Basha: McGonigal lidhje me aferën e inceneratorëve, padi në SPAK! Rama e pagoi për të më goditur! Spiropali: S'i shpëton dot parave ruse

17 Shkurt, 13:00| Përditesimi: 17 Shkurt, 15:49

  • Share

Një ditë pasi drejtësia amerikane dënoi McGonigal, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama, kreu i PD, Lulzim Basha hedh akuza të reja ndaj tij.

Në një deklaratë për mediat, Basha hedh akuza se ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal është i lidhur edhe me aferën e inceneratorëve. Kryedemokrati thotë se do të bëjnë publik detaje të reja, ndërsa paralajmëroi një tjetër padi në SPAK, krahas padisë që pritet të dorëzojë në SPAK për kryeministrin Rama lidhur me inceneratorët.

“Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq.

Në ditët në vijim do të paraqesim në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve. Me emër e mbiemër të gjitha do ti depozitojmë ne SPAK krahas kallëzimit të paralajmëruar tashmë për përfshirjen personalisht të Edi Ramës në aferën e inceneratorëve siç e ka rrëfyer numri 2 i tij, Arben Ahmetaj”, tha kreu i PD.

Basha deklaroi se McGonigal u korruptua nga Rama me qëllimin e vetëm, që të godiste atë dhe Partinë Demokratike.

"Kryeministri i vendit korrupton shefin e FBI për të sulmuar kryetarin e opozitës. Një histori e tillë nuk është dëgjuar as në vende diktatoriale ku kundërshtari politik shihet si armik. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër të korruptojë shefin e kundërzbulimt të një vendi mik, aleat dhe partner strategjik, me qëllimin e vetëm për të goditur dhe dëmtuar kundërshtarin e tij politik, në këtë rast Lulzim Bashën dhe PD", tha Basha. 

Një 'thumb' e kishte edhe për grupin e Rithemelimit. 

Drejtësia amerikane ka zbardhur në detaje gjithë operacionin kriminal që dirigjohej nga zyra e Edi Rames, ushqyer dhe mbështetur edhe nga disa gjoja opozitarë që sot shesin moral. Dënimi i ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, nga Gjykata Federale e Uashingtonit nxori në pah luftën e paprinciptë dhe të pamoral të Edi Ramës ndaj opozitës shqiptare dhe veçanërisht ndaj meje si drejtues i saj.

Gjykata federale e Uashingtonit dënoi të premten, 16 shkurt, me 28 muaj burg ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës

Sot jam para jush për të komunikuar për një çështje të paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe në historinë e vendeve demokratike ku kryeministri i vendit korrupton shefin e FBI për të sulmuar kryetarin e opozitës. Një histori e tillë nuk është dëgjuar as në vende diktatoriale ku kundërshtari politik shihet si armik. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër të korruptojë shefin e kundërzbulimt të një vendi mik, aleat dhe partner strategjik, me qëllimin e vetëm për të goditur dhe dëmtuar kundërshtarin e tij politik, në këtë rast Lulzim Bashën dhe PD.

Shumë miq, dashamirës dhe mbështetës kane shprehur habinë deri në frustrim se pse nuk flet Lulzim Basha. Kjo edhe pse në fakt që prej ditës se parë unë e kam thënë se gjithçka është një stisje e ndyrë. Por të jem i sinqertë, atëherë kurrë nuk më shkonte në mendje se deri ku arrinte ky skenar, se kryeministri i vendit tim të kryente një operacion të tillë kriminal kundër kreut të opozitës dhe PD.

Ka pasur edhe nga ata për të cilët jam i keqardhur që ju bashkuan Edi Ramës në llumin e mashtrimeve, gënjeshtrave dhe akuzave për këtë çështje.  I kam shpërfillur dhe mëshiruar, i qetë dhe i vendosur në vetëdijen time se asnjëherë në asnjë moment PD dhe unë nuk ishim përfshirë në asgjë të paligjshme e aq më pak të lidhur me shpifjet monstruoze të prodhuara. Mbushën mediat, dërguan madje dhe letra nëpër botë me shpresën se do të dëmtonin PD dhe Lulzim Bashën. Për keta kam vetëm keqardhje. Turpi është i tyre dhe këtë turp shqiptarët e në veçanti demokratët nuk do tua harrojnë kurrë.

 Kam pritur me qetësi, durim dhe besim që ndonëse e vërteta e kësaj çështje do merrte kohë ajo do të zbardhej. Por kam qenë i sigurt që pas shpifjeve dhe sulmeve të ulëta fshiheshin duar të pista. E kam patur këtë bindje para se të dilte në shesh e vërteta e plotë përmes aferës McGonigal. Por sërish kam pritur të thotë fjalën e saj drejtësia amerikane, për të mos u krijuar asnjë alibi justifikimi nëpër banaqet mediatike të financuara me para krimi e korrupsioni nga ku mbushnin dynjanë me baltën e përnatshme.

Drejtësia amerikane foli. McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD. Dhe dje mori dënimin prej 2 vitesh e 4 muaj burg për rolin e tij në këtë aferë që ka tronditur jo pak edhe opinion publik dhe agjencitë e ligjzbatimit dhe të zbulimit. Drejtësia amerikane ka zbardhur në detaje gjithë operacionin kriminal që dirigjohej nga zyra e Edi Rames, ushqyer dhe mbështetur edhe nga disa gjoja opozitarë që sot shesin moral.

Dënimi i ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, nga Gjykata Federale e Ëashingtonit nxori në pah luftën e paprinciptë dhe të pamoral të Edi Ramës ndaj opozitës shqiptare dhe veçanërisht ndaj meje si drejtues i saj. Ai nuk u mjaftua vetëm me përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje, me shitblerjen e votës, me kriminalizimin e shtetit, me përdorimin e aseteve publike dhe privatizimin e shtetit për mbledhje votash, por korruptoi edhe zyrtarin e lartë të FBI vetëm e vetëm për të goditur Lulzim Bashën, PD, opozitën dhe për të penguar rotacionin politik vend.

Kjo nuk është një ngjarje e vetme dhe as e izoluar. Është pjese e një fushate të ndërtuar, financuar dhe zbatuar nga kryeministri i vendit përmes një lufte me mjete të ndyra kundër kreut të opozitës dhe rivalit për kryeministër. Ju të gjithë i mbani mend investigimet mediatike të 2021 të cilat zbuluan para shqiptarëve se Edi Ramës nuk i mjaftoi vetëm operacioni kriminal i manipulimit dhe diktimit të votave, por kishte paguar për mbi 50 milionë mesazhe denigruese kundër meje neper rrjetet sociale.  Që nga 2005 ku i jam bashkuar politikës kam qenë njeriu më i sulmuar dhe për fat të keq jo vetëm nga kundërshtari politik. Por gjithmonë kam besuar se e vërteta sado të zhytet, kurrë nuk do të mbytet.

Dhe ja ku jemi sot, gjithçka ka dalë në dritën e diellit. Gjithë balta, llumi shpifjet dhe mashtrimet u janë kthyer dhe përplasur në fytyrë autorëve të këtij operacioni kriminal. Por pas një investigimi bazuar në fakte dhe prova është zbuluar edhe një e vërtetë tjetër kriminale. Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq. Në ditët në vijim do të paraqesim në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve. Me emër e mbiemër të gjitha do ti depozitojmë ne SPAK krahas kallëzimit të paralajmëruar tashmë për përfshirjen personalisht të Edi

Ramës në aferën e inceneratorëve siç e ka rrëfyer numri 2 i tij, Arben Ahmetaj. Dje drejtësia amerikane foli, McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD dhe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg për rolin e tij në këtë aferë. Dikush shpreson qe ky të jetë kapaku i kësaj historie rrëqethëse korrupsioni dhe kompromentimi të niveleve më të larta. Jam sot për ti thënë, mos gënje veten. Ky është vetëm fillimi i zbulimit të zinxhirit të aferave të tmerrshme korruptive. Sado kohë të marrë, 8 ditë, tetë javë, tetë muaj apo tetë vjet, e vërteta do zbardhet dhe përgjegjësisë nuk do ti shpëtojë dot askush.

Së fundmi ju drejtohem sërish miqve, mbështetësve dhe në veçanti demokratëve. Ndonëse gjithë këtë kohë kam qenë i qetë në ndërgjegjen time pasi isha i vetëdijshëm për falsitetin dhe ligësinë e fushatës së ndyrë të ndërmarrë, më ka munduar ndjenja e keqardhjes për demokratët dhe shqiptarët që janë lënduar nga këto sulme. U jam gjithmonë mirënjohës që qëndruan bashkë me mua për këtë të vërtetë. Lufta për të vërtetën është më e vështira, por çdo kapitull suksesi i shoqërisë njerëzore shënohet nga triumfi i saj mbi gënjeshtrën. Kështu do të ndodhë edhe me Shqipërinë.

Lajmi në përditësim

Ora 15:32
'Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut', Spiropali i përgjigjet Bashës: Nuk i shpëton dot parave ruse

1708180771_spiropali.jpg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili akuzoi për përfshirjen e McGonigal në çështjen e inceneratorëve. Për Spiropalin Basha s’ka asnjë lidhje me realitetin, ndërsa i ka kujtuar ccështjen e lobimit rus.

“Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do hidhte në erë “regjimin monist” të Edi Ramës në Tiranë! Por halle halle kjo dynja halli hallit nuk i ngja! Kështu, teksa Saliu u mbajt fort të mos binte nga ballkoni, kur “regjimi monist” i Tiranës në vend të bombës imagjinare mikpriti vetë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Lulëzimi u ngrit nga krevati për të thënë se gjykata amerikane e paskësh dënuar sipas tij Mc Gonigalin, duke e fajësuar se ka dashur të nxijë për llogari të Edi Ramës faqen e bardhë të bukuranit Lul!

Jo Lulëzim jo, asnjë lidhje s’kanë si zakonisht me realitetin ato që thua nga maja e krevatit në realitetin paralel ku ti vegjeton! Paratë ruse me të cilat financove çadrën e lirisë dhe e damkose PD-në në raportet serioze amerikane ishin para ruse, janë para ruse dhe do të mbeten para ruse! S’ka ëndërr që të shpëton nga hija e atij pazari të pisët në dëm të Shqipërisë dhe s’ka shqiptar që të beson më kur zgjohesh nga gjumi. Prandaj kthehu në anën tjetër e vazhdo fli dhe rrofsh që kur zgjohesh na bën për të qeshur, edhe pse demokratët i bën për të qarë kur u kujton se sa gjatë i mbajte peng në realitetin tënd paralel", shkruan Spiropali.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Besi: 18/02/2024 08:47

    mire federaten e bene po kush eshe gjenerali Lee?????

    Përgjigju
  • Iris: 18/02/2024 03:20

    /Silvi/,si ka goje e flet Basha?! Ka goje,sepse te gjithe politikanet tane pa perjashtim jane ngateruar me skandale.A je ne gjendje te thuash per ndonje politikan, qe je gati /te vendosesh doren ne zjarr/ per integritetin e tij,pavaresht nga partia ku ben pjese?!

    Përgjigju
  • Eli: 17/02/2024 18:14

    Shko blloko bulevardin tani nga inati nja 3 muaj sic e bere ne 2o17 se ibiem ne verdall si magelani dhe ti je ne rregull si opozitar

    Përgjigju
  • Haruni: 17/02/2024 16:44

    As ti o mamic sdo shpetosh nga 5 miljon eurot e doganave

    Përgjigju
  • beri: 17/02/2024 16:19

    Po Silvi, ky kujton se koha ka hedhur pluhurin e harreses. Nuk e di ky qe edhe ne varr do ta ndjekin ato leke.

    Përgjigju
  • silvi: 17/02/2024 15:06

    Si ka goje e flet Lul brava qe vodhi 250 mil.euro ne rrugen e kombit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?