Në Delvinë dhe Finiq, dy bashkitë që vuajtën më së shumti nga zjarret, ende nuk është bërë bilanci i dëmeve. Për pasojë, edhe dëmshpërblimi për banorët që humbën shtëpitë, bagëtitë dhe pemtoret, duket ende i largët. Ndryshe nga Gramshi, që tashmë ka një bilanc dhe pret fonde nga Qeveria për 68 banesa të djegura, në dy bashkitë e skajit jugor nuk janë kryer evidentime të sakta.
Këtë e pranon Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, i cili në intervistë për mediat tha se për shkak se bashkitë nuk bënë vlerësime të sakta, u janë shpërndarë disa formularë të gatshëm për të ulur marzhin e gabimit në përllogaritje. E njëjta gje eshte dhe në bashkitë; Vlorë, Selenicë e Himarë, të cilat kishin dëme më të pakta.
“Nuk ka një evidentim të plotë. Bashkitë i bënë, por ishin të dhëna të ndryshme, kështu që kemi shpërndarë formularë për të gjitha bashkitë; kjo do të raportohet në prefekturë dhe tek emergjencat civile që të kemi një listë të saktë dhe ndihmat të jenë reale”, tha Prefekti, Plator Nesturi.
Prefekti i Vlorës foli edhe për reformimin e sektorit zjarrfikës, duke e hedhur fajin sërish tek të gjitha bashkitë e qarkut të Vlorës, të cilat sipas tij nuk kanë investuar për pajisje e mjete.
“Zjarrfikësit dhe mënyra e operimit për emergjencat do të reformohen; do të ketë ndarje të re, me krijimin e zonave të reja ku do të jenë të përqendruara mjetet, të cilat do të varen nga Ministria e Mbrojtjes.” Vetë bashkitë duhet të rrisin kapacitetet e tyre, të shfrytëzojnë buxhetet dhe të investojnë në blerjen e mjeteve dhe pajisjeve. Në këtë kuadër, kemi nxjerrë mësime për atë që duhet të rregullohet. Si fillim, duhen blerë mjete 4x4”, shton ai.
Gjatë korrikut dhe gushtit, Shqiperia u përball me situatë kritike nga zjarret dhe sipas Sistemit Europian të Informimit mbi Zjarret janë djegur mbi 17.520 hektarë tokë. Dëmet më të mëdha u shkaktuan në qarkun e Vlorës, me mbi 11.540 hektarë.
Komente

Një ditë po ecja në pyll ne Krrabe. Pashë një bari që po priste pemë të reja për ushqim për shumë dhi. Nuk munda të flisja sepse kishte 4 qen bariu që po më lehnin. O zjarr, o dhi, të dyja janë njësoj këtu! Arsim, arsim, arsim!
PërgjigjuQeveria nuk duhet ti shperbleje , vete personat qe jetojne atje i vene flaken prandaj nuk duhet te shperblehen per zjarvenien e qellimshme tja kerkojne leket atij qe I urdheroi per zjarvenie .