Të paktë janë demokratët që përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të 11 majit e kërkojnë mes tyre. Shumica prej atyre që mbetën jashtë parlamentit pa mundur të siguronin një mandat, ose flasin për farsë elektorale, ose e anashkalojnë këtë çështje.
“Keqardhje e madhe nuk arrin të triumfojë vota e lirë, që ndodh një masakër e madhe elektorale. Nëse do jetë Lindita Metaliaj në parlament nuk është ndonjë çështje e madhe. E rëndësishme do të ishte të fitonin qytetarët, të fitonin ndryshimin dhe të kishte një rotacion të madh politik për t’i sjellë zhvillim të ri Shqipërisë”, thotë Lindita Metaliaj.
“Jeta nuk është vetëm parlament ka plot hapësira të tjera” , thotë Edmond Spaho.
I vetmi që përgjegjësinë e lidh direkt me kryetarin e Berisha është Ferdinad Xhaferri, një ndër zërat më kritikë në Partinë Demokratike.
“Keqardhje ndjej për faktin ku ndodhet vendi sot. Keqardhje ndjej për faktin që opozita pësoi një humbje turpëruese. Keqardhje ndjej për faktin që po flasim që zgjedhjet u manipuluan, por nuk flasim për zgjidhjet. A mundet të jetë zoti Berisha zgjidhje? A mundet të largohet sipas logjikës së zotit Berisha, zoti Rama që është i korruptuar dhe që ka manipuluar zgjedhjet për tu zëvendësuar nga zoti Berisha që si DASH ashtu edhe Britania e kanë shpallur të padëshiruar për korrupsion?”, shprehet Xhaferraj.
Të tjerë demokratë që u larguan për të krijuar familjet e tyre politike, e shohin si parlamentin e ri produkt të pazarit Rama-Berisha.
Enkelejd Alibeaj, thotë se largohet me kokën lartë.
“E rëndësishme është se si del, dhe unë dal me kokën lartë. Ata që mbeten këtu janë pazarxhinjtë, kështu e gatuan, bashkë e gatuan, ia arritën qëllimit ta pranojnë këtë. Fitoi Rama, fitoi Berisha, humbën shqiptarët, preja e radhës është drejtësia” u shpreh Alibeaj.
Për pazar flet edhe deputetja Merita Bakiu, ndër të paktat mbështetëse që i mbetën Lulzim Bashës dhe Euroatlantikëve.
“Pakti Rama-Berisha i la demokratët në rrugë”, tha Bakiu
Situata është shumë më ndryshe për Monika Kryemadhin, e cila në këto zgjedhje nuk garoi vetë, por fushatë bëri për ish-bashkëshortin, Ilir Metën që kandidoi nga burgu dhe humbi.
“Nuk shoh ndonjë përgjegjësi për humbjen e mandatit të Metës, sepse nuk kam qenë drejtuese e fushatës së tij. Kam qenë një nga personat që kërkonte votë për Ilir Metën. Nuk kam asnjë lloj keqardhje që s’do jem në Parlament, sepse karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës dhe e askujt, por është e lëvizshme dhe vijon të lëvizë.”, përfundoi Kryemadhi.
Komente
