHKITË PA KRYETARË KU DO TË KETË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME:
Bashkia Vlorë – Ermal Dredha u dorëhoq
Bashkia Tepelenë – Tërmet Peçi u dorëhoq pasi u zgjodh deputet i PS
Bashkia Cërrik – Andis Salla u dorëhoq pasi u emërua ministër i Bujqësisë
Bashkia Mat – Agron Malaj u dorëhoq pasi u zgjodh deputet i PS
Bashkia Berat – Ervin Demo u dorëhoq pasi u zgjodh deputet
Bashkia Tiranë – Erion Veliaj u shkarkua me motivacionin e mosparaqitjes në punë
KRONOLOGJIA E NGJARJEVE PËR BASHKINË E TIRANËS:
11 shtator 2025 – Në Asamblenë e PS, Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës të niste procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt. Ogerta Manastirliu prezantohet si kandidate e PS për kryeqytetin.
17 shtator 2025 – Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës organizojnë mbledhje në selinë e PS për të diskutuar për nisjen e procedurës së shkarkimit të Erion Veliajt. Motivacioni: Aktivizimi i nenit 62 të qeverisjes vendore me mosparaqitjen në detyrë të kryebashkiakut për 3 muaj.
23 shtator 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës shkarkon Erion Veliajn me 50 vota. Kryebashkiaku Veliaj nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje.
24 shtator 2025 – Prefekti i Tiranës i dërgon Qeverisë propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt.
25 shtator 2025 – Këshilli i Ministrave shkarkon nga detyra Erion Veliajn.
29 shtator 2025 – Erion Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
30 shtator 2025 - Qeveria njofton zyrtarisht Presidencën për vakancën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Njoftimi zyrtar i Presidencës:

Presidenti i Republikës dekretoi sot ditën e dielë, datë 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator 2025.

Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë.

Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.

Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese),  pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.

Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.

Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.

Duke shpallur zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti i Republikës bën thirrje për një fushatë konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor, sikurse shpreh dëshirën që qytetarët e këtyre bashkive të përfshihen gjerësisht dhe të votojnë masivisht në këto zgjedhje.

 

 

 

Ora 19:08
Begaj shpalli zgjedhjet për Tiranën, avokatët e Veliajt do dërgojnë në Kushtetuese dekretin e Presidentit

1759338697_1758635907erionveliajnkshillbashkiak.jpeg

Pasi Presidentit Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Report Tv mëson se avokatët e Erion Veliajt janë vënë menjëherë në lëvizje.  

Sipas burimeve, pala mbrojtëse e Veliajt do të dërgojë në Kushtetuese dekretin e Presidentit, si e vetmja gjykatë që i jep zgjidhje çështjes.

“Nëse do të interpretojmë që neni 62 i ligjit organik shton shkaqe të tjera veç atyre që përcakton Kushtetuta, kjo është antikushtetuese, sepse vete neni 115 nuk përmban shprehjen “shkaqe të tjera përcaktohen me ligj”, thotë burimet për Report Tv.

Presidenti Begaj i dekretoi zgjedhjet për Tiranës me argumentin se shkarkimi i Erion Veliajt me motivacionin ‘mosparaqitje në detyrë’ duhet të trajtohet nga Gjykata Administrative dhe jo nga Gjykata Kushtetuese, siç në fakt Veliaj e ka dërguar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, pasi e konsideron të paligjshëm.

Por juristët shprehen se shkarkimi nga detyra i kryebashkiakut të Tiranës nuk mund të trajtohet si çështje administrative pasi Veliaj nuk ishte nëpunës civil, por i zgjedhur vendor në detyrën e kryetarit, gjë që trajtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Ora 17:05
Begaj dekretoi zgjedhjet për Tiranën/ Reagon ish-këshilltari ligjor i Presidencës: Bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë, jo një nëpunës civil

1759330895_bledardervishaj.jpg

Ish-këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, thotë se shkarkimi nga detyra i Erion Veliajt nuk mund të trajtohet nga Gjykata Administrative pasi nuk është nëpunës civil, por i zgjedhur vendor si kryebashkiak.

Si e tillë, thotë Bledar Dervishaj, rasti parashikohet nga Kushtetuta.

" Këtu nuk jemi perpara rastit të shkarkimit nga puna të një të punësuari, sipas Statusit të Nëpunësit Civil apo Kodit të Punës, dhe po diskutohet nëse është Gjykata Administrative apo Gjykata Civile ajo që do trajtojë rastin. Jemi përpara një rasti të shkarkimit të një të zgjedhuri vendor me votë-Kryetar Bashkie, organ që parashikohet nga Kushtetuta. Sipas meje çdo institucion që ka trajtuar rastin deri më tani, e ka konsumuar një shkelje me karakter kushtetues, duke cënuar të drejta e liri themelore", shprehet Dervishaj. 

Ky reagim i Dervishajt vjen si përgjigje ndaj dekretit të Presidentit Bajram Begaj, i cili dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, duke anashkaluar faktin që Erion Veliaj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij, që sipas Kushtetutës parashikohet pezullimi i çdo vendimi tjetër. Por Begaj, në dekretin e tij për datën e zgjedhjeve të parakohshme, argumentoi se Erion Veliaj u shkarkua me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë, rast që sipas tij, trajtohet nga Gjykata Administrative dhe jo Kushtetuese. 

Reagimi i Bledar Dervishajt:

Të nderuar miq dhe gazetar,

I mirëkuptoj dhe i respektoj plotësisht kërkesat tuaja për një mendim, koment apo opinion publik apo privat lidhur me dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në të 6 Bashkitë, përfshirë dhe zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Tiranë.

Para së gjithash ju falenderoj për respektin dhe besimin profesional që keni ndaj meje.

Lidhur me këtë çështje qe mesa duket do të jetë temë edhe për disa ditë, mendoj se së pari është në detyrimin e atyre që marrin vendime që të miratojnë lejimin e stafit të tyre për të sqaruar publikisht vendimarrjet institucionale.

Personalisht, përsa kam ushtruar detyrën e Këshilltarit Ligjor në Presidencë, deri në 24 korrik 2022, kam mbrojtur e sqaruar në publik të gjithë aktet dhe dekretet e rëndësishme të Kreut të Shtetit, si në Kuvend, në studio televizive kudo ku jam ftuar, Gj.Kushtetuese, apo dhe në Komisionin e Venecias sëbashku me kolegë të tjerë të nderuar, pa ju shamngur asnjë pyetje me rëndësi për interesin publik dhe qytetar.

Në rastin konkret, ata që duhet të flasin të parët dhe të shprehin qëndrimin e tyre, janë ish funksionari që është prekur nga këto vendime të deritanishme dhe/apo përfaqësuesit e tij ligjor, subjektet politike që do vlerësojnë marrjen ose jo pjesë në garën politike tashmë të dekretuar, dhe çdo institucion tjetër kushtetues apo subjekt tjetër që legjitimohet ti drejtohet Gjykates Kushtetuese.

Këtu nuk jemi perpara rastit të shkarkimit nga puna të një të punësuari, sipas Statusit të Nëpunësit Civil apo Kodit të Punës, dhe po diskutohet nëse është Gjykata Administrative apo Gjykata Civile ajo që do trajtojë rastin.

Jemi përpara një rasti të shkarkimit të një të zgjedhuri vendor me votë-Kryetar Bashkie, organ që parashikohet nga Kushtetuta. Sipas meje çdo institucion që ka trajtuar rastin deri më tani, e ka konsumuar një shkelje me karakter kushtetues, duke cënuar të drejta e liri themelore.

Nëse kjo çështje hyn apo jo në juridiksion kushtetues këtë duhet ta thotë vetëm Gjykata Kushtetuese, në rast se, një ankim i kësaj natyre rezulton i administruar nga subjekti i prekur brenda afatit.

Ky është mendimi im modest mbi këtë rast!

Ju përshëndes me dashamirësi dhe respekt

Ora 16:50
Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë, Alibeaj: Dekret i turpshëm, jemi pa President e Gjykatë Kushtetuese

1759259840_enkelejdalibeaj.jpg

Enkelejd Alibeaj e cilëson të turpshëm dekretin e presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë më datë 9 nëntor. Në një reagim të shkurtër për Report Tv, Alibeaj thotë se zyrtarisht jemi në diktat, pa President e Gjykatë Kushtetuese.

‘I turpshëm! Tashmë jemi pa zgjedhje të ligjshme, pa president, pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa kushtetutë! Zyrtarisht në diktat”, thotë Alibeaj.

Ora 16:24
Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë, Bardhi: Puç kushtetues, robot që komandohet nga Rama

1758195496_WhatsAppImage20250918at13.36.04.jpeg

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi reagoi menjëherë pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet në Tiranë dhe 5 bashki të tjera të vendit. Bardhi thotë se shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, Begaj ka kryer puç Kushtetues. Ai akuzon Begaj si një robot që komandohet nga Rama.

“Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.

Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues.

Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”, shkruan Bardhi.

SI.E./V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pellazg: 01/10/2025 17:28

    Ja dhe kjo u be, kaq e pat, po me tej? Apo nja 3 dite zhurme neper media e kaq, fillin fushata e fiton ogerta pastaj, dihet ajo pune. Popull heroik ne pellazget,ske çi ben.

    Përgjigju
  • Kushtetute: 01/10/2025 16:15

    nese Kushtetuesja liron dhe kthen ne puné Veliajn do ishte mire opozita e bashkuar te vendoste Lali Erin si kandidat kunder kandidatit te mazhorances! Ne Mat opozita ka opsion shume te mire Barbara Doda politikane e re ! Ne Vlore vendosni kandidat ate djalin e ri qe protestoj kunder bashkise para ca ditesh !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?