Presidenti Bajram Begaj thotë se vendimi për të dekretuar zgjedhjet e parakoshshmë në Tiranë ka ardhur pas një analize të mirëfilltë juridike, e cila ka konkluar në faktin se kreu i shtetit duhet të ushtrojë të drejtën kushtetuese për nxjerrjen e dekretit.
Në një intervistë për Grida Dumën në emisionin “Top Story” presidenti tha se shkarkimi i Erion Veliajt nga Këshilli i Ministrave me propozim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, është i bazuar në nenin 62, gërma c, të ligjit për qeverosjen vendore dhe nuk lidhet me shkaqet që parashikohen në nenin 115 të Kushtetutës.
Për Begajn dekreti nuk është në kundërshtim me nenin 115, pika 2, të Kushtetutës, pasi Gjykata Kushtetuese nuk ka publikuar asnjë vendim mbi rastin.
“Unë mendoj që nuk mund të vendoset balancë midis dekretit të presidentit dhe vendimit të GJK. Patjetër që kryetari i bashkisë është shkarkuar me një vendim të Këshillit pas propozimit të bërë në Këshillin bashkiak i cili me votat e pozitës dhe opizitës gjetur si shkak ligjor mosparaqitjen në detyrë. Po kështu qeveria nga ana e saj në vendimin e shpallur merr në analizë si shkak jo shkakun politik të lidhur me nenin 115 të kushtetutës, por thotë që shkarkimi nga detyra është bërë me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë, kemi të bëjmë me nenin 62 pika C. Është konsultuar me ekipin tim dhe është marrë në analizë çdo pretendim në media dhe i palëve të caktuara, të cilat pas diskutimi tepër aktiv, më sigurojnë që duke respektuar parimet kushtetuese, presidenti duhet të ushtrojë të drejtën për nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakohshme. Me nxjerrjen e dekretit nuk i është mohuar e drejta palëve për të çuar në instancat ligjore çdo pretendim të mundshëm. Gjykata Kushtetuese shprehet me vendim dhe asnjë vendim i tillë nuk është marrë”,- tha Begaj.
Presidenti i Republikës hezitoi të japë një përgjigje se çfarë mund të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese shpall të antikushtetues dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, por tha se vendimin e tij do ta mbrojë plotësisht në çdo rast.
“Unë nuk mund të aludoj mbi vendimin e GJK është në të drejtën e vet të zbatojë detyrimin ligjor, ajo që ne sigurohemi kur nxjerrim një akt, është të marrim përbazë çdo pretendim dhe nëse ky akt i presidentit do të shkojë në një instancë ankimuese për të mbrojtur qëndrimin tonë në çdo rast”,- tha Begaj.
Komente
