Denoncimi i Braçes për përdorimin preparateve kimike në domate, AKU: Kontrolli bëhet sipas standardeve europiane

9 Maj 2023, 14:23| Përditesimi: 9 Maj 2023, 14:25

  • Share

1683635057_1683629196domate.jpgAutoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë një reagim për kontrollin me përdorimin e pesticideve në produktet bujqësore. Kjo deklaratë e AKU-së vjen pas një denoncimi që ka bërë deputeti socialist Erion Braçe në rrjetet sociale, ku thotë se prodhuesit po djegin fermerët e ndershëm duke pjekur domatet me preparate, ndërsa kërkoi më shumë kontroll.

Në reagimin e bërë nga AKU thuhet se bëhet monitorim sipas standardeve europiane. Në deklaratë thuhet se 242 mijë tonë eksporte që u arritën në vitin 2022, vetëm 5 ngarkesa janë kapur që kanë përdorur pesticide në prodhimet bujqësore.

“Në lidhje me përdorimin e pesticideve në produktet bujqësore dhe planin e tyre të monitorimit të mbetjeve, duam të bëjmë me dije opinionin publik se monitorimi i mbetjeve të pesticideve kryhet bazuar në planin me bazë risku për biznese dhe për kultura bujqësore, plan i hartuar me mbështetjen e ekspertizës më të mirë europiane.

Me mbështetjen e projektit IPA për Sigurinë Ushqimore, dhe me ndryshimet ligjore të ndodhura, nga viti 2022 aplikohet dhe regjistri i përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve në fermë (fletorja e fermerit, e cila kontrollohet dhe në pikat e grumbullimit nga AKU).

Instrument ky i nisur nga Ministria e Bujqësisë e cila e ka prioritet sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë. Në anën tjetër vetëm në vitin 2022, eksportet shqiptare të produkteve bujqësore arritën 242 mijë tonë drejt 80 shteteve.

Nga e gjithë kjo sasi, në sistemin alert RASFF (sistemi i njoftimit të menjëhershëm për ushqimin) të Bashkimit Europian, janë sinjalizuar vetëm 5 ngarkesa gjatë të gjithë vitit. Dhe për më tepër pesticidi i konstatuar si mbetje në këto ngarkesa është përfshirë menjëherë në planin e monitorimit të këtij viti.

Siguria ushqimore është një proces në zhvillim i cili mbështetet në monitorim, ndjekje të rasteve jo konform dhe përmirësim të parametrave të ndryshëm. Është e rëndësishme të mos bëjmë politikë mbi sigurinë ushqimore, duke përhapur panik për produktin bujqësor vendas, kur nuk është ky rasti, por te lejojmë strukturat qe të bëjnë punën e tyre, me rigorozitet dhe në funksion vetëm te konsumatorit”, thuhet në deklaratë.


Lajmi kryesor:

Erion Braçe: Prodhuesit e domateve po dëmtojnë bujqit e ndershëm! Pjekin perimet me preparate, pse nuk shton kontrollet


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?