Bajram Begaj

Opinion

Denis Dyrnjaja: Presidenti dekretoi rënien e Republikës

1 Tetor, 18:53| Përditesimi: 1 Tetor, 18:57

  • Share

Shpallja e një date zgjedhjesh nga Presidenti nuk është një akt formal apo ceremonial. Është një ndër aktet më të rëndësishme të republikës, sepse vendos në lëvizje të gjithë mekanizmin demokratik të përfaqësimit. Por nëse ky akt kryhet përpara se Gjykata Kushtetuese të shprehet për vlefshmërinë e vakancave të krijuara, si në rastin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, atëherë jemi përballë një ndërhyrjeje të paprecedentë në rendin kushtetues të republikës.

Presidenti Bajram Begaj në këtë rast, jo vetëm që paragjykon një vendim që i takon drejtësisë, por faktikisht shkel nenin 86 dhe nenin 92, shkronja “g” të Kushtetutës, ku përcaktohet se shpallja e zgjedhjeve bëhet në përputhje me ligjin dhe në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve. Por kur vakanca buron nga një situatë ende në shqyrtim kushtetues, ky akt bëhet nul në legjitimitet dhe i rrezikshëm në precedent.

Ky nuk është thjesht një devijim formal. Është një efekt domino dhe një tjetër hallkë në zinxhirin e shkeljeve të kushtetutës, ose edhe më keq, në interpretimet e tjetërsuara që i përshtaten momentit dhe interesave të çastit. Kjo e zhbën frymën e kushtetutës dhe na ekspozon si shoqëri jo vetëm ndaj krizave të radhës, por ndaj një standardi ku ligji është i negociueshëm dhe institucionet janë instrumente të përpunueshëm. 

Që Shqipëria nuk ka realisht një president në kuptimin institucional është kuptuar prej kohësh. Rasti konkret e tregoi qartë, që jo vetëm nuk është garant, por shkelës flagrant. Dhe si i tillë, duhet të aktivizohen mekanizmat e kontrollit dhe reagimit ligjor, institucional dhe kushtetues. Dekreti i Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve nga Presidenti duhet paditur si shkelje e e kushtetutës dhe kur presidenti shkel kushtetutën, duhet të shkarkohet dhe madje të dënohet penalisht. Në çdo rast është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë jo vetëm shkarkimin e një kryebashkiaku, por edhe kushtetutshmërinë e vetë aktit të Presidentit.

Ndërsa opozitës, nëse i ka mbetur pak vetëdije dhe nuhatje politike, mund të kërkojë procedurë urgjente për shkarkimin e Presidentit për shkelje të rëndë të Kushtetutës, sikurse parashikohet në nenin 90 të saj në rast se vërtetohet se ai ka shpallur zgjedhje mbi baza të pavlefshme ligjërisht.

Nëse nuk i japim fund këtij zinxhiri veprimesh që rrëzojnë njëri-tjetrin si gurë dominoje, atëherë kushtetuta do të jetë vetëm një letër nën një kornizë me xham në njërin nga korridoret e Presidencës, dhe jo themeli i një Republike ku sundon ligji dhe jo vullneti i individit kushdo qoftë ai dhe për çdo nëse pretendojmë se jemi dhe duam demokraci!

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?