Kronikë

Delvinë/ Ndezën zjarrin që dogji 18 banesa, kishën dhe 20 mijë rrënjë ullinj, nisin hetimet për 3 autorët (EMRAT)

30 Korrik, 13:39| Përditesimi: 30 Korrik, 14:11

  • Share

Delvinë- Policia e Delvinës ka nisur hetimet për tre persona të cilët dyshohen se ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se autorët e dyshuar janë identifikuar si Alfred Muçi, Serjan Çepe dhe Dilaver Guga.

Si pasojë e përhapjes së flakëve nga data 24 deri më 28 korrik, zjarri përfshiu zonat përreth dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në fshatrat Senicë, Tatëzat, Vergo, Kopaçez dhe në malin e Galishtës.

Nga verifikimet paraprake rezulton se janë djegur 18 banesa (të banuara dhe të pabanuara) në Senicë, një kishë, rreth 20 000 rrënjë ullinj dhe 200 koshere me bletë.

Prej më shumë se një jave vendi ynë ka qenë nën ‘pushtetin’ e flakëve, veçanërisht në jug të vendit ku situata ka qenë mjaft problematike edhe për shkak të terrenit të vështirë malor.

Zjarret në vend u shuan totalisht vetëm një ditë më parë pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë të gjithë territorin.

Në bilancin e bërë sot, Ministria e Mbrojtes njoftoi se e vetmja vatër aktive është ajo në në Spatharë të Skraparit.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për dokumentimin e një prej rasteve me më shumë dëme të shkaktuara nga zjarrvëniet në qarkun e Vlorës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë vënë nën hetim 3 shtetas, për të cilët ka nisur procedimi penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve”, konkretisht:

A. M., 56 vjeç, D. G., 60 vjeç dhe S. Ç., 34 vjeç, banues të tre në fshatin Kalasë, Delvinë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas, më datë 24.07.2025, rreth orës 02:00, kanë ndezur zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë, Delvinë, ku si pasojë e përhapjes së flakëve për disa ditë me radhë (24–28 korrik), zjarri ka depërtuar në fshatrat Senicë, Tatëzat, Vergo, Kopaçez dhe në malin e Galishtës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Nga verifikimet paraprake rezulton se janë djegur: 18 banesa (të banuara dhe të pabanuara) në fshatin Senicë, 1 kishë, rreth 20 000 rrënjë ullinj dhe 200 koshere me bletë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për të përcaktuar dhe provuar përgjegjësinë penale të çdo shtetasi të përfshirë në këtë ngjarje, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë së plotë ligjore të autorëve.

Vijon puna për verifikimin e plotë të të gjitha dëmeve të shkaktuara nga zjarri, në bashkëpunim me Bashkinë Delvinë dhe institucionet përgjegjëse.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vendimi: 30/07/2025 14:14

    Jane terroriste! Te pushkatohen oa gjyq!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?