Disa ligjvënës, që u rikthyen sot në parlament, nuk do të jenë pjesë në shtator. Teksa po hynin brenda Kuvendit, për seancën e parë plenare pas zgjedhjeve të 11 majit, disa prej tyre që fituan apo humbën, iu përgjigjën interesit të gazetarëve që ndodheshin jashtë se si e kanë parë ata këtë proces zgjedhor.
Deputeti socialist Toni Gogu, i cili humbi për shkak të kuotës gjinore, tha se nuk ka asgjë për të ardhur keq, ndërsa shtoi se shërbesën e tij në politike do ta vazhdojë pavarësisht faktit se nuk ka mandat.
“Absolutisht nuk më vjen keq për asnjë gjë. Ka qenë një garë ku PS ka bërë një super rezultat. Unë i kam hyrë politikës për të shërbyer dhe shërbesën mund ta vazhdosh me çdo kapacitet. Ashtu siç i udhëheq perëndia njerëzit e vet. Unë do të jem qytetar aktiv duke ngritur shqetësimet e asaj ku unë banoj erdha nga fshati, do vazhdoj në fshat, dhe do të mbështes ata njerëz që unë banoj dhe që më mbështetën në mënyrë spektakolare.”, u shpreh Gogu.
Enkelejd Alibeaj, që mbeti gjithashtu jashtë parlamentit, tha se do të dalë me kokën lart. Sipas tij, "fitoi Rama, Berisha por humbën shqiptarët".
"Nuk është hera e parë, kam ikur njëherë në 2013 me kokën lart. Edhe njëherë në 2019 me kokën ulur. E rëndësishme është si del, unë dal me kokën lart. Këta që ngelën këtu janë pazarxhinjtë. Kështu e gatuan, bashkë e gatuan. Ia arritën qëllimit. Fitoi Rama, fitoi Berisha, humbën shqiptarët. Preja e radhës është drejtësia.", u shpreh Alibeaj.
I pyetur për angazhim politik, ai tha: 'Rrugët e zotit janë të pafundme. Unë nuk kam ardhur si anonim dhe nuk iki si anonim. Ka shumë mundësi të tjera. Në politikë aktive nuk do të jem, në atë publike nëse më pranoni, pse jo”.
Deputetja Pranvera Resulaj, e cila gjithashtu s'mori mandat, u shpreh shkurtimisht: "Do të vazhdojmë jetën profesionale, mbaroi mandati jo jeta".
Ferdinand Xhaferraj, i cili u tërhoq dhe nuk kandidoi tha se këtë zgjedhje që bëri e ka deklaruar vite më parë dhe se një gjë të tillë do të duhej të bënte edhe Berisha. Sipas tij, një person non grata nga SHBA dhe Britania si Berisha, nuk mund të pretendojë që të mundë Ramën.
"Ka qenë zgjedhja ime e deklaruar vite më parë, që kur kisha moralin për t’i kërkuar zotit Berisha që të bënte një hap më pas dhe më duhej të jepja shembullim tim. E kam deklaruar që s’kam pasur ambicie. Keqardhje ndjej për faktin se ku ndodhet vendi, keqardhje ndjej për faktin që opozita pësoi një humbje turpëruese, keqardhje ndjej për faktin që po flasim për zgjedhje të manipuluara, jo kush është zgjidhja. Mund të bie dakord me të gjitha akuzat që bën zoti Berisha për abuzimin në zgjedhje, por problemi shtrohet se a mundet të jetë berisha zgjidhja. A mundet të largohet Rama e për tu zëvendësuar nga Berisha që si DASH ashtu edhe ministria e Jashtme birtanike e kanë shpallur të padëshiruar. Patrjetër që PD do të ketë zgjidhje. Në këtë gjendje, ka prekur fundin. "
Deputetja Merita Bakiu nga radhët e Bashës, tha se nga "pakti" Rama-Berisha, demokratët ngelën rrugëve. "Më shumë që të bënim një betejë të drejtë më vjen keq vetëm për diçka. Pakti Rama-Berisha i la demokratët rrugëve. Jam me keqardhje për demokratët", u shpreh ajo.
Etjen Xhafaj u 'ngacmua' për një video që publikoi në rrjete sociale duke kënduar. Pyetjes se tani që ka mbetur jashtë parlamentit, do të publikojë ndonjë album, ai tha: "Do ta nxjerr një ditë edhe atë."
Nasip Naço theksoi sërish se me përfundimin e këtij mandati, merr fund edhe karriera e tij politike.
"Do të vazhdoj në profesionin tim. Iu uroj atyre që fituan suksese. Besoj se po çdo gjë ka një fund, kështu që ky ishte edhe fundi im politik.", u shpreh deputeti socialist.
Ndërkohë, Andia Ulliri, e cila ka depozituar një kërkesë në KQZ dhe pretendon mandatin e Arjan Ndojës në Durrës, tha se do të ndjekë të gjitha etapat në zbatim të ligjit.
"Në fakt, duke qenë se vertifikimi ende s'ka përfunduar do të presim një përgjigje të fundit nga KQZ, për të parë sesi do të procedohet me shpërndarjen e mandateve. Meqë jemi dhe së bashku, kam depozituar një kërkesë në KQZ, për çështjen e kodit zgjedhor dhe kuotës zgjedhore. Është dicka që e kam bërë duke e shqyryar me juristë dhe avokatë për të çuar deri në fund zbatimin e ligjit. Duke qenë se është çështje proceduriale do t'i kaloj të gjitha etapat dhe nëse do të marrë vëmendjen e duhur, se bëhet djalë për një kundërshtim të ligjit. Do të ndjekim të gjitha etapat për ta çuar deri në fund", tha Andia.
Ornaldo Rakipi, i cili mundi me një rezultat të ngushtë, Xhemal Qefalian, tha: "Jam më i votuar falë qytetarëve". Edhe Etilda Gjonaj, e cila nuk mori votat e mjaftueshme për të siguruar mandat, u shpreh se "më shumë sesa keq, ndihet falenderuese për të gjithë ata që i besuan votën".
"Patjetër më vjen keq. Por më shumë sesa keq, iu jam falenderuese atyre që më besuan votën dhe më dhanë mundësinë që të kem një rezultat të mirë."
Lindita Metaliaj shtoi: "Keqardhje e madhe që nuk arriti të triumfojë vota e lirë që ndodhi një masakër e madhe elektorale. Nëse do të jetë Metaliaj në kuvend nuk është çështje e madhe, e rëndësishme do të ishte që të fitonin qytetarët, ndryshimin dhe të kishte rotacion politik për t'i sjellë faqe dhe zhvillim të ri Shqipërisë."
Edmond Spaho i PD, që ngeli jashtë parlamentit pas kaq shumë vitesh, tha: "Jeta nuk është vetëm parlament".
Sali Berisha, në fjalën e tij për gazetarët, foli për "strategji" për votën e lirë.
“Përfaqësimi i kauzës së drejtë të shqiptarëve për votën e lirë. Ka vetëm një strategji e objektiv, rikthimi i votës së lirë në kushtet e një narkoshteti të dominuar nga kartelet më të fuqishme në Evropë.”, tha Berisha.
Interesit të gazetarëve nuk i shpëtoi as Monika Kryemadhi, e cila nuk ishte kandidate për 11 majin. Ajo shprehu se nuk ndjen keqardhje, pasi sipas saj, "karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës e as e dikujt tjetër por është e lëvizshme".
Pyetur për rezultatin zhgënjyes të ish bashkëshortit të saj në zgjedhje, Kryemadhi u përgjigj duke thënë se nuk ndjen përgjegjësi dhe se nuk ka qenë lidere e fushatës së tij.
"Nuk shoh ndonjë përgjegjësi të madhe, unë nuk kam bërë dhe nuk kam qenë liderë e fushatës së tij, unë kam qenë një nga personat që kërkonte votë për Ilir Metën.", u shpreh ajo.
Komente
