Politikë

Zgjedhjet në Tiranë, Veliaj kërkon në GJK pezullim të dekretit të Begajt: Të shpallet antikushtetues

2 Tetor, 12:02| Përditesimi: 2 Tetor, 18:00

  • Share

Erion Veliaj bëri hapin e radhës. Betejën e tij ligjore kundër shkarkimit që e konsideron të paligjshëm e ka tashmë edhe me Presidentin. Përmes një shtesë objekti në ankimin kundër shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku i Tiranës kërkon pezullimin e dekretit të Begaj për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës përmes një sigurim padie dhe kërkon shpalljen antikushtetuese. Garancinë thotë se ia jep kushtetuta të cilën Presidenti sipas tij e ka shkelur.

“Presidenti, përmes dekretit objekt shqyrtimi, ka vepruar sikur kjo garanci të mos ekzistonte .Ky veprim përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në garancitë kushtetuese të një të zgjedhuri me votë të lirë, duke cenuar njëkohësisht: (i) të drejtën themelore për të mos u shkarkuar arbitrarisht dhe për t’iu garantuar një shqyrtim i plotë nga Gjykata Kushtetuese përpara se shkarkimi të prodhojë pasoja të pakthyeshme“,- thuhet në ankimimin e Veliajt.

Kreu i shtetit i dekretoi zgjedhjet për kryeqytetitin, pavarësisht se Veliaj e kishte ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për ta shkarkuar, me agrumentin se ankesën duket ta kishte bërë në Gjykatën Administrative, e jo në “Kushtetuese”. Por edhe këtu, avokatët e Erion Veliajt kanë argumentet e tyre ligjore.

“Kryetari i Bashkisë nuk është thjesht një funksionar që mban një post administrativ; ai është shprehja institucionale e sovranitetit qytetar dhe mishërim i drejtpërdrejtë i demokracisë përfaqësuese. Për këto arsye, mandati i tij gëzon mbrojtje të posaçme kushtetuese përballë ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror”,- thuhet në ankimimin e Veliajt.

Kryebashkiaku thekson se zbatimi i dekretit të Presidentit, përpara se Gjykata Kushtetuese të ketë vendosur mbi ligjshmërinë e shkarkimit, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda.

"Pasojat e mundshme janë:

(1) Organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakancë juridike do të ishte një proces nullus effectus, i paqëndrueshëm juridikisht, që do të cënonte integritetin e sistemit zgjedhor dhe do të vinte në dyshim çdo rezultat të dalë prej tij.

(2) Institucionet shtetërore, përfshirë KQZ-në, do të detyroheshin të shpenzonin burime njerëzore, administrative dhe financiare për zbatimin e një dekreti potencialisht antikushtetues, duke prodhuar dëm publik të pajustifikuar.

(3) Qytetarët e Tiranës do të përballeshin me një proces zgjedhor të imponuar politikisht, mbi një mandat ende në fuqi, duke cenuar besimin në rendin kushtetues dhe duke krijuar pasiguri politike e institucionale, përfshirë rrezikun e anulimit të mëvonshëm të zgjedhjeve si të pavlefshme",- argumentojnë avokatët e Veliajt,

Këshilli i Ministrave shkarkoi më 25 shtator nga detyra me kërkesë të Këshillit Bashkiak të Tiranës Erion Veliajn. 4 ditë më vonë kryebashkiaku ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë. Veliaj pretendon për një proces të parregullt ligjor, pasi jo vetëm nuk është dëgjuar, por sipas tij nuk është marrë në konsideratë neni 115 i Kushtetutës, i cili parashikon se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet për shkak të shkeljeve të rënda. Veliaj thotë se jo vetëm që nuk ka shkelje të provuara, por edhe mungesa e tij në punë, që u bë shkak për shkarkim, nuk varet nga vullneti i tij.

Edhe pse neni 115 pezullon shkarkimin e Veliajt, Begaj nuk priti Kushtetuesen dhe dekretoi datën 9 për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë. Presidenca argumenton se pezullimi i shkarkimit do të vinte vetëm në rast se Veliaj do ishte ankuar në një Gjykatë Administrative, e do të kishte një vendim prej saj.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 16:29
PD e quan antikushtetues dekretin e Begajt për zgjedhjet në Tiranë, por s'e dërgon në Gjykatën Kushtetuese

1758277167_seliaepd.jpg

Ndonëse Partia Demokratike e konsideroi antikushtetues dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, burime bëjnë me dije se nuk ka në plan që ta dërgojë në Kushtetuese.

E paqartë nëse është vendim politik apo mungesë besimi te kjo gjykatë, demokratët nuk do ta atakojnë në Kushtetuese shpalljen e zgjedhjeve në kryeqytet, pavarësisht se me një breshëri reagimesh një ditë më parë e quajtën Begajn shkelës të kushtetutës.

Madje, ndonëse pa një kandidat, me shpalljen e zgjedhjeve, PD nis defacto fushatën nga e premtja, kur pritet të mbledhë strukturat e Tiranës.

SI.E./K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Labèria: 02/10/2025 19:22

    Nè rastin mè tè mirè, èshtè mungesè serioziteti nè zbatimin e njè detyre tè ngarkuar. Nè atè mè tè keq, èshtè mosrespektimi i institucioneve tè shtetit dhe i gjykatès kushtetuese, qè po trajtonte kètè çèshtje. President i njè shteti qè funksionon me ligje apo tezgat e gabit? Pèr atè tè parin, nevojitet ca mè shumè sesa dikush qè tè jep pèrshtypjen se nènshkruan mè shpejt sesa tè nevojitet ta lexosh atè kèrkesè, dhe lère pastaj tia kalonte juristève pèr konsultim, qè padyshim janè nè shèrbim tè institucionit.

    Përgjigju
  • Qytetari: 02/10/2025 17:55

    Vetem ne shqiperi degjon qe kryetari bashkis eshte dhe ne burg she ne detyre per gati 1 vit. Dhe kerkon te rri ne detyre.

    Përgjigju
  • simpatizanti: 02/10/2025 17:38

    KE TE DREJTE O ERION VEKIAJ ...BEGAJ ESHTE BERE MASHE E RAMES.....DUAN TE TE BEJNE KURBAN TY DUKE TE FUTUR NE BURG...QE TE SHPETOJNE VJEDHJET QE KANE BERE VETE....KJO ESHTE POSHTERSI...DHE EDI RAMA SHQUHET PER POSHTERSI...LUFTO EDI RAMEN QE TE DALESH NGA BURGU....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?