Erion Braçe: Prodhuesit e domateve po dëmtojnë bujqit e ndershëm! Pjekin perimet me preparate, pse nuk shton kontrollet

9 Maj 2023, 12:13| Përditesimi: 9 Maj 2023, 14:25

  • Share

Deputeti socialist Erion Braçe ka bërë sërish një reagim sa i takon sektorit të bujqësisë. Në një video të postuar në Facebook, Braçe është ndalur tek ulja e çmimit të domateve, ashtu siç Report Tv e trajtoi pak ditë më parë. Braçe thotë se kjo situatë nuk lidhet me ofertën, pra që ka shumë prodhim, sepse jemi në javën e parë të majit.

Por sipas tij, problemi qëndron në mënyrën si prodhohet. Ai shpjegon se shkak janë bërë disa sera që i nxisin pjekjen e domates me preparate. Kjo metodë, Braçe thotë se dëmton buqit që punojnë ndershëm.

"Kam ndalur fushatën sepse më shqetësuan lajmet për çmimin e domates së re, që ka dalë nga prilli në maj. T’ua shpjegoj thjeshtë se çfarë ndodh. Këtu jam në një serë që i zbaton të gjitha protokollet. Është mbjellë kjo domate që shihni në të njëjtën periudhë me domaten në zonat e tjera. Këtu jemi në katin e tretë dhe domatja po piqet në kushte natyrale brenda serës. Ndërkohë, ata që e kanë mbjellë në të njëjtën periudhë me të i kanë shitur. Thoni ju si i mundësi atje është pjekur më herët se sa kjo këtu. Si? Është një lloj preparati që mjafton domaten ta lyesh, natyrisht rritet temperatura e bimës dhe  ajo nis një pjekje që është artificiale. Natyrisht që edhe kjo mund të lejohet, por doza dhe herët me të cilat t’i  e fërkon domaten me atë preparatin. Çfarë duhet? Duhet që të shtohet kontrolli. Kontrolli nuk shtohet në pikat e grumbullimit, ku dëmi është kolosal”, thotë Braçe.

Për të ndaluar këtë, Braçe thotë se duhet të rriten kontrollet. Ai thotë se pak ditë më parë janë kthyer katër trajler me domate dhe për këtë sugjeron që të gjurmohet laboratori që ka lëshuar analizat, më pas grumbulluesi që ka marrë prodhimin dhe fermeri. Për të tre, Braçe thotë se duhet të merren masa deri në mbylljen përgjithmonë të aktiviteteve të tyre. Ai thekson se vetëm një herë duhet të mbrohen bujqit e ndershëm.

“Është shumë e thjeshtë, nëse dje është kthyer një trajler me domate të këtij lloji, nëse një javë më para është kthyer një tjetër dhe të gjitha kanë qenë të shoqëruara me fleta analizash. Atëherë gjithçka duhet të ndodhë është kjo, e para laboratori që ka lëshuar analizat duhet të mbajë përgjegjësi, për mua duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë, e dyta gjurmohet grumbulluesi që ka marrë këtë prodhim dhe natyrisht nëse ai me vetëdije ka marrë një produkt të tillë duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe e treta gjurmohet fermeri mbi bazë të faturës që ai ka marrë, që ka prodhuar në këtë mënyrë dhe për mua sera e tij duhet të mbyllet përgjithmonë. Njëherë të vetme duhet të mbështeten buqit e ndershëm, njerëz e ndershëm që punojnë me drejtësi e zbatojnë çdo lloj protokolli për ushqyer Europën dhe Shqipërinë në kushte të ndershme”, tha Braçe.

 

Ora 14:23
Denoncimi i Braçes për përdorimin preparateve kimike në domate, AKU: Kontrolli bëhet sipas standardeve europiane

1683635057_1683629196domate.jpgAutoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë një reagim për kontrollin me përdorimin e pesticideve në produktet bujqësore. Kjo deklaratë e AKU-së vjen pas një denoncimi që ka bërë deputeti socialist Erion Braçe në rrjetet sociale, ku thotë se prodhuesit po djegin fermerët e ndershëm duke pjekur domatet me preparate, ndërsa kërkoi më shumë kontroll.

Në reagimin e bërë nga AKU thuhet se bëhet monitorim sipas standardeve europiane. Në deklaratë thuhet se 242 mijë tonë eksporte që u arritën në vitin 2022, vetëm 5 ngarkesa janë kapur që kanë përdorur pesticide në prodhimet bujqësore.

“Në lidhje me përdorimin e pesticideve në produktet bujqësore dhe planin e tyre të monitorimit të mbetjeve, duam të bëjmë me dije opinionin publik se monitorimi i mbetjeve të pesticideve kryhet bazuar në planin me bazë risku për biznese dhe për kultura bujqësore, plan i hartuar me mbështetjen e ekspertizës më të mirë europiane.

Me mbështetjen e projektit IPA për Sigurinë Ushqimore, dhe me ndryshimet ligjore të ndodhura, nga viti 2022 aplikohet dhe regjistri i përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve në fermë (fletorja e fermerit, e cila kontrollohet dhe në pikat e grumbullimit nga AKU).

Instrument ky i nisur nga Ministria e Bujqësisë e cila e ka prioritet sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë. Në anën tjetër vetëm në vitin 2022, eksportet shqiptare të produkteve bujqësore arritën 242 mijë tonë drejt 80 shteteve.

Nga e gjithë kjo sasi, në sistemin alert RASFF (sistemi i njoftimit të menjëhershëm për ushqimin) të Bashkimit Europian, janë sinjalizuar vetëm 5 ngarkesa gjatë të gjithë vitit. Dhe për më tepër pesticidi i konstatuar si mbetje në këto ngarkesa është përfshirë menjëherë në planin e monitorimit të këtij viti.

Siguria ushqimore është një proces në zhvillim i cili mbështetet në monitorim, ndjekje të rasteve jo konform dhe përmirësim të parametrave të ndryshëm. Është e rëndësishme të mos bëjmë politikë mbi sigurinë ushqimore, duke përhapur panik për produktin bujqësor vendas, kur nuk është ky rasti, por te lejojmë strukturat qe të bëjnë punën e tyre, me rigorozitet dhe në funksion vetëm te konsumatorit”, thuhet në deklaratë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • ♤■♡◇: 09/05/2023 15:10

    Aku ashte komplet fallco,marrin rrogat pine kafe e bajne rruge jasht shtetit kurse na munohena me zgjedh qa hame dhe zot na ruj!

    Përgjigju
  • Bujku i ndershem: 09/05/2023 13:38

    Ne minitrine e bujqesise mungojne bujqit. Kimistet e biologet qe kane pushtuar ministri e bujqesise nuk marrin vesh nga kjo pune

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?